MENU
klinika

Personazhi i qytetit

I fundit mjeshtër i qeramikës në Korçë

20.08.2018 - 15:02

Në një botë ku teknologjia dita-ditës po bëhet edhe më e rëndësishme në të përditshmen e njeriut, arti figurativ sikurse skulptura duket se ka mbetur pas, veçanërisht kur bëhet fjalë për punimet në qeramikë, të cilat thuajse po humbet. Në qytetin e Korçës, mjeshti i qeramikës, Vasillaq Kolevica ka rinjgjallur nga rrënojat helenistike e romake këtë art të vjetër sa edhe vetë njerëzimi duke e sjellë në format më magjepsëse të tij.

Kolevica vjen nga nje familje e shquar artistësh të qytetit, dhe është rritur me artin e ushqyer nga nëna e tij pianiste dhe nga babai piktor e po aq nga gjyshi Ilo Moska, një prej themeluesve të korit “Lyra”. Mes shumë kujtimeve të fëmijërisë, ai risjell në kujtesë vitet e komunizmit, gjatë të cilave atij iu mohua e drejta për të ndjekur studimet ne Liceun Artistik të Tiranës.

“Prinderit e mi u përndoqën nga sistemi dhe vuajtën shumë vite burg. Një njeri si unë me njollë në biografi, sigurisht që nuk mund të vijonte studimet për pikturë. Megjithatë më 1974-ën më dërguan të punoja në Poçerinë e Korçës ku mësova edhe zanatin. Nuk ishte aspak dëshira ime, por im atë më dha një këshillë asokohe: Puno, sepse arti mund të bëhet edhe nga balta”. Dëshira dhe pasioni për artin e shtynë, Vasillaqin që pas punes në poçari, t’i përkushtohej mjeshtërisë së qeramikës, duke i dhënë forma të ndryshme.

“Mësova mjaft gjëra me vlerë nga tradita korçare prej mjeshtrave të fshatit Bradvicë. Ishin pak banorë , por ia dilnin që në dimër të mbijeonin me poçari”. Atyre Vasillaqi u është mirënjohës. Kjo e shtyu të niste hulumtimet dhe kërkimet mbi artin helen e roman në qeramikë. Studimi do jepte frytet e veta dhe sukseset nuk do të vononin. Në vitin 1986, Vasillaqi fitoi çmimin e parë në qeramikë në Festivalin e Kulturës Popullore në Shkodër më 1986. Vetëm nga zona e Maliqit, ai ka prezantuar plot 150 objekte autoktone.

Me të hyrë viti 1991, Kolevica hapi një punëtori të vogël në Pazarin e Vjetër të Korçës. Aty ai njeh një investitor italian i cili vlerëson punimet e tij në qeramikë dhe nis t’i eksportojë ato drejt Perëndimit. “Çdo vit- tregon mjeshtri i qeramikës – shkonin në Itali 25 kamionë me veprat e mia. Me kursimet e atyre viteve ia dola që të ivestoj për të çelur galerinë time”. Universitetin e Arteve, Kolevica e kurorëzoi si ëndër më vonë.

Tanimë, mjeshtri Kolevica punon me materialet natyrore, veç argjilës. Krijmtaria e tij numëron një seri punimesh edhe në dru dhe gur, tetë prej të cilave janë të ekspozuarasi vepra publike në Korçë.Mes gjithë frymëzimeve, ai zgjedh si modelin më të mirë artin bizantin. “Maskat e komedive dhe tragjedive që i përkasin ikonografisë së teatrit të çilat u janë bashkuar 140 maskave më të vogla i dalloj. Por ajo që më bën më të nderuar është skulptura e teto Ollgës, e realizuar në bashkëpunim më Spahijn në Tushemisht Pogradeçit”- tregon Kolevica.

Kolevica tregohet mjaft mirënjohës edhe ndaj bashkeshortes së tij Anetës, e cila jep kontributin e saj në ngjyrimin e punimeve. “Jemi të gjithë të përkushtuar ndaj artit. Profesionin tim e kam trashëguar edhe te dy vajzat e mia. Është kënaqësi të punoj më to në atelienë time” – nuk i fsheh emocionet Vasillaqi teksa e ka dhe një këshillë në fund për të gjithë të rinjtë: “vetëm 1% është talent, 99% është punë, andaj vazhdoni jepni më të mirën!