MENU
klinika

Fitime dhe kohë të lirë

Kapitalizmi ka arritur çka marksizmi thjesht premtoi

21.08.2018 - 15:30

Dishepujt e Marksit nga Kuba dhe Venezuela deri në Afrikën e Jugut dhe Zimbabve po bëjnë të njëjtin gabim sot.

Nga Marian L. Tupy*

Marxizmi duhej të kishte sjellë shumë ndryshime pozitive, duke përfshirë krijimin e një shoqërie pa klasa, ku të gjithë jetonin në paqe. Këtyre qëllimeve ambicioze mund t’u shtohet një reduktim i konsiderueshëm në sasinë e punës që kërkohet nga proletariati.
Rodney G. Peffer nga Universiteti i San Diegos, shprehet në librin e tij të vitit 2014, “Marksizëm, Moralitet dhe Drejtësi Sociale”:
“Marx besonte se reduktimi i kohës së nevojshme të punës ishte një domosdoshmëri absolute. Ai pretendoi se pasuria e vërtetë është forca prodhuese e zhvilluar e të gjithë individëve. Nuk është më koha e punës, por koha e disponueshme që është matës i pasurisë”.
Ekonomisti gjerman nuk e dinte që tregjet e lira do të arrinin objektivin e tij me siguri.
Numri i orëve të punës në ditë është luhatur gjatë gjithë historisë njerëzore. Bazuar në vëzhgimet e tyre mbi shoqëritë ekzistuese të gjahtarëve-grumbulluesve, studiuesit vlerësojnë se paraardhësit tanë kanë punuar midis 2.8 orë dhe 7.6 orë në ditë.
Pasi ata siguronin ushqimin e tyre për ditën, ata ndaleshin. Ngarkesa e punës së tyre ishte relativisht e ulët, por po kështu ishte edhe standardi i tyre i jetesës. Pasuria e paraardhësve tanë ishte e kufizuar në peshën e mallrave që ata mund të mbanin në shpinë nga një vend në tjetrin.
Rreth 12,000 vjet më parë, njerëzit filluan të zënë rrënjë, të kultivonin të korrat dhe të zbusnin kafshët shtëpiake. Numri i përgjithshëm i orëve të punës u rrit, sepse njerëzit ishin të gatshëm të sakrifikonin kohën e lirë në këmbim të një furnizimi më të qëndrueshëm ushqimor. Meqenëse ndriçimi artificial ishte i kushtueshëm, rrezet e diellit rregullonin sasinë e punës që mund të bëhej në një ditë të caktuar.
Në verë, shumica e njerëzve punonin 6 deri në 10 orë në fusha dhe tre orë shtesë në shtëpi. Në dimër, ditët më të shkurtra kufizonin numrin e përgjithshëm të orëve të punës në tetë. Për arsye fetare, e diela ishte ditë pushimi dhe një mori festash thyenin monotoninë e jetës bujqësore.
Pritshmëritë tona për atë që përbën një ekuilibër të mirë midis punës dhe jetës dukshëm janë shumë të ndryshme nga ato të gjahtarëve-grumbulluesve dhe bujqve. Prandaj, ka kuptim që të krahasojmë ngarkesën e punës së sotme me atë në fillim të Revolucionit Industrial.
Në vitin 1830, java e punës në Perëndimin e industrializuar ishte mesatarisht rreth 70 orë ose, përjashtuar të dielat, 11.6 orë punë në ditë. Nga viti 1890 kjo vlerë ra në 60 orë në javë ose 10 orë në ditë. Tridhjetë vjet më vonë, java e punës në shoqëritë e avancuara qëndronte në 50 orë, ose 8.3 orë në ditë.

