MENU
klinika

Ironia e datës së lindjes dhe vdekjes

Vdes Shyqyri Çoku, hetuesi i Át Zef Pllumit

29.08.2018 - 19:31

Mëngjesin e datës 28 gusht, e cila si për ironi të fatit përkon me datëlindjen e Át Zef Pllumit, në shtyllat e lajmërimeve të vdekjes në qytetin e Shkodrës, mes një morie lajmërimesh, ishte edhe një syresh me foton e një burri të moshuar. Në shpallje lajmërohej vdekja e shtetasit “SHYQYRI ÇOKU”.

Kush ka lexuar “Rrno për me tregue” s’ka se si të mos i kumbojnë papritur kujtimet e Padër Zefit dhe ajo çka shkruante për Shyqyqrinë:

“Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.”

Shqyqri Çoku nuk do të mbahet mend vetëm për hetimin që i ka bërë Át Zefit të cilit i thotë: “Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E kështu bëri me të vërtetë! Shyqyriu, mishin ia hëngri, por kockat ia la!

Përpos Át Zefit, Shyqyriu persekutoi edhe profesorin e njohur Sami Repishti e jo vetëm. Ja si e kujton prof.Repishti njohjen e tij me të:

“Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 24 muaj hetuesie.”

Të tjerë të hetuar prej tij, duke ditur se si hetoheshin të pandehurit atë kohë, ishin Dom Marin Shkurti dhe Imzot Ernest Çoba, dosjet e të cilëve kërkonin:
“Për Dom Marin Shkurtin dhe vëllain e tij: Pushkatim!

Për Imzot Ernest Çobën: 25 vjet burg!”

Emri i tij u soll në vëmendje para tre vjetësh kur Qeveria Shqiptare e nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes”, çmim që u tërhoq pas duke u shoqëruar me kërkesë për falje nga Kryeministri: “E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve [Át Zef Pllumit dhe Sami Repishtit], por dhe gjithë të tjerëve që janë ndjerë keq nga një lajm i tillë, edhe pse krejt padashje edhe ne, qeveria jonë, jemi bërë pjesë e një historie të zymtë…”

Shyqyri Çoku lindi në vitin 1929 në Shkodër. Doli partizan dhe me ardhjen e komunizmit në 1945, u bashkua me Policinë e Shtetit. Sipas të dhënave, ishte anëtar i Sigurimit, ndonëse ai asnjëherë nuk e pranoi diçka të tillë. Në vitin 1986 doli në pension dhe që nga ajo kohë, jetoi në Shkodër pranë familjes së tij.

Andreas Dushi

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët