MENU
klinika

10% pesha në GDP

Përfitimet nga ulja e tarifave për remitancat

28.08.2018 - 11:00

Remitancat përbëjnë një nga të hyrat kryesore financiare në vendet në zhvillim, e konkretisht në Shqipëri zënë rreth 10 për qind të të ardhurave kombëtare (ndryshe, të Prodhimit të Brendshëm Bruto), apo afërsisht 1.4 miliard dollarë.

Në thuajse dy dekada të fillimshekullit të 21-të, numri i përgjithshëm i emigrantëve ndërkombëtarë ka pësuar një rritje të beftë prej 60%. Duke qenë se më shumë se 250 milion emigrantë dhe punëtorë në vendet migruese e kanë të detyrueshme t’u dërgojnë para familjeve të tyre në vendet e origjinës, nevoja për një proces dërgimi parash më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të lirë sa vjen e rritet.

Por industria e transferimit ndërkufitar të parave mbetet një sektor ngurtësisht i fragmentuar, i karakterizuar nga inefiçenca, koha e gjatë e dërgesës (me ditë të tëra) dhe pagesa të larta për shërbimin. Dhe për më tepër, me mungesë të konkurrencës së mirëfilltë. Western Union dhe tre operatorët më të mëdhenj të transferimit të parave (OTP-Operatorë të Transferimit të Parave) përbëjnë rreth 25% të vëllimeve globale të remitancave.

Pjesa e mbetur prej 75% përpunohet nga mijëra OTP të vogla dhe të mesme, të cilat janë frenuar në përpjekjet e tyre për ta ekonomizuar këtë sektor, si pasojë e kufizimeve në burime dhe vonesave në dërgim, mungesës së likuiditetit dhe ngurrimit në rritje të bankave për t’i mbështetur me shërbime këto njësi, për shkak të shpenzimeve të larta operative dhe prirjes së tyre për të shmangur humbjet në portofolet e tyre të investimeve.

Sipas Bankës Botërore, në fund të vitit 2017, remitancat e regjistruara zyrtarisht të vendeve në zhvillim do të rriteshin me pothuajse 5% nga viti i kaluar dhe do të përbënin rreth 450 miliard dollarë. Ndërsa remitancat globale, që përfshijnë edhe vendet e zhvilluara, pritej të rriteshin me pothuajse 4%, duke arritur 596 miliard dollarë.

Në vazhdën e përmirësimit të ekonomisë globale, Banka Botërore raporton se në vitin 2018 remitancat në vendet në zhvillim me të ardhura të ulëta në të mesme pritet të kenë një rritje modeste dprej 3.5 për qind, duke arritur në 466 miliard dollarë; ndërsa remitancat globale pritet të rriten me 3.4 për qind, duke shkuar në 616 miliard dollarë.

Këto shifra theksojnë rëndësinë e remitancave për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme – të hyra që kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në PBB-të e vendeve në zhvillim dhe përbëjnë 75% të remitancave gjithsej në mbarë botën.

Konkretisht në Shqipëri, vlera e remitancave arrin afërsisht shifrën 1.4 miliard dollarë, që përbën 10 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, apo të të ardhurave kombëtare.

Bill Gates, një mbështetës i rregullimit të këtij sektori, vuri në dukje në vitin 2011 se në qoftë se kostot e transaksionit për remitancat në mbarë botën do të uleshin nga një mesatare prej 10% në një mesatare prej 5%, do të zhbllokoheshin 15 miliard dollarë në vit për vendet në zhvillim.

Tarifat maksimale dhe minimale të kompanive kryesore të transferimit të parave që operojnë në Shqipëri janë midis 12% dhe 4%, për shuma transfertash që variojnë respektivisht nga 100 deri në 9000 dollarë). Duke mesatarizuar përqindjen e tarifës së transferimit (pra, 8 për qind), afërsisht 110 milion dollarë u kushtojnë shqiptarëve këto transaksione

Nëse këto tarifa do të përgjysmoheshin në Shqipëri, sipas parashikimit të Bill Gates – nga 8% në 4%, shqiptarët do të pasuroheshin me 55 milion dollarë.

Çështjet e ekonomisë së shkallës kanë penguar OTP-të e vogla të konkurrojnë me “Katër Gjigantet” e sektorit. Kjo mungesë e konkurrencës dhe pamundësia e vazhdueshme për t’i sfiduar OTP-të e mëdha janë drejtpërdrejt përgjegjëse për vlerën e lartë të tarifave të dërgesave të emigrantëve, rreth 8% – një nivel i padrejtë, i cili ndikon negativisht në miliona emigrantë që duhet të dërgojnë para në shtëpi për të mbështetur familjet e tyre.

Si do të mund të zvogëloheshin këto pagesa?

Fuqizimi i OTP-ve të vogla do të ishte njëra nga përgjigjet. Por si mund të arrihet kjo?

Rrjeti ZED (një platformë që ndërlidh OTP-të botërisht) sugjeron: Në mënyrë që OTP-të të jenë në gjendje të kapërcejnë këto pengesa dhe të rriten, ato kanë nevojë për një sistem lehtësisht të integrueshëm për pagesat globale, që do të reduktonte joefikasitetin, kostot dhe tarifat e transaksionit – duke mbetur në përputhje me rregulloret e KYC (Know Your Customer- Njih Klientin Tënd) dhe AML (Anti-Money Laundering – Kundër pastrimit të Parave). Kjo është arsyeja pse Rrjeti ZED beson se OTP-të e vogla dhe të mesme duhet të miratojnë një teknologji të tillë të ruajtjes së të dhënave (në bllok apo të shpërndarë), e cila do të shërbejë për të rritur transparencën, shpejtësinë dhe pajtueshmërinë me rregulloret, duke reduktuar tarifat e remitancave për përdoruesin përfundimtar. Pa këtë adoptim, OTP-të e vogla dhe të mesme do të jenë të padobishme për tregun.

Burimi i të dhënave:

1. INSTAT-Instituti i Statistikave

2. Banka Botërore

3. World Economic Forum

Përgatiti: M.G