MENU
klinika

Legjenda e Italisë

Paolo Maldini flet si drejtues: Rikthejmë Milanin e madh

06.08.2018 - 16:44

Paolo Maldini ka pasur shumë emocione sot para mediave, ku ka rrëfyer arsyen se përse ai vendosi të rikthehet te Milani, skuadra ku ai kaloi 25 vite të jetës së tij.

“Kurrë nuk kam JO pa biseduar më parë me ata që më kanë kërkuar. Takimi me Barbara Berlusconi nuk shkoi mirë, po ashtu edhe me pronarët kinezë, ku nuk kisha asnjë rol.

Ndërsa tani situata është ndryshe. Leonardo më tregoi projektin, bisedova me pronarët e rinj, që më shpjeguan se çfarë duan të bëjnë dhe u binda. Unë besoj te ky projekt dhe jam i lumtur që bëj pjesë në të”, – tha Maldini.

Më tej, ish-mberojtësi milanist tregon edhe se cila do të jetë më në detaje detyra e tij. “Do të merrem me ekipin e parë, më të rinjtë, me ekipet e moshave, merkato, marrëdhënien mes trajnerit dhe klubit.

Unë dhe Leonardo do të ndajmë së bashku të gjitha aspektet sportive, do të kemi të njëjtat përgjegjësi. E ndiej shumë përgjegjësinë që më ngarkohet, por edhe dëshirën që kisha për t’u rikthyer te ky ambient, që më ka dhënë gjithçka.”

Maldini rikthehet te skuadra kuqezi si pjesë e stafit të saj pas 9 vitesh. “Kam biseduar edhe me Gattuson, do të punojmë së bashku për të arritur një rezultat më të mirë se vendi i gjashtë i sezonit të kaluar”, – tha Maldini, që nuk u nda mirë me tifozët kuqezinj.

“Marrëdhëniet e mia me tifozët e Milanit janë të shkëlqyera, më duan dhe e kanë treguar gjithnjë këtë gjë. Ajo që ndodhi ditën time të lamtumirës ka mbetur aty dhe karriera ime gjykohet për atë që kam dhënë në fushë”, – u shpreh Paolo Maldini.