MENU
klinika

Pr.ligji

10 mijë lekë gjobë kush u shet pije energjike fëmijëve

28.09.2018 - 08:32

Në ligjin nr. 9518, datë 18.4.2006 “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”, të ndryshuar janë propozuar një sërë ndryshimesh.

Në pritje të nisjes së diskutimeve rreth neneve të reja që mendohen të shtohen në këtë ligj, është menduar vendosja e kufizimeve dhe masave për pijet e gazuara dhe sidomos ato energjike.

Specifikisht, janë propozuar ndryshimet e mëposhtme:

– Në nenin 3, të projektligjit propozohet të shtohet kufizimi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, me qëllim dhënien e një koncepti të saktë për këto lloj pijesh që do të shmang kështu çdo keqinterpretim të mundshëm të ligjit.

– Në nenin 5, propozohet që të shtohet një paragraf i ri, i cili synon të ndalojë rastet abuzive të ofrimit si të pijeve alkoolike ashtu dhe të pijeve energjike të miturit, nga personi madhor që e shoqëron atë në vende publike. Ky kufizim do të shoqërohet edhe me ndryshime në nenin 11 të projektligjit, duke propozuar që rastet e moszbatimit të kësaj dispozite të përbëjnë kundërvajtje administrative dhe personi madhor që e shoqëron të miturin të dënohen me gjobë që varion nga 10 mijë në 30 mijë lek, në varësi të vendit ku ofrohet pija.

– Në nenin 7, propozohet që për subjektet që tregtojnë pije energjike të vendoset detyrimi për mbajtjen e tabelave treguese “Ndalohet shitja e pijeve energjike personave nën 18 vjeç”, në të njëjtën mënyrë si me pijet alkoolike. Moszbatimi i kësaj dispozite do të përbëjë kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë në masën 10 mijë lek.

– Në nenet 8, 9 dhe 10, propozohet vendosja e kufizimeve të njëjta te pijet energjike dhe pijet e gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar si për alkoolin për sa i takon publicitetit në median vizive dhe reklamimi në institucionet arsimore te të mitur, në sallat e kinemave apo teatrove gjatë shfaqjeve për të mitur.

– Ndërsa në nenin 11, pika 5 propozohet që reklamimi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar të drejtuar të miturve në mjedise si rrugë, parqe, etj të përbëjë kundërvajtje administrative dhe të dënohet me gjobë që varion nga 100 mijë në 200 mijë lekë.

Sipas relacionit, ky ligj ka si qëllim parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, duke ndaluar përdorimin e pijeve energjike dhe kufizuar marketingun si të pijeve energjike ashtu dhe të pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, nga të miturit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN