MENU

Dialogu Kosovë-Serbi

Thaçi dhe Vuçiç takohen më 7 shtator në Bruksel

25.08.2018 - 15:54

Në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi “në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve”, takimi mes Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të mbahet më 7 shtator.

Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë do të vazhdojë diskutimet me dy presidentët rreth marrëveshjes së gjithmbarshme të normalizimit në drejtim të arritjes së progresit konkret, marrë parasysh prioritetin e dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe perspektivën europiane të rajonit”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Mogherinit.

Takimi pritet të shënojë një hap të ri në kërkim të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe mbahet në një periudhë kur janë ngritur debatet që përfshijnë idetë për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës.