Kishte festuar 3 vjetorin e martesës me bashkëshorten e tij, Selmën me të cilën kishte ndërtuar jetën në Itali. Edhe atë paradite të së martës së 14 gushtit, Admir Bokrina, shqiptari nga Shkodra u përshëndet me gruan e tij dhe rreth orës 11e 10 minuta ishte larguar sëbashku me shokun e tij të punës, Marjus Djerrin. Por ajo e martë nuk do të ishte si çdo e ditë e 20 viteve që Admiri kishte kaluar në Itali.
Për fatin e keq të tij dhe të shokut, Marjusit ata do të duhet të kalonin me makinën e punës mbi urën Morandi në Xhenova. Të shqetësuar sapo panë lajmet për shembjen e urës, prindërit e Admirit që ishin prej 10 ditësh në Shqipëri me pushime, përkatësisht në Oblikë të Shkodrës, nisën që t’i binin telefonit të të birit. Zilja binte në boshllëk dhe për më shumë se një orë ata nuk kishin lajme nga djali.
“Përmes televizorit mësuam për shembjen e ures dhe menjëherë u ndjeva keq. Pastaj tentuam të flasim me bashkëshorten e tij dhe aty u njoftuam për lajmin e hidhur. Babai dhe nëna e tij u nisen direkt për Itali” – tregon xhaxhai, dyert e shtëpisë së të cilit janë hapur për mort. Kushëriri i tij, Shkëlzeni tregon se Urën Morandi, Admiri e përshkonte 2-3 herë në ditë. Admiri punonte si shofer në një hotel në Xhenova dhe shpeshherë i tregonte atij, kushëririt, se ura ishte shumë e vjetër.