MENU
klinika

Perandori e rrëzuar

‘Tregu i Gabit’, sanduiç i tregjeve përkarshi

21.08.2018 - 13:43

I mbivendosur si kanguri së ëmës, tregu i ri i gabit në tregun ushqimor tek ish uzina Dinamo, ka marrë një sërë karakteristikash të tjera nga tregu i mëparshëm i gabit perandorak. Ambientet janë të zgjeruara, vendi duket i shtuar, tendat janë të mbushura, të sistemuara bukur. Nuk ka më rrugë të pashtruara, tenda të vendosura keq, zhurma bajate, tellallët e kanë ulur zërin e tyre, nuk shurdhohesh më. Nuk të bëhen këpucët zhul me baltë nëpër rrugicat për te stendat, nuk ke merak se mos të njeh ndonjë e të bën reklamë për keq. Mban erë aromë qetësie.

Problem i kësaj situate është vetë kjo situatë, kjo qetësi, kjo duket qetësi vrasëse. Në pamje të parë të duket pak si ndryshe nga dikur kur me ato ecejaket zhgarravitëse të orientimit në turmat e njerëzve, se mos pengoje apo të pengonte njeri në ecje dhe në shikime zhuriteshe në çdo stendë, tashmë hapësira ka sy të bollshëm, ti je mbret të bredhësh në një ish perandori të tërë rrobash të vjetra.

Puna e rëndë do gegë, puna e gabit do gra. Që të kontrollosh veshmbathjet e tregut të Gabit duhet të kesh në radhë të parë durim të çeliktë përzgjedhjeje, do nge po do dhe sy estetik. Radhët e shumta të veshjeve të kundërmimit karakteristik të gabit duan milingona në formë grash që turren në zërin e njëra- tjetrës për një blerje të zgjuar. Edhe blejnë edhe argëtohen. Është provuar se edhe punëtorët rendimentin më të madh të tyre e japin kur bisedojnë hallet e njëri-tjetrit. Nuk hyn në punë burri, burrat janë ‘namusëzë’, shikojnë shtrembër rrobat e shumta që duhet të përzgjedhin, nuk denjojnë ta ulin kokën në batarenë e vjetër të rrobave firmato duke zhgërruer duart deri në llërë. Ashtu si kolonjarët burrat, edhe kur flejnë duan të rrinë këmbë mbi këmbë. Nuk ulet nuri aq kollaj.
Fjala firmato nuk do të thotë asgjë në vetvete dhe gjithçka për tregun e gabit. Nën petkun e fjalës firmato gabi u bë perandori në treg dhe sfidoi një shtet të tërë me politikat e tij për ekonominë e tregut. Strategjia e dytë ishte çmimi i ulët.

Gjëja e parë që të vjen në mend kur sheh ambientin e ri të gabit është dështimi. Si të gjitha tregjet ka shumë produkt dhe njëjtësim të produkteve. Por nga e kundërta e të gjitha tregjeve ka shumë më pak blerës.
Në kontradiksion me veten ka qetësi, më pak zhurmë, më pak kaos, më pak panik, më pak gëzime të shfrenuara, më pak fëmijë që qeshin, romuze, këngë, vjersha, këndime, një gotë raki në buzët e romit, një e bërtitur, më pak ulëritje spontane, qeshjet e tyre. Ndëjtja deri në orën 12 dhe me vrap që ta mbyllin. Jo jo, tashmë është qetësi, qetësi e reklamuar.

Vetëm një çezmë që sjell ujë pothuajse të vakët për gushtin funksionon për të gëzuar ndonjë fëmijë që vjen lart e poshtë dhe ngritur ritmin. Sheh shikime tregëtarësh të mbullura brenda tendës, tregëtarë që flejnë mbi rroba, tellallë të mekur, një të marrë që del në mes të rrugës dhe përsërit magjinë e tij të markës së vet, ‘’U ul malli në 5 000 lekë, ejani!’’. Është ‘i fundit i Mohikanëve’ që bërtet dhe është jo i etnisë rome, është i gëzuar se është i vetmi dhe përsëri bërtet, po pa shumësi njerëzish të ngatërruar në mes vetes dhe mes rruge, duke i thënë më fal për shkeljen e ndonjërit padashje. Kjo ‘varrezë’ tashmë e ka emrin tregu i gabit.

