MENU
klinika

Francezë e shqiptarë - njëqind vjet pas luftës

100 vite nga Lufta e I Botërore në Shqipëri

21.09.2018 - 10:31

Nga LUAN RAMA

Zbulimi rastësisht i disa ditarëve të vjetër të ushtarëve francezë, të mbajtur në rrugët dhe gërxhet e shkrumbuara të Shqipërisë në frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore më risollën në kujtesë tri detaje që bashkoheshin në një: imazhet që kisha parë kur isha kineast të varrezave të ushtarëve francezë në Korçë; historinë e rojes së këtyre varrezave, Alush Demiri, dhe tregimin e ish ambasadorit francez në Tiranë, Jacques Faure.

Një ditë, një miku im inxhinjer, Arben Selimi, më kishte treguar disa kopje të dekoratave të ndryshme që qeveritë franceze i kishin akorduar gjyshit të tij, Alush Demiri, i cili kishte luftuar krah francezëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më vonë, në moshë më të thyer, ai kishte shërbyer dhe si roje i varrezave të ushtarëve francezë, me të cilët kishte luftuar në të njëjtat llogore. Siç duket xha Alushi e kish patur të vështirë t’i linte të vetmuar ata ushtarë, prej të cilëve ruante kujtime të dhimbshme e tragjike. Dekorata e parë kishte qenë një urdhër i Shtabit Ushtarak, i firmosur më 27 gusht 1918 nga gjenerali francez d’Esperay, komandant i Ushtrisë Aleate të Orientit, i cili sipas vendimit ministror të janarit 1917, i akordonte Madaljen Ushtarake «Croix de Guerre avec Palme» Alush Demirit, të Batalionit të Pushkatarëve Shqiptarë, me motivacionin «Njeri shumë guximtar, që me gjakftohtësi e guxim arriti të kapë robër disa ushtarë armiq dhe një oficer, si dhe dy mitralozë». Dekorata e dytë ishte përsëri një «Madalje Ushtrake», e firmosur nga gjeneral Dassault më 26 qershor 1946, ku shkruhej se me dekret të 8 tetorit 1918, Kancelari i Madh i Legjionit të Nderit e dekoron rreshterin e Batalionit të Gjuajtësve Shqiptarë Alush Demiri me «Medaille Militaire». Dekorata e tretë «Chevalier du Merite Combattant – Honneur-Devouement», i është dhënë nga ministri i Luftëtarëve të Vjetër dhe i Viktimave të Luftës së Francës, më 14 gusht 1959, në cilësinë e shërbimit të kryer në roje të varrezave të ushtarëve francezë në qytetin e Korçës.

Para disa vitesh, Jacques Faure më tregonte në Paris një histori që fliste pikërisht për këto kohëra: ushtarët francezë në kohën e Republikës franceze të Korçës, kohën e asaj lufte, kur ndesheshin mes tyre ushtritë e Fuqive të Mëdha. “Kur isha me mision në Tiranë, një ditë shkova në Voskopojë. Më kishin thënë se atje ishte një varr francez, i mbetur nga koha e Luftës së Parë Botërore. Kur bisedova me voskopojarët dhe u kërkova që atë varr ta transferonin në varrezat e ushtarëve francezë në Korçë, ata me një frymë m’u përgjigjën njëherësh: “ Ky varr është yni dhe nuk e lëshojmë!” Më pas mora vesh se ai varr ishte i një mjeku ushtarak, që atë kohë shërbente në Korçë, por një ditë e kishin thirrur në Voskopojë të mjekonte ca të plagosur. Kishte mjekuar ushtarë francezë, pastaj dhe fshatarë, kur ndërkohë e zunë ethet dhe shumë shpejt kishte vdekur. Që nga ajo ditë, ai varr ishte i të gjithë fshatarëve. Për të kujdeseshin të gjithë…“

Deri tani kemi dëgjuar për Republikën Franceze të Korçës dhe ushtarët e „Ushtrisë së Lindjes“ apo „L’Armée de l’Orient“ vetëm nga disa botime historike, por njeriu i sotëm e ka të vështirë të përfytyrojë atë që është përjetuar në atë kohë nga njerëzit e thjeshtë, banorë fatkeqë të një bote të pamëshirëshme. Fotografitë janë të pakta, imazhet e xhiruara akoma më pak. Megjithatë, ditaret dhe shënimet e asaj lufte, letrat dhe shkrimet e ushtarëve francezë mbajtur në llogore, mbuluar nga dëbora, pas një bombardimi apo para një dekori gërmadhash, janë emocione të gjalla që e rikrijojnë përsëri atë atmosferë të dhimbshme, paradoksale dhe absurde: në trojet shqiptare zhvillohej një luftë e çmëndur që dhe vetë ushtarët do ta urrenin. Vdekja atëhere ishte e pranishme ngado.

Robert Vaucher ishte një nga të rrallët korrespodentë evropianë që shëtiti Shqipërinë e jugut dhe ndoqi ushtrinë franceze në kufijtë jugorë të Shqipërisë, në Korçë, Pogradec, Ersekë, Leskovik. Si i dërguari i posaçëm i revistës së njohur franceze Illustration, i cili në vitet 1916 kishte zbarkuar në Korfuz dhe që andej në Vlorë, ai më pas kishte përshkuar gjithë luginën e Vjosës. Në vijim të reportazheve të tij nga fronti i Lindjes të botuara në Illustration, ai dëshmon për peripeci të panumërta në rrugën drejt Tepelenës, apo nga Saranda drejt Epirit për të shkuar në Leskovik, hipur mbi kamionët e ushtrisë italiane, ku më së fundi bashkohet me shtabin e «Ushtrisë së Lindjes» në Korçë, e cila komandohej nga gjenerali francez Sarrail. Dëshmia e korrespondentit të luftës Robert Vaucher është tronditëse, kur ai mbërrin në Tepelenë. Gjithë qyteti është djegur nga garnizoni grek. Vetëm dy shtëpi nuk janë prekur: ajo e garnizonit dhe shtëpia e komandës. Kur trupat italiane kaluan fshatra të tëra të shkatërruara dhe arritën në Tepelenë, ata klithën nga gëzimi. Më së fundi gjetën një qytet të vogël ku mund të jetonin ndryshe nga jeta e maleve. Por ah! Ky ishte thjesht një iluzion. Legjionet e shenjta e kishin kthyer këtë qytet në hi. Në këtë Pompei modern, ushtarët italianë gjetën veç ca ciganë që jetonin si kafshë mes rrënojash dhe që ushqeheshin me barishte“.

Por pamje të tilla do t’i shfaqeshin atij gjatë gjithë atij rrugëtimi në Shqipërin e jugut. Të njëjtat imazhe ai do t’i shihte dhe në Leskovik. “Në këtë qytet të vogël të kthyer në gërmadhë, ushtarët italianë shohin të habitur një detashment pushkatarësh senegalezë që bashkë me komandantin e tyre vinin të merrnin kontakt me trupat italiane. Nën një shi të tmerrshëm, senegalezët përshkojnë rrugët e përbaltura që gjarpërojnë midis gërmadhave.” Më 15 shkurt, pas mbritjes në Korçë, ai shton në shënimet e tij: «Sot në mëngjes u zgjova nga gjëmimet e topave në periferi të qytetit. Topat tanë 75 mm, qëllojnë mbi armiqtë tanë në dy drejtime: drejt veri-perëndimit, në lartësitë e Porodinës dhe Melçanit, shtëpitë e të cilave zbresin ngadalë drejt liqenit të Maliqit, atje ku austriakët kanë fshehur mitrolozët e tyre, si dhe drejt jugut, në drejtim të Boboshticës, ku bandat austrofile pengojnë përparimin tonë drejt Ersekës…Kur bije mbrëmja, të shoqëruar nga sulmuesit tanë, një kortezh robërisht hyjnë në qytet. Ata vijnë nga të gjitha anët e perandorisë austriake : janë nga Bohemia, apo çekë, sllovenë, boshnjakë, hungarezë». Një potpuri popujsh ishin dyndur drejt Ballkanit, atje ku pikëtakoheshin kufijtë e Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë, Serbisë…

