MENU
klinika

Aromë 'Gucci'

Të gjithë në treg për veshje firmato

26.08.2018 - 11:54

Në hyrje – daljet e shumta të tregut mund të dallosh mirë thirrjet e vakëta të tregtarëve që të ftojnë me përtim e dëshirë të ftohtë për te dyqani i tyre. Ndonjëherë të shikojnë sikur je i njerkës, ndonjëherë nuk të shohin fare, u intereson vetëm leku. Në shumë raste tregtarët të shohin ftohtë, indiferentë, në pak raste të mirësjellur.

Ndonjëherë nuk të flasin fare, ose të flasin me prepotencë. Shikojnë si dikur Nastradinin, “binishin” e tij. Sikur janë psikologë vetëm për xhepat e vizitorëve. Raporti i tregtarëve të sjellshëm me ata që janë të ftohtë, është në përjesëtim të zhdrejtë.

Në qoftë se futesh në tregjet e Turqisë, sheh se tregtari atje është si një grua nikoqire, të bën ta ndjekësh dhe t’i blesh me pahir, di të të ftojë e të të përcjellë. Në Shqipëri tregtarët dinë të të përcjellin më mirë se të të ftojnë.

Strategjia e klientit mund të jetë e leverdisshme, në qoftë se i gjen ‘midenë’ tregtarit për një ulje më të madhe të mallit, gjë që tregtari e ka zanat.

Në çfarëdolloj ekonomie, tregtari bën pak ‘pisllëk’, këtu bën ‘pisllëk’, madje e pranon edhe vetë që e bën. Kjo do të thotë se tregtari ka rënë në dëshpërim. Ai është njeri si gjithë të tjerët që do kushte dhe rrethana për biznes dhe punë normale. Këto i mungojnë, ose i pengohen siç është parë nga politikat ekonomike.

Nën zë dëgjon se tregu është fotokopjo e tregut të ‘Çamëve’. Kur shkon te tregu i ‘Çamëve’, dëgjon se tregu i madh i ‘Medresesë’ është fotokopje e tij. Njëri thotë “më ka marrë mallin”, tjetri thotë “është mall i dobët”. Të dy me të njëjtën mall hedhin romuze, po nuk ulin çmimin.

Më shumë se tregtarët tanë, çmimet i kanë në dorë dy “mbretëritë”, Kina dhe Turqia që luajnë me çmimet, si me zare tavllash.

Kurse të dy tregjet ankohen se dyqanet e luksit nëpër Tiranë janë fotokopje mallrash të Çamëve dhe Medresesë. Ky imitim dhe bollëk të befason.

Si dikur si ‘të shtëpisë së fëmijës’, edhe sot ky imitim të sjell ndër mend kohën e monizmit në shabllonizëm estetik, të veshur bukur, të gjithë njësoj, ushtri e betuar për të mbrojtur komunizmin, e sot ushtri e tërë delesh mode në radhë për të vënë këmborë ‘’Versaçeje’’.

Futesh i freskët dhe del i lodhur nga një treg ku të mbushet veç syri, por jo mendja.
Futesh shqiptar dhe del kinez i turqizuar shqiptarisht ku lëkura mund të mbaje dhe emrin “Aromë Gucci”.

Ne jemi modernizuar firmato…!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Mundësi e dytë deri me 20 nëntor, më pas...”

Tatimet “piketojnë” bizneset me risk për pagat

Në 5 vite rindërtim, kostoja 920 mln €

‘Shkundja’ e tërmetit ende pasoja në buxhet!

"Do përballen me gjoba nëse nuk i deklarojnë deri më..."

Tatimet: 37 mijë biznese me risk për nëndeklarim pagash