20 vjet që nga lindja e Superkupës Europiane, këtë trofe e diskutojnë dy ekipe, fituesi i Champions-it dhe “Europa League”.
Dhe do të fitojë një ekip spanjoll, siç ka ndodhur në tetë nga nëntë sezonet e fundit. Gjithçka do të luhet në kryeqytetin e Estonisë.
Nuk ka vitrinë më të mirë për La Liga-n. Për herë të parë në këtë format, dy kampionë europianë nga i njëjti qytet, Madridi, po kërkojnë titullin kontinental.
Qielli i Talinit do të jetë “mbulesë” për duelin mes Real dhe Atletico, në “aktin” e tretë të një serie finalesh të paharrueshme, asaj të Lisbonës 2014 dhe Milanos 2016, që do të vazhdojë në një masë më të vogël sonte (ora 21:00) në zonën e vogël të “A. Le Coq Arena” (9.652 spektatorë).
Rivaliteti historik midis dy klubeve, një e kaluar e plotë e fundit e betejave të mëdha dhe joshja për të fituar (super)titullin e Europës kthehet në lojë.
Bëhet fjalë ende për futbollin e verës, loja e parë e madhe pas Kupës së Botës në Rusi. Kjo është premiera zyrtare e Julen Lopetegui në stolin e Real Madridit, një debutim i ndërlikuar për ish-trajnerin e Spanjës nga kundërshtari Diego Simeone, por dhe nga hija e paraardhësit të tij, Zidane.
Është gjithashtu fillimi i epokës së pas Cristiano Ronaldos, plot pasiguri për shkak të vrimës së zezë të humbjes së “fabrikës” së pashtershme të prodhimit të golave.
Goditjet e Atlético Madrid në merkaton e kësaj vere e kanë rritur entuziazmin e tifozëve të tij. Rodri, Lemar, Gelson, Kaliniç dhe Arias… Edhe rinovimi i Griezmann mund të konsiderohet si i tillë. Vazhdimësia e Oblak, një tjetër “gol” i madh.
Sidoqoftë, Diego Simeone ka udhëhequr një fushatë parasezonale të vështirë për shkak të efekteve të Botërorit.
Lojtarët, pas angazhimit me kombëtaret respektive në “Rusia 2018”, kishin të drejtën për më shumë pushime.
Kësisoji, pikat e referimit tek Atletico Madrid i janë bashkuar me vonesë ekipit, ndaj nuk e kanë ritmin e duhur. Fjala vjen, Griezmann akumulon vetëm shtatë stërvitje, pothuajse të njëjta sa Modric.
Real Madridi, i cili nuk e humb një finale ndërkombëtare që nga viti 2000 (Intercontinental, kundër Boca, 1-2), ka pasur më shumë kohë në dispozicion për lojtarët e vet, që ushqejnë formacionin titullar.
Lopetegui do të paraqesë një 11-she pa asnjë blerje të re, por me një hendek të madh, që mban emrin e Cristiano Ronaldos. Vendin e portugezit do ta zërë Asensio.
Portieri Courtois do të presë që të debutojë, Odrizola është i dëmtuar. Një fitore do të ndikojë në qasjen e mëtejshme, sepse lista e pagave është e frikshme, madje edhe pa yllin portugez.
Disfata mund të ndryshojë pamjen në lidhje me një merkato që prodhon refuzim nga kufizimi i lojtarëve me vlera në qarkullim dhe çmimet e tepruara. Pyetja është: Kush do ta marrë lidershipin e Ronaldos? Bale e ka përgjigjen…
Real Madridi, i cili ka fituar tri nga katër Superkupat e fundit, po kërkon titullin e pestë dhe të barazojë Barçën e Milanin në këtë drejtim.
Për Atlético Madrid do të ishte Superkupa e tretë, e dyta me trajner Simeone. Ka gjithmonë llogari të papaguara në një derbi. Nuk mund të jetë vetëm një.