MENU
klinika

Prezantimi i fanellave

Sezon i ri, Tirana me uniforma të reja (Foto)

17.08.2018 - 12:02

Nuk është vetëm modë, por e kushtëzuar edhe nga marketingu. Sezon i ri, uniforma të reja. Eshtë një rregull i pashkruar ky në futboll, ndaj nuk mund të bënte përjashtim edhe Tirana.

Klubi më i titulluar i futbollit në Shqipëri rikthehet në Superiore, pas një viti migrim në Kategorinë e Parë, diçka që nuk e kishte provuar kurrë. Ringritja ka filluar që andej, me trajnerin Ze Maria, ndërkohë që kësaj vere grupi bardheblu është konsoliduar me përforcime të konsiderueshme, në emër të “Tiranës Superiore”.

Një ditë para ndeshjes së javës së parë të kampionatit të 80-të kombëtar të futbollit, Tirana ka prezantuar fanellat e reja për sezonin në vazhdim.

Fanella e parë mbetet me ngjyrat tradicionale, bardhë e blu, por me disa ndryshime të vogla (shiritat që ndërpriten në pjesën e kraharorit), që e bëjnë disi më të veçantë.

Uniforma e re do të debutojë në sfidën e shtëpisë me Kamzën, në javën e parë të Superiores. Duket pak a shumë një ndeshje derbi, që do të luhet në orën 19:45, në stadiumin “Qemal Stafa”.

Mbetet për t’u parë prania e tifozërisë bardheblu, e cila vijon e distancuar nga klubi, më saktë me drejtuesit, me në krye presidentin Refik Halili. Nuk dihet ende nëse do të vijojnë bojkotin, apo do të jenë në ndeshje të veçanta të bashkuar për ngjyrat bardheblu.