Tashmë po kthehet në traditë dhe numri i pjesëmarrësve sa vjen e shtohet, sidomos amatorëve. Për të tretin vit radhazi kryeqyteti do të mirëpresë Maratonën e Tiranës, e cila zhvillohet më 7 tetor 2018.
Ashtu si edhe në vitet e tjera, pjesë e kësaj maratone do të jenë disa kategori, përkatësisht 3 të tilla: Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10 K, të ndara në kategori femër/mashkull dhe “We too”.
Kategoria “We too” është një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Half Marathon (21, 0975 km) është një kategori ku konkurrojnë kryesisht profesionistët.
“Tirana 10 K” është një kategori ku konkurrojnë të gjithë të apasionuarit pas vrapit apo sportit në përgjithësi. Ndërkohë që “We too” është një garë për njerëzit me aftësi ndryshe (para dhe tetraplegjik).
Gara e 7 tetorit do të paraprihet nga “Fun Run” e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe, më datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës.
Me projektin “Fun Run” synohet edukimi i brezave përmes sportit, si një mënyrë e mirë për t’i nxitur të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkurruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.
Maratona është nën kujdesin e Bashkisë Tiranë me partnerë të tjerë privatë dhe shtetërorë, madje dy herët e fundit edhe Kryebashkiaku Erion Veliaj ka garuar vetë, vitin e fundit nën shoqërinë e Lorik Canës.