Sot, njerëzit në shoqëri të përparuara punojnë mesatarisht më pak se 40 orë në javë. Kjo gjithsesi arrin në rreth 8 orë në ditë, sepse zakonisht nuk punojmë të shtunën. “Fundjava” ka lindur.
Numri i përgjithshëm i orëve të punës ka rënë së bashku me rritjen e mbrothësisë. Thënë qartë, sa më i pasur vendi, aq më pak njerëz punojnë. Të dhënat e sakta për vendet në zhvillim janë të vështira për t’u siguruar, por numri mesatar i orëve të punës për një punëtor në vendet me të ardhura të larta ka rënë nga 2,123 orë në vitin 1950 në 1,732 orë në vitin 2017 – kjo është një rënie prej 18,4 për qind.
Bazuar në të dhënat e disponueshme nga vendet e përparuara, gjermanët punonin më pak orë (1,347) dhe singaporianët punonin më shumë orë (2,237). Me 1,763 orë pune në vit, Shtetet e Bashkuara ishin në mes të listës në vitin 2017.
Gjatë të njëjtës periudhë, prodhimi i brendshëm bruto për person i përshtatur për inflacionin dhe fuqinë blerëse u rrit me 483 për qind në Gjermani, 1376 për qind në Singapor dhe 290 për qind në Shtetet e Bashkuara. Në përgjithësi, PBB-ja për person në vendet me të ardhura të larta u rrit nga 9251 dollarë në 47149 dollarë, një rritje prej jo më pak se 410 për qind.
Pra, njerëzit fitojnë më shumë para në këmbim të më pak pune. Por, a gëzojnë më shumë kohë të lirë? Krahasimet ndërkombëtare janë të vështira, por Sonazhi Amerikan për Përdorimin e Kohës, i cili është kryer nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA, zbuloi se amerikanët gëzonin mesatarisht 5.24 orë argëtim dhe sport në ditë në vitin 2017. Kjo ishte 2.5 për qind më shumë se kur anketa filloi në vitin 2003. Është e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara janë përfaqësuese të një trendi më të gjerë. Megjithatë, është e pamohueshme që njerëzit kanë më shumë kohë të lirë sesa kanë patur – të paktën që nga koha e nomadëve.

Marksi e kishte gabim për shumë gjëra. Për shembull, ai mendonte se konkurrenca e tregut do të dobësonte fitimet, duke bërë të nevojshëm shfrytëzimin gjithnjë e më të madh të punëtorëve. Por, siç thekson Johan Norberg i Institutit Cato në librin e tij të vitit 2017, “Progresi: Dhjetë Arsyet për të kërkuar përpara për të ardhmen”, Marx kishte jetuar përgjatë një periudhe pasurimi të pafund të punëtorit perëndimor.
“Kur Marksi vdiq në vitin 1883,” shkruan Norberg, “anglezi mesatar ishte tri herë më i pasur se kur ishte Marsi lindi, në vitin 1818.” I verbuar nga idetë e tij të gabuara, Marksi nuk mundi të shihte se çfarë po ndodhte rrotull tij.
Dishepujt e Marksit nga Kuba dhe Venezuela deri në Afrikën e Jugut dhe Zimbabve po bëjnë të njëjtin gabim sot. Të mërzitur nga urrejtja e tyre ideologjike për tregun e lirë, ata refuzojnë të shohin se kapitalizmi ka dhënë atë që Marx kishte dëshiruar aq gjatë, më pak punë dhe të ardhura më të larta. Plus ça change

*Marian L. Tupy është redaktor i HumanProgress.org dhe analist i lartë politik në Qendrën për Liri dhe Mbrothësi Botërore.

Kostot e prodhimit të produkteve po rriten më ngadalë

Si pritet të jenë çmimet për festa?

Lehtësohen lejet e ndërtimit në fshat

Detaje nga projektligji i qeverisë për faljen e gjobave

Balluku zbulon objektivin për 2025-ën

10 milionë pasagjerë brenda vitit në Rinas

Dhjetëra njësi administrative pa fëmijë

Si po shuhet Jugu i vendit! Popullsia, drejt plakjes