“Statusi monument kulture” nuk e mbron Gjirokastrën nga rrënimi. Degradimin e banesave në lagjen e sipërme të qytetit mund ta konstatosh me sy të lirë, teksa nevoja për ndërhyrje për shpëtimin e tyre, po bëhet çdo ditë që kalon në heshtje, edhe më emergjente.
I pyetur nga Konica.al për masat e marra për këtë sytë, kreu i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve, Albert Kasi bën me dije se realizimi i një ndërhyrje të tillë kërkon një studim të gjerë dhe fond të posacem, të cilin ky institucion nuk e disponon. Por shqetësimi për këtë gjendje të degraduar në zonën muzeale të qytetit, apo edhe ndërtimet që kanë nisur të kryhen pa leje në këtë hapsirë, ka kaluar kufinjtë e Gjirokastrës dhe të Shqipërisë.
UNESCO ka kohë që i ka tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare, përmes raporteve të detajuara ku kërkon ndërhyrje në zonën muzeale, duke vënë në diskutim edhe qëndrimin e Gjirokastrës në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Por megjithëse ky shqetësim ka më shumë se 5 vjet që është bërë publik, në një ping-pong përgjegjësish mes pushtetit vendor dhe atij qëndror, situata është kjo që shikohet dhe në fotografitë e shkrepura rishtazi në zonën muzeale. Më shumë sesa një shqetësim i autoriteteve përgjegjëse, rreziku i shembjes së banesave është një problem edhe për vetë kalimtarët apo pronarët e shtëpive ngjitur me këto godina të rrënuara që po mbahen në “frymën e fundit”
Shoqëria civile, banorë por pse jo edhe përfaqesues të forcave politike kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për të shpëtuar atë cfarë ka mbetur prej këtyre ndërtesave, pjesë e historisë shekullore të Gjirokastrës, të cilat janë duke u shëndrruar në një gërmadhë, duke riskuar të marr me vete vlerat e qytetit të gurtë, të njohura në mbarë botën.