MENU
klinika

La Liga, Java I

Messi shënon 2 gola, Barça kalon Alaves (Video)

19.08.2018 - 00:20

Dopieta e Lionel Messit dhe një gol i Coutinhos bën që Barcelona ta nisë në mënyrën e duhur sezonin e ri të La Liga-s. Messi me shokë kanë dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund dhe fitorja 3-0 e vendasve duhet të kishte qenë më e thellë.

Momenti i parë i rrezikshëm ka ardhur në minutën e 38-të, kur Leo Messi ka goditur traversën me një goditje dënimi. Një minutë më vonë ka qenë Ousmane Dembele që ka shpërdoruar një rast të pastër, duke dërguar topin në duart e portierit.

Humbja e rasteve të vendasve ka vazhduar në pjesën e dytë, teksa Jordi Alba është ndalur nga një pritje e bukur e portierit Pacheco. Rezultati është zhbllokuar në minutën e 64-t, kur Leo Messi ka mashtruar murin mbrojtës dhe portierin me një ekzekutim të zgjuar të goditjes së dënimit.

Kur të gjithë prisnin që argjentinasi të kërkonte trekëndëshin e radhës, ai e ka dërguar topin poshtë murit mbrojtës, duke lënë të palëvizur edhe Pacheco-n, i cili nuk mund të bënte dot asgjë për të ndalur topin që të shkonte në rrjetë.

Magjia e numrit 10-të të Barçës është pasuar nga goli i Philippe Coutinho, i aktivizuar në pjesën e dytë, që ka mbyllur ndeshjen në minutën e 84-t, me Leo-n që ka rrumbullakosur fitoren 3-0 në minutën e fundit të kohës së rregullt.