Sezoni turistik do dhe 2 javë të përfundojë megjithatë bilanci i derimëtanishëm i efektivëve të rrugores tregon se patrullimi intensiv në akset problematike si Shkodër-Velipojë, Shkodër Hani i Hotit apo Shkodër- Lezhë, ka dhënë rezultate pozitive. Nga 1 qershori e deri më sot janë regjistruar 13 aksidente, me 5 persona të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku u vërejt një numër i dyfishuar aksidentesh, në sezonin e sivjetshëm duket se do të kemi një tjetër panoramë. Shpejtësia tej normave të lejuara dhe mungesa e ndriçimit duket se janë shkaqet që mbizotërojnë në rastet me bilancin më tragjik të aksidenteve.
10 Qershor
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri është regjistruar në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin quajtur “Instituti i Misrit”. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i vdekur shtetasi Besnik Beci 53 vjeç dhe është dëmtuar rëndë bashkëshortja e tij Alketa Beci 44 vjeçe, të cilët po udhëtonin në këmbë. Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin e rëndë shtetasi Gj. T 49 vjeç në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes është përplasur me një mur pak metër më larg. Shkak i aksidentit të dyfishtë, sipas ekspertëve të policisë rrugore, ka qënë shpejtësia e madhe e automjetit dhe mungesa e ndriçimit në rrugë.
24 Qershor
6 persona mbetën të plagosur pas përplasjes së dy automjeteve ne aksin Shkodër – Vau i Dejës, në afërsi të fshatit Rrenc. Të lënduarit, të gjithë pjestarë të së njëjtës familje ishin jashtë rrezikut për jetën, por vajza 17 vjeçare me inicialet L.N pësoi demtime të rënda fizike. Sipas policisë dy automjetet po lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe sipas tyre kjo shkelje është bërë shkak i aksidentit.
28 Qershor
Një automjet është përplasur me një motoçikletë fare pranë komisariatit të policisë në fshatin Barbullush, në Shkodër. Për pasojë drejtuesi i motorçikletës mori plagë të rënda, por pas ndihmes së bluzave të bardha të spitalit të Shkodrës, gjendja e tij është normalizuar. Edhe në këtë aksident shkak është bërë shpejtësia e madhe dhe parakalimi i gabuar i drejtuesit të motorçikletës.
4 Korrik
Dy furgona mallrash u aksidentuan në aksin Lezhë – Shkodër, në vendin e quajtur kryqëzimi i Dajçit. Dy drejtuesit e mjetit mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas ekspertëve të policise rrugore në këtë aksident shkak është bëre parakalimi i gabuar i një prej automjeteve.
12 Korrik
Një 32-vjeçar u aksidentua teksa po levizte me motorin e tij në rrugën e Qafë-Malit në Bashkinë Fushë-Arrëz. Shtetasi Artan Marku është përplasur nga një automjet ku si pasojë e goditjes së fortë , 32-vjeçari pësoi dëmtime të rënda ndaj dhe u transportua me helikopter për trajtim më të specializuar në Tiranë, ku gjendja e tij u normalizua. Në të njëjtën ditë u rregjistrua dhe një tjetër aksident në shkollën “Ndre Mjedia” në Shkodër ku një automjet tip mercedez përplasi një mottor duke plagosur drejtuesin e këtij të fundit. I lënduar mbeti edhe pasagjeri që po udhëtonte me mjetin tip Mercedez Benz. Policia raportoi se shkak i aksidentit ishte moszbatimi i rregullores në kryqëzim.
2 Gusht
Një shtetas ka humbur jeten për shkak se u përplas nga një automjet në aksin Shkodër – Koplik, në zonën e njohur si “Shtoj”. Një makinë e tipit “Benz” me targa SH 6616 D goditi për vdekje këmbësorin i cili po tentonte të kalonte rrugën. Për shkak të përplasjes së fuqishme, shtetasi në fjaleë humbi menjëherë jetën. Shkak për këtë aksident është bërë mungesa e ndriçimit gjatë gjithë këtij aksi, që e ka penguar drejtuesin e mjetit të dallojë këmbësorin kur i ka prerë rrugën.
8 Gusht
Një aksident i rëndë me tre të plagosur ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koman, ku një furgon ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Tre personat të identifikuar si Ilir Shpendi, Klejdi Shehu dhe Armend Lalodhari punonjës në Hidroncetralin e Komanit u plagosën rëndë. Shkak për këtë aksident është bërë rruga tejet e degraduar dhe me gropa.
9 Gusht
Një 27-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është përplasur nga një makinë ndërsa po lëvizte me motoçikletë. Ngjarja ka ndodhur tek kryqëzimi i fshatit Shtoj i Vjetër, ndërsa policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin. Sipas ekspertëve të rrugores, shkak i këtij aksidenti është bërë shpejtësia tej normave të lejuara.
11 Gusht
Një i ri humbi jetën në aksin Pukë- Shkodër, në vendin e njohur si ‘Kthesa e Gomsiqes’. Sipas policisë, shkak për humbjen e kontrollit të vinçit është bërë sistemi i frenimit, i cili nuk ka funksionuar.
13 Gusht
Një aksident është regjistruar në vendin e quajtur “Ura e Gjo Lulit” në aksin rrugor Shkodër – Velipojë, ku janë përfshirë dy automjete tip Benz. Përplasja ka qenë e fortë, por fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish. Shpejtësia e madhe e njërit prej mjeteve është bërë shkak i kësaj përplasje.