MENU
klinika

Bollëk hyrje-daljesh

Tregu i Medresesë dhe tiparet e tij

26.08.2018 - 11:39

Për të hyrë në Tregun e Medresesë në Tiranë, në rast se është fundjavë, do pak vështirësi dhe kujdes që të anohesh sa majtas-djathtas në lumin e njerëzve që bëhet det. Në ditët e zakonshme deti bëhet përrua, por valë-valë, në orare të caktuara, mund të rikthehet në lumë njerëzish. Punën më të madhe tregu e ka për fundjavë.

Hyrjet mbushin një turmë me njerëz që zgjon instiktin e dëshirës. Gjithmonë janë duke u marrë me atë produkt që dëshirojnë, nuk ësthë ndonjë gjë e madhe po të të shtyjnë, të të shkelin padashur këpucët.


Nuk ka rend e vëmendje në këtë shumësi njerëzish që rendin e vijnë pa rend, në hesap të tyre, për një mall të caktuar. Korridoret e gjera në labirinthin e tregut bëhen më të ngushta, malli është gjithfarësh.
Gjëja e parë që të bën përshtypje, është bollëku i objekteve dhe produkteve që nxjerrin shitësit për të reklamuar mallin e tyre.
Nuk do mend të kuptosh që do të bombardohesh me mall gjithfarësh.
Për nga konstruksioni i ngjan një modeli oriental të copëzuar në dhomëza si formë hojesh të ndara njëra me tjetrën o me mur, o me dërrasa, o me beze.

I gjithë tregu formon një labirinth. Në qoftë se e ke për herë të parë, kur futesh duhet të shënjosh në mendje me piketime objektesh të caktuara si dhe mënyra për t’u rikthyer përsëri në vendin e caktuar.

Vendi gëlon. Në pamje të parë tregu duket mbytës. Me sy mund të vishesh për gjithë sezonin. Pjesët më të lakmuara janë qendra e tij dhe korridoret e hyrje-daljeve të qendrës.

Tregu ka çdo gjë për të veshur, që nga çorapet e deri te kostumet, që nga abazhurët e deri tek tapetet, nga presjet e thonjve deri te setet e çelësave të punëve të ndryshe mekanike, fustane, këmisha, pantallona, kostume të formave të ndryshme e të njëjta. Marka të shumëllojshme dhe logo gjithfarëshe.


Shumë herë tregtarët kanë nxjerrë krye në formë rebelimi për taksat dhe politikat ekonomike që qeveria ka marrë kundrejt tyre. Së fundmi, një rritje e taksave bëri që tregtarët të shprehnin revoltën e tyre. Tregtarët kanë qenë kundra edhe ndaj opozitës, gjë që lë të mendosh se nuk insrumentalizohen dot politikisht, por duan kushte më të mira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN