MENU
klinika

Vittorino Andreoli

Jemi shoqëri e homo stupidus stupidus stupidus

25.08.2018 - 09:31

Sot vetëm të marrët mund të jenë të lumtur. Shkatërrim, frustrim dhe pasiguri janë karakteristikat e epokës sonë. Jemi shoqëri e frikës dhe mbizotëron kultura armiqësore”.  

Jetojmë në një shoqëri dominuar nga frustrimet. Mbretëron ndjesia e të qenit në një mjedis, në të cilin ndjehesh i përjashtuar, ndjehesh i pasigurt, ke frikë. Kështu grumbullohet zhgënjimi, i cili pak nga pak shndërrohet në zemërim. Dhe zemërimi e di se çfarë sjell? Çon drejt dëshirës për të thyer gjithçka. Epoka jonë nuk është e dhunshme, është shkatërrimtare”.

Kështu arsyeton Vittorino Andreoli, psikiatër i njohur dhe shkrimtar prodhimtar mbi bashkëkohësinë dhe njeriun. Diçka të tillë e bën në romanin e tij të fundit, paraqitur në Panairin e Librit në Torino, “Heshtja e gurëve”, (Rizzoli, f. 328). “Nuk besoj në ndarjen kategorike midis romaneve dhe eseve, – thekson ai. – Jo rastësisht vëllimi është një histori e gjatë vendosur në vitin 2028: kohët kanë ndryshuar, njeriu nuk është më i lirë të zgjedhë, por ka vetëm mundësinë e bekuar të shtegtimit. Madje, shndërrohet në mitike dhe narrative, kur zbulohet vetëdashës dhe skocez. “Protagonisti im, – vazhdon Andreoli, – ia mbath nga gjithçka. Ia mbath nga zhurmat, nga interneti, nga bota virtuale që të fut frikën dhe të ha kohën, duke mos e lejuar që të mendojë… Arratiset diku ku njeriu ende nuk ekziston. Zgjedh një liman të mrekullueshëm, në natyrë, për t’i shpëtuar shoqërisë mbushur plot me të frustruar”.

Flisni për dhunë dhe shkatërrim. Ku qëndron dallimi?

Dhuna synon të prodhojë dëme për të tjerët. Dikush bëhet xheloz, sepse një tjetër i ka rrëmbyer objektin e dashurisë dhe hakmerret dhunshëm: e vret. Mirëpo, me përmbushjen e këtij qëllimi, dhuna degjeneron.

Po shkatërrimi?

Shkatërrimi, përkundrazi, është prirja për t’u bërë dëme të tjerëve, por edhe vetvetes. Vrasin gruan, fëmijët dhe vetëvriten. Është njëlloj apokalipsi i vogël. Fatkeqësisht, në ditët e sotme është shumë e zakonshme në familje.

Mos vallë po jetojmë një kohë shkatërrimtare edhe për politikën?
Ekziston dëshira për të bërë luftë, për të kamufluar situata personale, për të prodhuar armë, për të ushqyer arsenalet bërthamore. Bie erë lufte, dhe lufta është shkatërruese. E përforcoj: shkatërrimi është karakteristikë themelore e kohës sonë.

Cilat janë të tjerat?

Frustrimi dhe pasiguria. Jemi shoqëria e frikës. Dominon kultura armiqësore.

Ku çon kjo?

Kjo vret shpresën dhe besimin dhe nxit të qenit i vetmuar.

Po mandej?

E dini, ka ekzistuar epoka e arsyes, e iluministëve, e ideologjive të mëdha dhe tani…

Tani?

Tani kemi periudhën e idiotësive.

Përse shpreheni kështu?

Sepse qeveris irracionalja! Mbizotëron absurdi. Nuk njihet ndjenja etike. Më keq se kaq… Dhe si pasojë e marrëzisë kemi regresin drejt njeriut makinë.

Kujtoja se i përkisnim homo sapiens sapiens.
Jo! Në këtë moment historik ku dominon absurdi, ne jemi homo stupidus stupidus stupidus.

Për ç’motiv?

Gjithkush mendon për vetveten. Askush nuk mendon se jemi një Komb. Pikërisht kjo është marrëzia. Në ditët e sotme, nëse nuk je i marrë vështirë se mund të jetosh në këtë shoqëri.

Si mund të shpëtojmë?

Duke vepruar si protagonisti i romanit tim, i cili shkon në një botë të mrekullueshme ku nuk ekziston asnjë urdhërues. Ku nuk ekziston njeriu. Gjeneza ndaloi ditën e pestë, sepse Ati i pavdekshëm është shumë inteligjent dhe në një cep të botës nuk e ka krijuar ende njeriun.

Sot, ku përqendrohet marrëzia?

Në pushtet. Sot përkufizimi i pushtetit do të thotë idiotësi. Unë e përdor pushtetin si folje: mundem, kështu që bëj. Dhe e bëj sepse mundem. Pushteti është aspekti më i qartë i marrëzisë.

E konsideroni veten njeri i pushtetshëm?

Jo. Kam shkruar për Askushin, për ata me A të madhe, sepse në këtë shoqëri është dikush që nuk është i marrë, ata janë pikërisht Askushët. Unë jam një Askush, sepse nuk vlej.

