MENU
klinika

Sulmuesi argjentinas

Lionel Messi gradohet kapiten i Barcelonës

01.08.2018 - 16:29

Nga e marta përfunduan ditët e pushimeve (30 ditë) për Lionel Mesin në Karaibe dhe Ibiza, dhe argjentinasi nisi misionin e ri me Barcelonën, atë si kapiteni i ri.

Sulmuesi do të mbajë shiritin pas largimit të Andres Iniestës në Japoni dhe misioni është ai i çdo sezoni: të fitohet çdo trofe, me Champions-in në krye.

Trofeu i parë që “pleshti” do tentojë të fitojë si kapiten është në fakt Superkupa e Spanjës më 12 gusht kundër Seviljes.

I shoqëruar nga Busqets, Pique dhe Alba, numri 10 mbërriti në qendrën sportive “Joan Gamper” ditën e djeshme për t’iu nënshtruar testeve fizike të doktor Ricard Pruna-s.

Sezoni i ri do të nisë pas pak javësh dhe do të jetë i 15-ti me skuadrën e parë të Barcelonës për Leon dhe i pari pas 9 vitesh ku nuk do të ketë rivalitetin e Cristiano Ronaldos.

Pavarësisht se sulmuesi nga Rozario fitoi dopietën sezonin e shkuar, ai e ka bërë të qartë se këtë vit objektivi numër 1 do të jetë marrja e fronit të Realit në Europë, Champions League.

Deri tani argjentinasi ka fituar 31 trofe me Barçën dhe, nëse do të vendosë duart te Superkupa më 12 gusht, atëherë do të bëhej edhe lojtari me më shumë trofe në klub.