MENU
klinika

Turizmi alternativ në Gjirokastër

Turistët në gjurmët e rrugës së Lord Bajroni…

24.08.2018 - 15:41

Gjirokastra ka rregjistruar këto ditë pikun e turistëve që kanë shfaqur interes për t’u njohur nga afër me trashëgiminë, historinë, resurset e pafundme, por natyrisht edhe me kulinarinë karaktersitike jo vetëm të qytetit te gurtë, por edhe rrethinave rreth tij. Krahas asaj çka mund të ofrojnë autoritetet lokale për mbarëvajtjen e turizmit, në Gjirokastër vit atraksionet turistike të ofruar nga operatorët lokale kanë qenë të larmishme, duke nxitur vizitorët të njihen me qytetin e gurtë, në një perspektivë tjetër.

Një alternativë e re për të gjithë turistët të cilët kërkojnë edhe pak aventurë e adrenalinë ofrohet nga një operator turistik lokal në Gjirokastër që ka zgjedhur një stil të veçantë të udhëtimit, atë me kuaj, në gjurmë të karvaneve të lashtë. Itineraret e këtij turi shtrihen përgjatë gjithë Shqipërisë së Jugut, duke nisur që nga qyteti historik i Gjirokastrës, në Zagorie, Pogon, Lunxhëri, Kurvelesh, Përmet e deri në Borsh të Sarandës, ku mbërritja pranë këtij destinacioni kryhet duke gjarpëruar mes luginave dhe kreshtave malorë.

“Grupi ynë përbëhet nga katër udhëzues me përvojë” – thotë Iliri,pjesë e stafit të këtij qëndre turistike- “Turistët që zgjedhin të udhëtojnë me ne përjetojnë emocione të thella duke udhëtuar në një tokë të rrethuar në çdo hap nga mitet, peisazhi dhe baladat tradicionale. Një kërkesë e vazhdueshme e tyre është edhe njohja me rrugën që ka përshkruar dikur Lord Bajroni në këto anë.”

Karvanet e turistëve përshkojnë deri në 7 ditë dhjetra fshatra piktoresk, rrënojat e Antigonës, Kisha e Shën Kollit, Manastiri i Nivanit, Shpellat e Eremitëve, Sarajet e Zhapës, si dhe kalatë e Shëntriadhës dhe Kardhiqit, janë destinacione të paharrueshme. Udhëtimet turistike me kuaj, kalojnë nëpër shtigje malore, pranë monumenteve kulturore dhe natyrore, përmes lumenjve, burimeve, pyjeve dhe lëndinave, duke i dhënë edhe më tëpër bukuri kësaj aventure. Jeta rurale, natyra e ashpër e fermave të vogla përgjatë shtigjeve që përshkohen në këtë udhëtim përfaqsojnë një argëtim të rrallë, sidomos, për turistët që vinë nga metropolet e mëdha të botës së qytetëruar. Zogjtë e qiellit dhe kafshët e egra, bimët aromatike, zakonet e vëndasve, i bëjnë “turistët kalorës” të ndjehen si “princa” në mjediset e jetës dhe traditës rurale të Shqipërisë.

kolana e librave

 

Belinda, turiste nga Anglia, e cila ka përshkruar për 1 javë rresht malet e Qarkut jugur e cilëson këtë përvojë si fantastike:

“Është fantastik ky vend sepse këtu mund të gjesh të gërshetuar më së miri relievi gjeografik me historinë, arkeologjinë, mikpritjen por pa dyshim edhe me ushqimin e mrekullueshëm që kemi provuar. E nisëm me pak frikë këtë guidë për vetë rreziqet që ka për shkak të terrenit, por tani pa më të voglin dyshim them me plotë gojën se ja vlejti dhe jap notën maksimale edhe për shoqëruesit tanë”

Organizatorët e këtyre tureve kanë zgjedhur shtigje që kalojnë mbi ura të vjetra, kështjella dhe qëndra mesjetare të ndërtuara kryesisht gjatë epokës së Ali Pashë Tepelenës, kjo edhe si një mënyrë e promovimit të natyrës së pakrahasueshme të zonës. Për të garantuar sigurinë, guida e këtyre tureve ka vendosur në shërbim të turistëve kuaj rrace, të stërvitur dhe pajisur për të bërë udhëtime të gjata në terrene malore, shumë të sigurtë për turistët kalorës.Udhëtimet e karvaneve kombinohen me kalendarët lokalë të veprimtarive kulturore, historike, etnografike dhe festat lokale, ku turistët mahniten me folklorin, vallet dhe ritet shqiptare.

Por “vlerësime të të padiskutueshme i merr ushqimi dhe gatimi që u serviret në shtëpitë e fshatarëve ku turistët kalojnë edhe natën” sikurse tregon Kristina Fidhi, ideatorja e këtij turi. Në veçanti, mishi i qingjit, bulmeti i dhisë, qumështi i freskët, byreku, mjalti, rakija, vera, petanikët, petullat, janë nga ushqimet më të preferuara. “Kjo përvojë unike ekologjike do t’ju bëjë të ndiheni të shëndetshëm dhe plot energji” ,thotë ajo. Pjesë e guidës për turistët është edhe njohja me mënyrën e jetesës së shqiptarëve, diçka që ata e përftojnë gjatë qëndrimit të tyre në banesat e fshatarëve të zonave të ndryshme përgjatë itenerarit.