MENU

AKEP: S’bëjmë dot gjë

Valët greke në plazhet e jugut

31.08.2018 - 14:59

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nuk mund të bëjë asgjë për futjen e valëve të operatorëve grekë në zonat bregdetare.

Një grup monitorimi i AKEP ka vërejtur se një arsye e ndërprerjes së shërbimit të telefonisë celulare në disa zona të caktuara është edhe mungesa e antenave nga operatorët shqiptarë dhe prania përballë e antenave të operatorëve grekë, duke bërë që shpeshherë të ndodhë kalimi automatikisht në roaming.

Shqetësimi kryesor i pajtimtarëve ka qenë pikërisht fakti se në disa plazhe ka mungesë të valëve të telefonisë celulare të operatorëve shqiptarë dhe futjen automatikisht të valëve të operatorëve grekë. AKEP shpjegon se, për shkak të natyrës elektromagnetike të valës, është e pamundur të pengohet futja e valëve të operatorëve greke në territorin tonë. Megjithatë, AKEP shprehet se është duke bashkërenduar punën për të krijuar një marrëveshje me rregullatorin e Greqisë për të ulur fuqinë e transmetimit sa të jetë e mundur, pa cënuar cilësinë e shërbimit.

Ndërkohë, AKEP sugjeron që përdoruesit të zgjedhin manualisht në sistemin e aparateve të tyre celularë operatorin me të cilin janë pajtimtarë.

Sipas monitorimeve të AKEP në plazhet e jugut të vendit, përgjithësisht ofrimi i shërbimit nga operatorët celularë në plazhet e sipërcituara bazuar në matje ishte brenda kushteve të rregullores mbi cilësinë e shërbimit, me përjashtim të një pjese të izoluar mes Dhërmiut dhe Palasës.