Më tutje futesh në botën e çmimit ku gabistët janë mjeshtra të përpunimit të marketingut. Kostoja e çmimeve është rritur pak, mbase falë qirave, por mund të gjesh në kërkim e sipër edhe produkte të shumta me mall të ulët, por të vjetëruara.
Në qoftë se më parë të duhej një sy jo i mprehtë për të parë veshmbathje të bukura, të sojme, lale-lulesh, të lira dhe të domosdoshme, komode, tani syri duhet të jetë shumë i stërvitur, i mprehtë për të dalluar një mall që vlen. Më parë të vriste sytë e vlefshmja, e vlefshmja dhe e dobishme ishte bërë bajate.
Kjo do të thotë se malli tani nuk plotëson dëshirën për blerje. Duket sikur bie brenda dhe ngelesh në pus, nuk është më vorbull uji siç ishte dikur, futeshe në fillim të tregut dhe pa e ndier se ishe ti vetë, si në filma me metrazh të shkurtër, përfundoje në fund të tregut me shumëllojshmëri produktesh të lira, po aq sa dhe të vlefshme.

Gjëja tjetër që të bën përshtypje është se dhe gratë po shterrojnë. Mbase madhësia e vret cilësinë. Ashtu si shumë informacion e vret informacionin, edhe shumë madhësi e vret vetveten, por dhe shumë mall e vret mallin e saktë.
Mbase duhen hapësira të ngushta për blerës të zgjuar, mbase është larg rrugës kryesore. Dikur gratë pinin kafe afër shtëpisë së tyre, bënin pazarin në lagje, hidhnin dhe sy e vesh e llërë nga gabi dhe ktheheshin po në lagje, afër shtëpisë së tyre. Tani ai është shumë larg nga lagjet e dikurshme.
Pak më sipër, te tregu ushqimor gëlon njerëzia, gumëzhin si dikur nxënësit e shkollave në pushimin e madh të tyre, këtu sikur drejtori po bën mbledhje mësuesish.
Tregu i gabit vazhdon akoma me karakteristikat e tij të reklamimit të mallit, të uljes së çmimeve, të disa produkteve bazë të stinës dhe çuditërisht vazhdon dhe shtohet qetësia.

Nga ana tjetër ngado në qytet lum atletesh, lum pantallonash, bluzash, këpucësh, xhingla-mingla, veshmbathje të tjera, bizhush të vjetra të njësojta në kategori si dhe tregu i madh i Medresesë, dyqaneve nëpër lagje dhe supermarketeve gjigande si TEG të prodhimeve Kineze, Vietnameze, Turke etj. Të gjithë këta janë presion i shtuar në kurriz të tregut të gabit. Presioni i çmimit duket sikur bën të sajën, konkurrenca luan rol, por jo jo, në vend tjetër fle lepuri.
Nga një anë produket e përdorura vlejnë për origjinalitetin e tyre, por nga ana tjetër janë të përdorura dhe e kanë humbur efikasitetin e tyre. Lumi i atleteve varion nga 5 000 lekë të vjetra në 70 000 lekë të vjetra, por më tepër i gjen te afro 15 mijë lekë të vjetra, pothuajse e njëjta gjë si te tregu i Medresesë. Pantallonat e njëjta gjë deri tek 15 mijë lekë të mirat fare.

Tregu i përgjthshëm i Tiranës është tejngopur me mall. Nëpër dyqane të qytetit të Tiranës, me sy shitësish të ulur, shikon taktikën e re të marketingut për të shitur ‘’I gjithë malli likujdohet’’, ‘’Dyqani mbyllet’’. Kush do digjet nga kjo shumësi e ka për kismet. Njësoj si Gabi edhe këto dyqane bien në qetësi, gjithë ditën më shumë sheh shitëse në formë pastruesesh ambienti të brendshëm dhe të jashtëm, sesa pastruese në formë shitësesh për ngutje blerjesh në dyqan. Atletet po shtohen si të papunët e Tiranës.

Po të jesh edhe më tepër se çdo ti i vëmendshëm shikon se te shumica e tregjeve i ngjiten një lagjeje, një pozicioni strategjik. Farmacitë janë të gjitha tek spitali universitar ‘’Nënë Tereza’’, mekanikët më parë vendoseshin të gjithë te lagjia Ali Demi ose rrugës për Kombinat, byrektoret janë të gjitha në qendrat ku ka shumë lëvizje, fotokopjot i gjen në shumësi në ambiente shkollash publike. Ky përqëndrim i shumësisë së malleve e varros vetë mallin. Stoku mbretëron, tregëtari skllav i tij.

Në qoftë se do ishte nën presionin e ekonomisë së lirë të tregut me mekanizmin e kërkesë-ofertës malli do xhironte shumë më shpejt, njerëzit do të ishin më të gëzuar, tellallët do të bërtisnin fort për stimulim, njerëzit do të shkonin më të interesuar, nuk do të pikonte por do të rridhte, në fakt nuk po rrjedh, por po pikon. Në mos do rrjedhë do pikojë, po pika-pika nuk bëhet perandori si dikur gabi. Ku është problemi këtu?

