MENU
klinika

Në ekspozitën e artistit në Prishtinë

Në dashuri me lopët e Xhafës

18.08.2018 - 13:55

Nga Ilnisa Agolli

Realiteti është më i fuqishëm se arti. Si artist, nuk dëshiroj ta reflektoj një realitet, por dua t’i parashtroj pyetje atij. Edukumi im social nuk ka përfshirë veprime racionale lineare. I qasem botës dhe jetës me sjellje instiktive primale.” – është kjo intervista e Gilane Tawadros me Sislej Xhafën për katalogun e ekspozitës ” Transmission Interrupted, Modern Art Oxford, 2009.”

I lindur në vitin 1970, në Pejë, artisti Sislej Xhafa jeton dhe punon në New York. Fama botërore e ka shndërruar në krenarinë mbarëshqiptare ndërsa ai vijon rritjen artistike në majat më të larta.

Ajo që spikat së tepërmi në punët e tij, prej skulpturës tek vizatimi, nga performanca tek fotografia është ironia që Xhafa duket se e aplikon në mënyrë indiferente në një sërë mediumesh, duke prekur fenomenin e turizmit apo ilegalitetit të detyruar.

Sislej vë në pikëpyetje statusin legal të vendit të tij të origjinës, Kosovës, e paraqet veten si Pavjon Klandestin në Bienalen e Venecias ose në këpucët e misionarit që nuk shet aksione por blen dhe shet nisje dhe arritje të trenave në performacën “Stock Exchange” ( Bursa e aksioneve).

Në një shesh në Torino, ai ndërton qendrën për punësim të përkohshëm, i cili në realitet është një lloj skene. Apo në Romë, përpara Koloseut artisti ndërton shatërvan bronzi tetë metra të lartë, të përbërë nga duart e vendosura njëra mbi tjetrën duke i dhënë “Djersitjes” kuptimin e punës dhe shpresës së lëngëzuar.

Në Prishtinë, ekspozita e Sislej Xhafës,

” Love you without knowing” ( Të dua pa e ditur ) pati jo pak reagime. Është ekspozita e parë e artistit të njohur ndërkombëtarisht në atdheun tij. Në fakt Xhafa na jep mundësinë e të kuptuarit horizontalisht dhe vertikalisht, mundësitë e një udhëtimi. Duket se gjithçka zë fill prej jetesës së tij nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të 1990-ës.

Kuratori Jérôme Sans, e quan këtë ekspozitë: “Një udhëtim introspektiv përmes universit të tij unik. Është dashuri ndaj atdheut- brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Xhafa me subitilitet dhe konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta të cilat strukturojnë jetët tona. Karriera e Xhafës nisi që prej viteve 90-të ndaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksible për t’iu përshatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në një nivel lokal duke i krijuar ato aty për aty me njerëz të Kosovës dhe me artistin.”

Në fakt, gjendja e udhëtarit të palodhshëm, Xhafës i lejon gjithçka. Që nga dëshmitari i një kohe të dhunës globale dhe indiferentizmi deri tek emigrimi apo racizmi.

Surpriza e kësaj ekspozite, vlen të theksohet se ishin lopët. Në performancën e ndërtuar në formën e një ahuri qëndronin tetë lopë. Lopë të cilat shkaktuan jo pak reagim në Kosovë, megjithëse Sislej u shpreh se ” ishte vegjetarian”.

Por, kjo vepër arti me lopë Zvicerane në të thellën e konceptit ishte më shumë se kaq.

Gjithçka fillonte më 1999 kur zviceranët ndihmuan Kosovën me rritjen e bagëtisë së shkatërruar nga lufta, e në të njëjtën kohë të furnizonin popullatën me qumësht. Zvicra në atë kohë për këtë fushatë kishte ndarë dy milionë franga për lopët zvicerane, të cilat për në Kosovë ishin sjellë me aeroplanë.

Andaj dhe zemra e artistit prej gati 20 vjetësh rrihte që ta realizonte me Zvicrën këtë vepër arti, me vendin që i fali Kosovës 500 krerë lopë. Gati dy dekada më parë kafshët udhëtuan në drejtim të Kosovës, ndërsa tani, ai dëshironte që tetë syresh ti dërgonte në drejtim të Zvicrës. “Lopët e Kosovës do t’i takonin të afërmit e tyre në Zvicër”, ishte njëri nga shpjegimet e Xhafës, në një takim të hapur në Kosovë.

Sislej beson :Konstruktimi dhe dekonstruktimi i mitologjisë është puls universal dhe kolektiv”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 gusht 2018 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.