MENU
klinika

Vështirësitë dhe avantazhet

Të rinjtë e botës në 7 grafiqe

21.08.2018 - 17:29

Çdo vit, më 12 gusht, Kombet e Bashkuara festojnë Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Është një shans për të njohur potencialin e të rinjve për të ndryshuar botën për të mirë, dhe për të nxjerrë në pah sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen.
Këtu janë shtatë gjëra që ju duhet të dini për të rinjtë sot.

1. Janë të shumtë në numër
Katër në 10 njerëz, pra 42% e popullsisë globale, janë nën moshën 25 vjeç.
Ndërkohë që në shumicën e zonave të botës popujt po zvogëlohen ose treten, në Azinë Jugore dhe Afrikën Subsahariane ata po shtohen. Pothuajse gjysma e të rinjve në botë jetojnë në Afrikën Subsahariane.

2. Më shumë prej tyre jetojnë në zona lufte se kurrë

Përqindja e fëmijëve që jetojnë në një zonë konflikti është rritur me më shumë se 75% që nga vitet 1990. Dhe kjo është përkundër një reduktimi të përgjithshëm të konflikteve.
Në vitin 1990, kishte 66 vende në konflikt dhe 200 milion fëmijë që jetonin në zonat e prekura.
Në vitin 2016, kjo shifër u rrit në 357 milion fëmijë, ndërsa numri i vendeve në konflikt ishte zvogëluar në 52.
Siria, Afganistani dhe Somalia janë ndër vendet më të këqija për fëmijët për shkak të konflikteve të tyre të vazhdueshme. Janë larg nga të qenët strehim i sigurt për fëmijët; shkollat dhe spitalet shpesh bëhen objektiva konfliktesh.

3. Shumë prej tyre nuk shkojnë në shkollë

Në vitin 2016, 263 milion fëmijë ishin pa shkollë, sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s (UIS).
Totali përfshin 63 milion fëmijë të moshës së shkollës fillore, 61 milion adoleshentë të moshës së shkollës tetëvjeçare dhe 139 milion të rinj të moshës së shkollës së mesme.
Shumë nga këta fëmijë janë jashtë shkolle për shkak të konfliktit. Sipas UNHCR, mbi gjysma e refugjatëve në botë janë fëmijë.

4. Nuk ka punë të mjaftueshme për ta

Ndërmjet viteve 1997 dhe 2017, popullsia e të rinjve u rrit me 139 milion, ndërsa fuqia punëtore e të rinjve u tkurr me 35 milion.
Rreth 70.9 milion të rinj ishin të papunë në nivel global në vitin 2017. Ndërsa ky numër është në përmirësim për vitin 2009, kur 76.7 milion ishin të papunë, papunësia e të rinjve po rritet përsëri.
Megjithatë, ka arsye për të qenë optimistë. Ka mjaft dëshmi që sugjerojnë se të rinjtë janë të përgatitur për përparimet e shpejta teknologjike që po ndryshojnë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë.

5. Mbi 50% e tyre përdor internetin

Qasja në internet është një faktor kritik në heqjen e popullsisë nga varfëria dhe sigurimi i rritjes ekonomike dhe mbrothësisë.

Në të gjithë botën, të rinjtë në moshën 18 dhe 36 vjeç përdorin internetin më shumë se gjeneratat e vjetra. Në disa raste, të tilla si Filipinet, Tunizia dhe Vietnami, është 50% ose më shumë.
6. Janë optimistë për të ardhmen e punës

Rritja e përdorimit të internetit te të rinjtë është një lajm i mirë, sepse në të ardhmen puna do të varet shumë nga teknologjia.
Pothuajse dy të tretat (65%) e fëmijëve që hyjnë në shkollat fillore sot do të përfundojnë në një punë që ende nuk ekziston.
Teknologjia do të jetë në qendër të shumicës së vendeve të punës së të nesërmes, dhe informatika dhe aftësitë e avancuara teknologjike, siç është njohja e inteligjencës artificiale, do të kërkohen shumë shpejt.
Larg nga frika nga një e ardhme e pasigurt, shumica e të rinjve janë optimistë për ndikimin e teknologjisë dhe risive.
Sipas Studimit të Global Shapers të Forumit Ekonomik Botëror, 78.6% mendojnë se teknologjia është “krijimi” në krahasim me “shkatërrimi” i punëve (21.4%).
Përveç kësaj, ata janë të prirur të jenë pjesë e botës së re të punës. Ata mendojnë se të kesh një “ekosistem nisës” dhe “sipërmarrje” janë çelësat për t’u dhënë të rinjve një të ardhme.

7. Ata vërtet interesohen për botën rreth tyre

Millenialët – ata të lindur midis viteve tetëdhjetë, por para vitit 2000 – mendojnë se ndryshimet klimatike dhe konflikti janë çështjet më kritike me të cilat ballafaqohet bota.
Përveç kësaj, gati të gjithë besojnë se ne jemi përgjegjës për ndryshimet klimatike.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë feston idenë se të rinjtë mbajnë çelësin për të ardhmen. Por sipas Global Survey Shapers, të rinjtë ndiejnë se zërat e tyre nuk po dëgjohen.

Burimi: World Economic Forum