Për një sërë arsyesh kërkesa po bëhet shumë e vogël, klientët po vijnë më pak, oferta qëndron e lartë dhe e njëjtë, gratë nuk po shumëzohen si bletët punëtore, ka dialogje të heshtura në sytë e tregëtarëve, njerëzit më të paktë shkasin nga një tendë në tjetrën më shpejt, oferta po ngrihet në çmime më të larta, stoqet po shtohen, klientët po pakësohen, ‘’dora e padukshme’’ ka nxjerrë krahun e po ulerët , thotë ja ku jam e se dëgjon kush.

Banka Botërore thotë se tregjet e vogla janë nën presion, po shteron gëzimi, po gënjehen fytyrat me bollëk skarciteti. Oferta është e dalë mode, kërkesa po luan me të, konkurrenca është prishur. Të gjithë në këtë lumë për t’u mbytur, kush di not mirë do t’ia dalë në breg. Të tjerët, Zoti për të gjithë secili për vete. Bisneseve të vogla i bëhen presion nga bisneset e mëdhaja dhe bisneset e mëdhaja presion nga mekanizma politikë apo të huaj. Shtoji dhe taksë e detyrime me dreq e të bir bëhet viçi sa një thelë kaposhi.

Mekanizmi duhet të fillojë nga orientimi i kërkesë-ofertës që ndodhet tek shteti, por shteti vazhdon në teorinë e liberalizmit klasik në ekonomi në kohën kur gëlon nga të gjitha anët dëshira për liberalizëm modern me mekanizma të rregullatorit të shtetit. Konkurrenca e lirë dhe mosndërhyrja e shtetit ka filluar që në 1990 të prishet nga mekanizmat e ndërhyrjeve politike dhe ekonomike të fuqishme monopoliste që spostojnë tregun e vogël, Banka Botërore bërtet por a dëgjojmë ne?!

Në rastin konkret oferta është shumë e madhe, por kërkesa është shumë e vogël. Një person mund të blejë maksimumi 3 atlete, po gabi përllogarit në stokun e tij 6 atlete për person. E gjithë Tirana mund të mbajë 30 atlete për person. Dikur kishe mall të ishe i veshur, ajo mungonte, sot ke mall të kesh gjërat brenda ekonomisë familjare se janë shumë të shtrenjta dhe jo cilësore. Fitimi maksimal me kosto sa më të ulët e ka shkatërruar filozofinë ekonomike shqiptare që duhet për të filluar një kulturë kapitaliste të përgjegjshme për veten, këtë e zbatonte vetëm romi.

Romët pa dajre e muzikë, pa kaos nuk mund të mbijetojnë dot. Pikërisht kjo nuk po funksionon, romët po flejnë nën shikime dhe lutje për një blerje më tëpër. Ata nuk janë më të gjallëruar, mallin e kanë të madh, po fytyrat po bëhen më serioze, kostoja për të vajtur gjer tek tregu Dinamo shtohet, me blerjet varet dhe mbyllja e tregjeve.

Për karshi tyre ka treg tjetër që shesin përsëri atlete, këpucë të reja, bluza, xhingla –mingla shumëngjyrëshe, edhe aty qetësi vrasëse, sikur kopjojnë gabistët.
Lum oferte e njëjtë. Atletë kine dhe turke për gjithë popullin shqiptar, të reja, të bukura, përballë atleteve firmato të përdorura për gjithë popullin ballkanas dhe përkundruall atleteve japoneze të vietnamizuara shqiptarisht në të gjitha dyqanet, tregjet e tjera për gjithë Europën bashkë me nënshtetasit e Amerikës në një xhungël të quajtur Tiranë.

 

Ku vallë do të shkojmë me gjithë këto atlete, xhinse?! Kur do të mësojmë se në ekonominë e tregut duhet, aq mall, sa orienton kërkesa dhe ajo është indikatori i blerjeve dhe i harmonisë së gjithë ekonomisë shqiptare. Kur do mësojmë mos të gënjehemi me dru me pre dhe lugë të zbrazur.

Rënia e kësaj perandorie është kushtrim për gjithë tregjet e tjera. Klithmë që do shtet për strategji. Ra gabi, bie dhe ekonomia shqiptare. Po a kemi shtet që orienton ekonomi të lirë të tregut?! Mos vallë jemi në kapitaliazmin e hershëm ku njeriu ishte ujk dhe vriste për nder e për një dyshkë?!

Ku do përfundojmë me këtë model, 1 shekull prapa me botën e zhvilluar?! A duhet një ideologji e re për një ekonomi që po vetvritet si gratë e Sulit dikur nëpër humnerë, a dimë ne të orientojjmë ekonomi. Na janë zënë sytë, nuk ndiejmë më aroma, nuk dëgjojmë se shumë bërtasim, nuk ndiejmë, nuk logjikojmë, jemi indiferentë për veten e jo më për të tjerët.

Pyesni romët, ata janë ish perandorakët!

Përgatiti E.K