MENU

Goli i tretë për mesfushorin

Hyka shënon në Amerikë, sinjal Panuccit

26.08.2018 - 12:36

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në kampionatin amerikan, pavarësisht se ky gol nuk i ka shërbyer ekipit për ndonjë rezultat pozitiv.

Futbollisti shqiptar shënoi golin e parë të ndeshjes që skuadra e tij San Jose, e humbi me rezultatin 2-3 ndaj Vancuverit, me shtatshkurtërin kuqezi që bëri më së miri detyrën e tij.

Ishte minuta e 7-të e ndeshjes, kur Hyka zhbllokoi rezultatin, duke e kaluar skuadrën e tij në avantazh. Mesfushori sulmues uli bukur një top në hyrje të zonës dhe goditi saktë drejt portës.

Më pas Eriksen dyfishoi shifrat për San Joze, por në pjesën e dytë skuadra mike shënoi tri herë dhe fitoi ndeshjen. Keqardhje, pasi Sa Jose ishte në avantazhin e dy golave.

Ky ishte goli i tretë për Hykën në kampionat, që do të thotë se gëzon një formë të mirë, kështu që trajneri i Kombëtares, Christian Panucci, mund ta marrë në konsideratë para se të shpallë listën e të grumbulluarve para ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë në Ligën e Kombeve.

Për më tepër që ka lojtarë të dëmtuar si Sadiku dhe Roshi, ndërsa Hyka është një lojtar që përshtatet shpejt dhe mund të bëjë disa detyra në mesfushë.