MENU

Mehmet Kraja

Në kafenenë e rrëfimeve

17.08.2018 - 18:00

Nëse në vitet 70-80-të jeta letrare në Prishtinë i dhuronte atmosferë tjetër qytetit, 40 vjet më vonë është e vështirë të gjesh kafenenë e shkrimtarëve. Ajo pothuajse nuk ekziston, dhe pjekja është shndërruar në takime rastësore ku njerëzit e letrave sjellin në kujtesë të shkuarën.

Gjysmë shekulli më vonë “Letërsia dhe Qyteti” një nismë që prej dy vitesh ka arritur ta kthejë letërsinë në faktor në Tiranë, mbërriti në Prishtinë për t’i rikthyer qytetit fantazmat e shkuarës.

Dy gazetaret nga Tirana, Beti Njuma e Alda Bardhyli, mbërritën në Prishtinë këtë të enjte për të nisur bisedën e parë të një cikli takimesh me autorë kosovarë i cili synon të përfshijë emra të njohur të letërsisë shqipe në Kosovë.

I pari që do të rrëfehej në kafenenë “Sonder” ishte akademiku Mehmet Kraja, romancier, tregimtar, dramaturg e publicist i sprovuar.

Ikje-ardhjet e tij mes Prishtinës e Tiranës (qytet ku ka jetuar prej 1992-1999, si gazetar) kanë qenë të shpeshta dhe rastet e bisedave publike të Z.Kraja gjithmonë të rralla e për këtë arsye edhe më të çmuara.

Me shumë peripeci por edhe idealizëm – thotë ai – kam punuar gjatë si gazetar në “Rilindje”, më vonë në Fakultetin e Arteve, e tani si anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Më lejoni t’ju them diçka: Prishtina më ka dhënë çdo gjë. Prishtinën, gjithmonë kam dashur ta shoh më mirë se ç’është, ndaj ndonjëherë kam edhe mendime kritike për të. Jo se më ka dhënë mjaft. Por dua ta shoh më mirë “.

E ndërsa shkrimet e kohëve të fundit kanë qenë tejet kritike për Kosovën, shoqërinë dhe politikën atje, e vërteta ështe se nga ana tjetër, Kraja ka bindjen se shqiptarët si në Kosovë edhe në Shqipëri kurrë s’kanë qenë më mirë se sa sot.

Në fakt, në tërësi shqiptarët nuk kanë qenë më mirë asnjëherë. Por kjo nuk do të thotë se mund të jenë më mirë nga ç’janë.

Njëfarësoj, ka të drejtë apo jo? Zakonisht në kësi rastesh, lindin edhe pyetje apo dyshime bazike si : ” Çfarë duhet të bëjmë?”

E thjeshtë, shkrimtari beson se na nevojitet vetëm pak më shumë idealizëm dhe korrektësi ndaj vetes apo idealeve.
Mbase ky lloj idealizmi është edhe shkaku i diskursit të ashpër ndonjëherë të Mehmet Krajës, bilanci letrar i të cilit është pak të thuash pozitiv; më 1974 do të ishte botimi i parë me tregime , i cili do të pasohej me plot njëmbëdhjetë romane, pesë vëllime me tregime, 3 vëllime me drama, pa përmendur këtu edhe botimet e shumta publicistike.

“Poezi nuk shkruaja dot, kështu që u mora me prozë. Vokacioni im është proza.”

Për gazetaret Bardhyli e Njuma letërsia ka qenë gjithnjë pararojë e zhvillimeve në situatën ku ndodhet Kosova andaj dhe letërsia mund të japë ndihmesën e saj.

 

Kështu jo pa qëllim , ato kanë zdhjedhur t’i nisin këto takime letrare me Mehmet Krajën; shkrimtar i njohur për kurajën e tij civile ndryshe nga pjesa tjetër e akademikëve shqiptarë.

Nga Ilnisa Agolli