Për shqiptarët është e habitshme që në tokën e tyre kishin ardhur në këtë periudhë lufte dhe amerikanë që u ishin bashkuar forcave të Aleatëve. «Kamionët e rëndë amerikanë, – shkruan Vaucher, – mbeten në llucë, duke penguar kollonën e furnizimeve. Gjatë disa kilometrave, kalojmë pranë karrove të ngarkuara që shoqërohen nga senegalezë, indokinezë, malgashë, të cilët shtyjnë kuajt e mushkat e tyre që të bëjnë përpara. Lemë kuajt dhe vazhdojmë me makina. Pranë Bilishtit, balta shtohet dhe kamionët nuk arrijnë të dalin nga gropat. Mbrëmja bije dhe ne kemi mbetur ende në llucë. Përballë nesh kuzhina lëvizëse shpërndan një aromë që të hap oreksin. Më së fundi kalojmë Bilishtin. Në çdo moment, nga errësira shfaqen patrulla që na pyesin se cilët jemi. Sa më shumë i afrohemi Korçës aq më të shumta janë çadrat e patrullave. Papritur një goditje e fortë na shkund. Makina ka mbetur në një gjysëm urë të prishur. Vallë mos na kanë bërë pritë? Secili prej nesh bën gati karabinën e tij, por komitaxhinjtë nuk duken gjëkundi. Me një va kalojmë lumin dhe në mesnatë më së fundi arrijmë para komandës së Korçës”…

Charles Nicolas, i regjimentit 210 të Këmbësorisë së «Armée de l’Orient», me origjinë nga Villeneuve-les-Beziers, në të njëjtën kohë ndodhet po në Korçë dhe në rrethinat e saj. Ai mban një beretë karakteristike të këmbësorisë dhe në portretin e tij të gjërë dallohen një palë mustaqe të zeza pis. Po më 15 shkurt 1917, ai shkruan: «Pas një rruge prej 25 km ne i ngritëm çadrat nja 6 km para se të hynim në Korçë. Atje takova shokët e mij Martin dhe Magna, si dhe të tjerët, të cilët më ftuan të hanim sëbashku një pulë që kishte shijen e një sholle të vjetër. Isha roje dhe bënte një i ftohtë ujqish». Të nesërmen ushtarin Nicolas e gjejmë në Korçë ku ai përshkruan bombardimin e qytetit nga avionët austriakë. Më 22 shkurt ai shkruan përsëri për Korçën ku ka zbritur të blejë një shishe verë që ushtarët e quajnë «pinard» si dhe duhan, i cili kushton shtrenjtë.

Më 3 mars është pranë liqenit të Prespës, ku flë në dëborë, e cila e mbulon deri në brez. «Eshtë një natë e ftohtë ku s’kemi asgjë për të ngrënë», shton ai. Më 12 mars, duke udhëtuar nga Korça me municione, kur mbrin tek regjimenti i tij, ai mëson se prifti Ducommun është vrarë. «Më erdhi shumë keq se para sulmit i kishim dhënë dorën njëri tjetrit ». Një ditë më vonë, duke ngrënë, ai sheh një vig që parakalon para tij: është shoku i tij Magna. Eshtë plagosur. Që prej dy ditësh ata janë në mes të dëborës dhe s’kanë asgjë për të ngrënë. Më 15 mars shkruan për gjëmimet dhe bombardimin e tmerrshëm. «Gjithë ditën bije borë. Marr vesh që Meunier d’Orgue është plagosur në kokë nga një shpërthim predhe…Natën e 1 prillit «boshët» dhe turqit sulmuan sërrish. Por atë natë ata lanë në llogore rreth 300 kufoma». Më 8 prill është dita e Pashkëve. Për ushtarët francezë është festë. «Hëngrëm 5 breshka, 1 iriq, një kuti mish viçi dhe oriz. Pimë një cigare për 4 ushtarë dhe një shishe verë për 12 veta»…

Ndërkohë, gazetari Robert Vaucher vërtitej midis regjimenteve të ndryshme që janë në një front të gjërë. Ai kthehet në Korçë, nxiton përsëri në Bilisht dhe i ngjitet Malit të Thatë, duke u rikthyer përsëri në qytet. Në artikullin me titull Aleatët në Ballkan, të botuar në 3 prill 1917, Robert Vaucher shkruan: «Teqen e Melçanit, austriakët e kanë kthyer në një fortesë të vërtetë të mbushur plot mitrolozë, por sulmuesit tanë më ë fundi pas një lufte të ashpër e pushtojnë. Poshtë kodrinës, në atë tokë moçali, ushtarët tanë përparojnë me këmbët e zhytura në baltë gjer në gju e më pas deri në brez. Uji është i akullt dhe një oficer austriak që ra rob na tha se ai e kuptoi që ishin francezët nga zhurma e këmbëve në ujë. Papritur, në heshtjen e mëngjesit, buritë buçitën dhe njerëzit e ngjyer gjithë baltë tundeshin duke thirrur: «Rroftë Franca!» Austriakët u dorëzuan vetëm kur panë se ishin të rrethuar nga të gjitha anët. Një nga detashmentet e Themistokli Gërmenjit luftoi në Pulahë ndaj pararojës së armikut dhe ashtu fitimtarë ata ishin kthyer bashkë me 20 robër austriakë». Robert Vaucher është një korrespondent lufte, i rrahur me jetën e fronteve, me dëborën dhe jetën e maleve. Shumë herë e ka parë vdekjen me sy. «16 shkurt. Rrugës drejt Ersekës… Gjithë zona e Kolonjës është e bastisur nga bandat greke të vitit 1913. Emrat që kemi në harta kanë mbetur veçse kujtime. Vetëm disa gërmadha që qëndrojnë ende dëshmojnë për fshatrat e dikurshme muslimane. Kasolle të rralla prej kashte buzë arave me misër strehojnë ca të mjerë. Kudo ndjehet urrejtja për atë që nuk është i racës apo fesë së vet. Një musliman na thotë qetësisht: «Grekët ishin më të fortë. Ata shkatërruan gjithçka, por Zoti është i madh dhe ne do të hakmerremi një ditë!» Ushtarët tanë trima nuk kuptojnë asgjë nga kjo urrejtje: «Këta njerëz, në vend që të punojnë tokën, më tha një ushtar nga Bourgogne, – dhe të mos vdesin nga uria, mendojnë veç të vriten nga njëri tjetri. Ç’vend fatkeq!»

Thënia e këtij ushtari shprehte pikërisht botën shqiptare të asaj kohe. Një vend fatkeq, pasi toka e tij ishte kthyer në një fushë-beteje të ushtrive të mëdha: në morinë e ushtrive që shkonin e vinin duke hedhur bomba e predha gjeje ngado ushtarë të të gjitha kombësive: madje dhe indokinezë, afrikanë, algjerianë, senegalezë, rusë, pa llogaritur ata të shteteve të Evropës… Dhe Vaucher vazhdon: “Ersekë, 21 shkurt. Një bandë greke prej nja 100 vetësh e komanduar nga Papajorgjiu dhe dy oficerë gjermanë, të armatosur nga monarkistët grekë për të dërguar lajme në perandorinë e Boshtit, kur panë forcat e mëdha franceze në kazanë e Korçës u detyruan të kthehen mbrapsht.” Gazetari përshkruan një kompani indo-kineze me kapelet e gjëra në kokë që gjënden në frontin shqiptar. “Disa vëndës i shohin ata me habi të madhe, ashtu siç shikonin më parë edhe senegalezët dhe arabët tanë. Për këtë pyes një nga xhandarët shqiptarë dhe ai më thotë: “Franca është një komb i madh sepse ka ushtarë nga e gjithë bota”.

“Unë erdha në Korçë dy muaj pas Republikës dhe nga të gjitha krahët, nga muslimanët dhe ortodoksët nuk dëgjova veç mirënjohje për Francën…»
Në shkurt të vitit 1917, lietnanti René Mingot, i regjimentit 227 të Infanterisë (Këmbësorisë) gjëndet në frontin shqiptar. Në shënimet e tij ku është shkruar me kujdes «Carnets» (Fletore), ai ka përshkruar ditët e asaj lufte të tmerrëshme që ndodhte dhe në frontin e Lindjes. «14 shkurt 1917 – Nga fundi i pasdites hyjmë në Korçë. Populli i qytetit është i terrorizuar. Në mëngjes avionët kanë hedhur mbi qytet 12 bomba dhe kanë vrarë pesë banorë. Nga ora katër e mbrëmjes, kur po përgatisnim vend-fushimin, shiu ra përsëri në kalldrëmet e qytetit. Të ngjan si një hakmarrje tjetër e austriakëve. Korça ka pamjen e një kryeqyteti të vogël dhe i ngjan qyteteve perëndimore. Rrugët e saj janë të pastra, shtëpitë simpatike dhe disa janë vila të vërteta. Dyqanet zënë një lagje më vete. Dy të tretat e qytetit janë ortodoksë dhe një e treta është muslimane. Aty është vendosur shtatmadhoria jonë. Dje, regjimenti ynë pushtoi manastirin e fshatit Lumalas dhe tani po përgatitemi të bashkohemi me italianët.

