MENU
klinika

Spitali Rajonal i Gjirokastrës

Nuk kanë të sosur peripecitë për dializën

28.08.2018 - 14:05

Ofrimi i dializës në spitalet rajonalë dhe jo vetëm në Tiranë presupozohet se ka lehtësuar ndjeshëm koston e trajtimit për pacientët, por nuk është kështu për 43 të sëmurët me veshka të cilët kryejnë dializën në spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër. Të mbërritur nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Saranda, shumë prej tyre ankohen për mënyrën si funksionon ky shërbim në një kohë që flitet për shëndetësi falas.

Detyrohem të nisem nga Saranda në orën 4.30 minuta të mëngjesit- thotë 47 vjecari R.M. për Konica.al. – Bileta kushton tashmë shumë më tepër sesa një vit më parë dhe mua më duhet të vi, vetë i dytë, së bashku me gruan time e cila është e papunë. Pra për 2 persona vajtje-ardhje paguajmë 12 mijë lekë” – tregon më tej ai.

Por kostoja e rritur e rrugës është vetëm njëri nga shqetësimet e të pacientëve që e kanë jetik shërbimin e dializës. Ata ankohen edhe për mungesën e medikamenteve. Secili prej tyre pohon se barnat për t’u kuruar për këtë sëmundje i gjejnë vetëm në kryeqytet. Kleanthi Gj., bashkëshortja e një pacienti që udheton nga Këlcyra për në Gjirokastër për të bërë dializën, thotë:

Kjo situatë po na rrënon ekonomikisht. Nuk mund ta përballojmë më të marrim barnat kaq shtrenjtë në spitalet e kryeqytetit. Kjo është një barrë e rëndë për mundësitë e pakta që kemi” – tregon ajo – “Pagesa prej 10 mijë lekësh që marrim si shoqerues nuk është asgjë për faktin se ne shpenzojmë gati gjithë ditën këtu, dhe na duhet të vijmë 3 herë në javë. As punën nuk e mbajmë dot kështu” – ankohet Kleanthi.

Shërbimi dializës ofrohet vetëm në spitalin e Gjirokastrës, por mjeku specialist për këtë patologji mungon. Patronazhimi në spitale për mjekët specialistë ishte nisma më nisur disa muaj më parë nga ministria e linjës, por nuk është zgjidhje përfundimtare.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dalja nga skema e ndihmës ekonomike

Punësimi, Gjirokastra kryeson, Memaliaj problematik