MENU
klinika

Problemet

Kosova e Shqipëria, rezervat i populluar me moshën e tretë

21.08.2018 - 10:23

Nuk ka prokuror e as ekip prokurorësh që mundet me i dalë n’skej hetimit të 30-40 mijë rasteve të kuazi-veteranëve.

Asht njisoj si me u mundue me i njeh fijet e barit me nji rudinë. Oh jo, skema pensionale duhet me u ndalë trrap-trrap: nuk ka pension për luftë, përveç për FAMILJET E DËSHMORËVE (sepse ndihma për to asht brenda domenit të etikës humaniste).

Nuk janë qaq problem pse shkojnë miliona e miliona euro në gojë të çapëlyeme parazitarësh. Asht nji problem ma largvajtës që kërkush nuk po e ban hesap: përfituesit e skemës pensionale janë nji kontigjent i konsumuem moshor që sillet prej 45 vjeçarëve deri në 60 vjeçarë.

Me këtë po anashnxjerrët tragjikisht kontigjenti i 20 vjeçarëve dhe 30 vjeçarëve, goca e djemë, në moshat ma vitale për punë, të mbikualifikuem mbase me diploma.

Mjekun e ardhshëm po e detyron me shku me ja hjek baglat nji plaku gjerman; fizikantin e dhuntishëm po e detyron me dalë me fasadue te daja i tij në Francë, nji juriste diligjente po e detyron me dalë n’Zvicër me ja ndrrue pampersat cullve të çikës tezës… e nji mozaik i pafundmë historish njerëzore.

Problemi i këtij vendi së shpejti ka me u ba demografia, dhe për Kosovën e Shqipnin’ ka me ngja ajo që Schmitt e quejke me të drejtë «rezervate të shpopullueme para portave të BE-së»

Nga Salih Mehmeti