MENU
klinika

Monumente kulture në Gjirokastër

Nis ndërhyrja në urën 200 vjeçare të Kordhocës

22.08.2018 - 15:29

Trarët prej lisi, në distancë nga njëri tjetri janë zhytur në shtratin e lumit dhe megjithëse kanë kaluar 200 vjet i kanë rezistuar kohës dhe lagështirës së ujit dhe ruhen në gjendje të mirë. Specialistët e monumenteve e kanë cilësuar Urën e Kordhocës mbi rrjedhën e lumit Drino në Gjirokastër si një konstruksion mjaft i çuditshëm pasi trarët janë vendosur nën këmbët e gurta, duke e bërë të ndërlikuar edhe ndërhyrjen.

kolana e librave

Është kjo arsyeja e cila ka mbajtur pezull për një kohë të gjatë projektin rehabilitues që synon përforcimin e këmbëve të urës, me qëllim parandalimin e shembjes. Sipas burimeve historike Ura e Kordhocës daton rreth viteve 1820. E ngritur në atë kohë për të lehtësuar komunikimin e karvanëve tregtarë mes Gjirokastrës dhe Janinës, kjo urë ka një gjatësi prej 20 metrash dhe një lartësi prej 7 metrash dhe cilësohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës si një objekt me vlera të rëndësishme arkitekturore.

Disa ura shumë të vjetra në Shqipëri po shkojnë drejt degradimit megjithëse ende sot e kësaj dite ato shërbejnë për të mbajtur të çelur komunikimin mes zonave. Mjaftojmë të kujtojmë se dimrin e kaluar në krahinën e Zagorisë në Gjirokastër u shemb Ura e Hoshtevës, një tjetër objekt monument kulture në të cilën nuk u arrit të ndërhyhej në kohë me gjithë paralajmërimet nga media dhe banorët për rrezikun që i kanosej urës.