“28 shkurt 1917. Bombardimi me avionë i Korçës dhe largimi i divizionit tonë krijuan një ndjesi hidhërimi e zëmërate tek populli. Lumturisht që dy topa artilerie të regjimentit 155 dhe një kompani e ndërtimit të urave arritën në Bilisht, çka i impresionoi banorët, të cilët për një kohë të gjatë kundruan topat tanë. Kjo gjë duhej bërë, pasi influenca jonë kishte rënë ndjeshëm. Në kodrat shkëmbore që dominojnë Bilishtin vendosim topat 75 për të qëlluar avionët, por njerëzit në fakt nuk ndjehen të sigurtë dhe përgatisin strehime. Dy aspirantë austriakë që u dorëzuan dje, deklaruan se në sulmin e datës 16 mbi Maliq, austriakët i a mbathën me nxitim drejt veriut. Ndërkohë, ne po përgatisim një sulm midis liqenit të Prespës dhe atij të Ohrit. Me një barkë dërguam furnizime në liqenin e Prespës. A do mundet vallë ta hapim rrugën drejt Manastirit?…”

“10 mars 1917. Jemi në pikën ku ndahen kufijtë midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, sipas Konferencës së Londrës”. Një ditë më vonë ai vazhdon: “11 mars. Kemi lënë vendfushimin dhe nisemi drejt Goricës. Rrugës ndeshemi me gjeneralin Sarrail…» Më 26 mars, René Mingot vazhdon në ditarin e tij: «Avioni «bosh» (gjerman) që vjen të hedhë bombat mbi ne në Zemlak dhe në Korçë, në mëngjes kalon sërrish dhe fluturon mjaft ulët… Ai rivjen përmes maleve, duke zbritur pak e nga pak. Motori i tij nuk dëgjohet më. Duhet të ketë një difekt. Avioni zbret gjithnjë e më shumë dhe zbarkon nja 500 metra larg ambulancës sonë, duke u kthyer e duke prekur tokën. Kryqet e tij të zinj janë mjaft të dukshëm. S’ka dyshim që është «boshi» që na ka bombarduar ditët e fundit, ai që vrau automobilistin amerikan dhe kolegët e tij dhe që vërtitej sipër kokave tona në ditët me diell. Sapo prekën tokën, dy oficerët gjermanë u hodhën nga avioni, i cili shpejt u përpi nga flakët. Nga të gjitha anët, ushtarët u sulën dhe i rrethuan, dhe ashtu të lidhur i çuan në shtatmadhori…»

Në gusht të vitit 1917, ushtari francez Jean-Louis Beaufils është në rradhët e «Ushtrisë së Orientit», e cila përparon drejt Pogradecit. Ai është mjek dhe detyra e parë e tij janë të plagosurit. Në 31 gusht, siç shënon ai në ditarin e tij të titulluar «Në rrugë drejt Orientit» (En route vers Orient), ai shkruan se në njëshkollonë ata marshojnë drejt thepisjeve të maleve, drejt kuotës 1704, – Kaminck. «Gjatë natës vihemi në marshim dhe ndalojmë veçse në agim. Shpesh na ndodh të ecim njëri pas tjetrit pas shkëmbinjve të maleve për t’i lënë rrugë karvanit të mushkave të ngarkuara. Ah, këto udhë! Në jetën time do të mbeten gjithnjë me ndjesinë e një kalvari, të udhës së Kryqit. Eshtë një torturë e vërtetë mbi trupat tanë. Këmbët i kemi gjithë gjak dhe kaviljet e fryra…Ku po shkojmë në këtë zonë kaq kaotike? Vështirë të thuash. Një natë ne përshkuam qytetin e Korçës dhe u ngjitëm drejt veriut, drejt asaj që quhet zona e liqeneve. Udha e kësaj nate të fundit na çon mu përballë pozicioneve që kanë zënë austro-hungarezët.

