MENU
klinika

La Liga, Java I

Real Madrid nuk gabon në sfidën e parë

20.08.2018 - 00:10

Nuk ka shkëlqyer, por Real Madrid e ka nisur mbarë sezonin e ri të La Liga-s, duke fituar në shtëpi 2-0 ndaj Getafes, në një ndeshje ku është shënuar nga një gol për secilën pjesës.

Madrilenët vinin pas humbjes së Superkupës së Europës dhe morali nuk ishte i mirë, megjithatë, Lopetegui merr 3 pikët e para në debutimin e tij në kampionat, duke pretenduar si gjithnjë titullin kampion.

Ishte Bale ai që rrezikoi për të parën herë kundërshtare, por shtylla i mohon golin pas goditjes me kokë. Pak minuta më pas, ishte Carvajal ai që zhbllokoi rezultatin me një gol fantastik në hyrje të zonës.

Që pas atij momenti vendasit arritën ta menaxhonin shumë mirë ndeshjen falë eksperiencës së lojtarëve si Ramos apo Kroos. Pas pushimit, ishte Gareth Bale ai që dyfishoi rezultatin në minutën e 51′.

Getafe nuk arrin të tregohet e rrezikshme atëherë kur ka mundësinë të kundërsulmojë, teksa Navas, i cili ka fituar tuelin me Courtois për vendin e titullarit mes dy shtyllave, nuk është vënë thuajse asnjëherë në vështirësi.