MENU
klinika

Largimet

Rrokada e zonjave të ekranit, Tare, Xhunga, Vasili. Ku do t’i shohim këtë sezon?

28.08.2018 - 14:41

Shtatori është në prag dhe merkato e televizioneve që bëhen gati për sezonin e ri televiziv ende nuk është mbyllur. Pas tërmetit që po shkakton me lëvizjet e shumta nga redaksitë, hapja e televizionit të ri A2 që pritet të nisë së shpejti transmetimet, vala e ndryshimeve ka prekur disa nga ekranet më të mëdha në vend.

Mësohet se Ilva Tare ka lënë përfundimisht pas shumë vitesh logon e Ora News ku drejtonte jo vetëm redaksinë e informacionit por edhe emisionin Tonight. Gazetarja e njohur, që karrierën e nisi në TVSH, u bë e njohur tek TeleNorba për të qenë më pas imazhi i informacionit edhe tek Vizion + dhe TV Klan do t’i bashkohet një projekti të ri televiziv.

Burime të besueshme pohojne se Tare do të nisë aventurën e re në krye të departamentit të lajmeve në një televizion të ri që së shpejti do të prezantohet për publikun.

Tare mësohet se do të sjellë surpriza të reja për publikun.

Gjithashtu është zyrtarizuar largimi i Eni Vasilit nga News 24. “Studio e hapur” ka mbyllur portën e bashkëpunimit me Irfan Hysenbelliun dhe sezonin e ardhshëm do ta shohim në ekranin e Top Channel. 

Nuk konfirmohet nëse Vasili do të ruajë të njëjtin format dhe logo emisioni dhe as nëse programi i saj do të jepet ditën e enjte, kur shfaqej “Të Paekspozuarit” e Ylli Rakipit.

Ndërkaq vendin e Vasilit në News 24 do ta zërë gazetarja e njohur Rudina Xhunga. Pas mbylljes së emisionit Dritare në Vizion Plus, Xhunga ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e tv për një hapësirë të re televizive.
E ndërsa beteja e ekraneve duket se është mbyllur, ajo e audiencës mbetet për t’u parë.