MENU
klinika

Personazh Artistik

Roland Cenko, një jetë me isopolifoninë labe

25.08.2018 - 12:52

Gjirokastritët nuk krenohen vetëm me historinë, emrat e shquar të letrave, kulturës apo politikës që ka nxjerrë ndër shekuj, por edhe për isopolifoninë, një tjetër pasuri e mbrojtur nga UNESCO. Pasuri që mbahet gjallë nga korifenjtë e këngës polifonike, një ndër ta Roland Cenko, udhëheqësi artistik i grupit iso-polifonik “Argjiro”, që po këndon së bashku me vëllanë e tij, Kastriotin. Të tregosh për Landin, nuk mund të rrish pa u emocionuar pasi çdo gjirokastrit i ka provuar për mbi 40 vite djesitë e forta që një këngëtar i polifonisë si Rolandi ka dhuruar mbi skenën shqiptare, ballkanike e deri ne Amerikën e largët.

“Veprimtarinë time artistike si këngëtar i isopolifonisë labe, e vecanërisht i këngës tradicionale gjirokastrite, e kam nisur qysh ne 1976. Im atë, Demo Cenko ka qenë një ndër këngëtarët popullorë më tipikë të grupit të Pleqve të Gjirokastrës që së bashku me Xhevat Avdallin, ‘tundnin’ malet kur ja merrnin këngës” – tregon Cenko. Por Rolandi është i ndërgjegjshëm se të mbërrish në majat e këngës labe, duhet më shumë sesa të kesh trashëguar këtë gjë nga babai.

At e bir do të këndonin sëbashku në odan e shtëpisë, karshi sokakut të lagjes e natyrisht në gëzimet familjare. Në fillim të viteve ‘80 Rolandi do ishte një ndër këngëtarët më virtuozë te grupit “Të rinjtë e Gjirokastrës”. Sëbashku me pjesëtarët e tjerë të grupit ai e ngriti këngën isopolifonike në një nivel të lartë, duke realizuar interpretime të arrira të saj, të cilat dëgjohen edhe sot pavarësisht përmbajtjes apo teksteve të tyre të shkruara në periudhën e sistemit komunist.

“E ruaj të freskët në kujtesë, një ngjarje që ka qenë emocion i papërshkrueshëm, por njëherazi edhe ankth. I gjithë Asanmbli i Gjirokastrës shkoi ne Tiranë në vitin 1983 dhe duhet të këndonim përpara gjithë byrosë politike, ku sigurisht në krye qendronte ai, Enver Hoxha. Nuk lejohej asnjë gabim: vibrato,stonaturë apo qoftë gabimi me i vogël, këndohej për “atë”. Një tjetër arsye e fortë por edhe pozitive do të thoja ishte fakti që në krah kisha Xhevat Avdallin, gjirokastriti brilant që e njeh i madh e i vogël. Por ne dolëm në skenë, kënduam dhe u duartrokitëm nga të pranishmit”

Landi ia ka dalë mbanë ta mbajë këtë traditë gjallë edhë tek brezi i ri, ku falë përkushtimit personal ka evidentuar shkollë më shkollë, zerat e talentuar fëminorë, të cilët kanë krijuar edhe grupin e tyre “Obelisk” një tjetër simbol i qytetit muze e madje kanë marrë pjesë në mjaft eventë kulturorë ku janë vlerësuar edhe me çmime, ndërsa nipi i tij Alvaro prej kohësh është bërë pjesë e grupit “Argjiro”.

Falë kontributit të tij ndër dhe sukseve të arritura, ish-presidenti Bujar Nishani do t’i akordonte në vitin 2015 këngëtarit të polifonisë dhe grupit “Argjiro” titullin Mjeshter i Madh. E ndërsa ISO vazhdon aq sa edhe vetë zogjtë pushojnë përpara tingujve të saj, dhe interpretimit të Landit që do të shfaqet sërish në ndonjë sofër karakteristike buzë kalldrëmeve të qëtetit të gurtë.