Por ju vleni…

Duke qenë Askushi nuk duhet të pranojë kompromise. Askushi është dikush që është, por është njësoj sikur të mos ishte. E dua këtë shoqëri, atë të formuar nga njerëzit e mirë që vlejnë hiçmosgjë.

Nuk vlen aspak, por është dikush, Gene Gnocchi, që ju imiton në televizion.
S’ka shumë që e kam parë. I konsideroj humorin dhe ironinë si të justifikueshme. I ndihmojnë njerëzit të mbijetojnë. I dua të çmendurit, e konsideroj të mahnitshme çmendurinë, njerëzore, dhe ajo çka gjithmonë kam kërkuar është njeriu i dërrmuar. Dhe gjithmonë e kam kërkuar me një armë të vetme, me ironi. Edhe pse nuk e kam takuar kurrë, e konsideroj Gene Gnocchi-n mjaft të aftë.

Vite më parë me Andrea Purgatorin në “Huffington Post” i bëtë një diagnozë tashmë historike Kombit tonë. A mund ta përditësojmë këtë diagnozë?
Italia vetëm sa është përkeqësuar, sepse asnjëherë nuk është kuruar.

Po italianët?

Jemi mazokistë të lumtur: jetojmë me rrezikun e vazhdueshëm dhe të rëndë ekonomik e social, megjithatë jemi në gjendje të argëtohemi.

Po pastaj?

Jemi të frustruar. Plot zemërim. Darvini fliste për instinktin, por ne po i kthehemi epokës së instinktit. Ja, shikoni përreth.

E bëj çdo ditë.
Tek ne, tashmë nuk ka etikë, por ka komisione etike. Dominon “uni” dhe jo “ne”. Dua këtë. E dua këtë. E dua, e dua, e dua.

Në këtë kontekst, a mendoni se rritja e dhunës kundër grave është e rëndësishme?
Nga ana antropologjike, gruaja ka qenë gjithmonë pre e burrit. Solomoni, i cili ishte urtësia e popullit, tha: “Më e tmerrshme se vdekja është gruaja, vetëm njeriu që ka frikë Perëndinë mund të shpëtojë prej saj, ndërsa mëkatari është i lidhur prej saj, i mashtruar”.

Çfarë ndodhi më pas?

Më pas erdhi Krishti, i cili i respektonte gratë. Ishte pikërisht kultura, e cila me punë të lodhshme filloi t’i japë vendin e merituar gruas, feminitetit, rezistencës së tyre. Por nëse nxitojmë drejt njeriut makinë, gruaja do fillojë të shndërrohet sërish në prenë e tij.

Ditën tjetër në Kanë, 83 aktore marshuan në heshtje në protestë kundër industrisë së filmit dhe diskriminimit gjinor. Çfarë mendoni për lëvizjen globale #MeToo dhe për pasojat e pashmangshme që do të ketë në të tashmen?

Gruaja ende ka nevojë për një lëvizje të fortë. Më kujtohet se kam marrë pjesë në marshimin historik të grave nga Central Park në Broadway. Mirëpo, sot, gratë nuk duhet të bëjnë gabimin e feminizmit të viteve shtatëdhjetë.

Që do të thotë?

Të përjashtojnë burrat. Në të kaluarën, duke vepruar në kë mënyrë, nuk e mundësoi të marrë përmasa në rritje. Lëvizjen, siç shprehej edhe e madhja Ida Magli, duhet ta bëjmë së bashku. Përndryshe, burri do të mbetet i shkëputur nga ana kulturore. Do të mbetet thjesht një spurdhjak.

Ju si ndjeheni?

Unë jam një i lumtur i dëshpëruar.

A mund të ma shpjegoni më mirë?

Sot flitet vetëm për lumturi, por lumturia është diçka individuale. Është një ndjenjë pozitive, e këndshme që i takon unit. Hareja përkundrazi i takon një gjendje që ka të bëjë me neve: unë së bashku me tjetrin. Ajo transmetohet dhe pranohet, por gjithnjë ka të bëjë me një grup. Sot vetëm të marrët mund të jenë të lumtur.

Për çfarë arsyeje?

I përkasim një shoqërie tepër komplekse, sepse nuk merret në konsideratë gjendja e të tjerëve. Si mund të jetë i lumtur dikush, nëse çdo ditë sheh njerëz që vuajnë?

Nuk e di.

Unë nuk vlerësoj shumë njerëz, por njeriu nga Nazareti, ai njeri me N të madhe, ai mësonte gëzimin. Por sot gjithçka është ndryshe.

Në ç’kuptim?

Sot nuk ka padronë të tokës, të ndërtesave, por vetëm padronë të shoqërisë njerëzore. Avram Noam Chomsky i përshkruan më së miri.

Kush janë këta padronë?

Ekonomia varet në dorën e 20-25 individëve. Pjesa më e madhe e Askushëve lufton për bukën e gojës, ndërsa disa të tjerë nuk dinë si të jetojnë, sepse kanë shumë.

Për shembull?

Mark Zuckerberg! Ju kujtohet se ç’ndodhi s’ka shumë kohë: humbi 100 miliardë brenda ditës. Dhe e dini se çfarë tha? “Nuk është asgjë për mua”. Ja pra, kështu unë bëhem i pakënaqur dhe paksa i inatosur. Dhe kjo është diçka e mirë.

Përse?

Sepse për sa kohë që do indinjohem, do vazhdoj të shkruaj.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit