MENU
klinika

21 gusht 1968

Operacioni “Aeroporti”, në invazionin në Pragë

22.08.2018 - 09:14

50 vjet më parë, më 21 gusht 1968, ndodhi invazioni sovjetik mbi Republikën e Cekosllovakisë.

Një ditë më parë dy aeroplanë sovjetikë aterruan papritmas në aeroportin e Pragës me arsyetimin se kanë probleme teknike dhe po presin ndihmën të arrijë nga Bashkimi Sovjetik.

Nga këta dy aeroplanë dolën skuadra e sportistëve dhe marinarëve për të cilët u tha se ishin nisur për në Jugosllavi për të zëvendësuar skuadrën e një anijeje atje. Mysafirët e paftuar u vendosën në restoranin e aeroportit, ndërsa për disa policë cekë ata ishin të dyshimtë sepse kishin mbathur këpucë të njëjta dhe në shpinë kishin bagazh të njëjtë.

Megjithatë, fryma internacionaliste proletare nuk lejonte të dyshohej në mysafirët që kishin ardhë nga Bashkimi Sovjetik.

Udhëheqjen ceke e kishte informuar edhe një ushtarak hungarez, i cili ne telefon i kishte thënë ambasadës ceke në Budapest, se ka marrë urdhër që në orën 23 e ca minuta të jetë në kufirin me Cekosllovakinë. Me gjasë udhëheqja ceke priste invazionin të vijë përtoke nga kufiri, kur sportistët që prisnin transit ne aeroport nxorrën nga cantat e tyre maliherët dhe e morën nën kontroll aeroportin.

Dy aeroplanët kishin qenë radarë të lëvizshëm, të cilët dhanë sinjalin dhe për pak kohë në aeroport aterruan aeroplanë të tjerë nga të cilët dolën tankset sovjetike. Në pistë u pritën nga automjete të ambasadës sovjetike për të nisur invazionin mbi kryeqytetin cekosllovak Pragën.

Disa funksionarë shtetërorë e partiakë cekë menduan se shokët e tyre që lajmëruan se kanë parë tankset sovjetike në Pragë, kishin qenë të goxha të dehur.

Fatkeqësisht nuk ishte punë dehjeje. Atë natë Cekosllovakinë e përpinë 2000 tankse dhe 200,000 trupa të Traktatit të Varshavës. Invazioni sovjetik la përfundimisht pas rreth 300,000 cekë e sllovakë të cilët qenë me fat të emigronin.