Jemi gati për ta zbuar armikun larg Korçës dhe veçanërisht për ta larguar atë nga linja Follorinë-Sarandë, nga ku vijnë furnizimet tona. Kampin e kemi ngritur në hijen e një mali të pyllëzuar. Avionët gjermanë na kërkojnë por nuk na zbulojnë dot. Ata na kërkojnë ngado, nëpër grykat e thella dhe thepisjet e shkëmbenjve. E ndiejnë se po përgatisim diçka kundër tyre». Ushtari Beaufils vazhdon: «7 shtator 1917. Objektivi ynë është të marrim qytetin e Pogradecit dhe pastaj ta zbythim armikun nga Kaminckë. Por shpejt na diktojnë dhe mauzerët e tyre na qëllojnë. Godasin nga lartësitë, që larg. Në të djathtën tonë, breshëritë janë të shumta. Buzë liqenit dallojmë një fshat të madh. Eshtë Pogradeci dhe liqeni i Ohrit. Shtëpitë digjen. Ne nxitojmë dhe plumbat na fërshëllejnë përreth. Hyjmë të parët në Pogradec. Pas nesh ia behin «spahitë» marokenë…»

Ditari i Jean-Louis Beaufils është mjaft i hollësishëm. Çdo ditë ai përshkruan aventurat e luftës dhe gjithçka ndodh rreth tij. «10 maj 1918. Që në mëngjes herët lëmë kampin për të shkuar në Follorinë, ku 150 kamionë «Berliet» presin për të na transportuar me urgjencë në Shqipëri. Regjimentin e 157 të Infanterisë e gjejmë rrugës tek marshonte. Duhej të shkonim shpejt, pasi kishim frikë nga ndonjë sulm që mund të bënin drejt Pogradecit. Eshtë hera e parë që një regjiment i tërë i «Ushtrisë së Lindjes» transportohet me automobilë. U hipim kamionëve në orën 8 të mëngjesit dhe në 8 të mbrëmjes zbarkojmë në Leslicë, një fshat prapa Pogradecit dhe liqenit të Ohrit. Përmes Korçës, me një frymë kemi përshkuar 120 km gjer në fshatin e Zvezdës. Ai flet për Malin e Thatë, kalimin e Çorovodës, përshkimin e rrugës midis Ohrit dhe Maliqit për të mbritur pastaj në Pogradec, ku vendoset divizioni 156. Në një sektor prej 25 km janë batalionet senegaleze, afrikane, indokineze, dhe midis tyre edhe «spahinj» marokenë.

«Divizioni i 57 u përforcua me taborin e Esat Pashës, i cili përmbledh nja 1000 ushtarë pak a shumë besnikë të tij. Duket se austro-bullgarët kanë vendosur të sulmojnë më 15 maj, pasi kanë grumbulluar shumë artileri në të majtë të liqenit, ku kanë sjellë rezervistë gjermanë, austriakë e bullgarë. Duan të marrin përsëri Pogradecin dhe ndoshta të na ndajnë nga italianët. Por bullgarët përparojnë me vështirësi. Të lodhur nga lufta e gjatë dhe uria, tetë apo dhjetë dezertorë në ditë kalojnë në rradhët tona. Nuk dimë nëse bullgarët do të sulmojnë. Shkrimet e tij na kujtojnë ato të mbajtura nga vetë Esat Pashë Toptani, i cili po atë periudhë kujton udhëtimin e tij drejt kufijve shqiptarë, kur zbarkoi në Selanik pranë shtatmadhorisë së gjeneralit Sarrail: “Në Paris, në gusht të vitit 1916, gjatë bisedimeve, lindi nevoja që të paraqitesha në frontin lindor, në të njëjtën kohë ushtarët e mi ishin të sigurt, në dallim nga Shqipëria, për transportimin nga ishulli i Ponzës për në Selanik hipëm në një anije franceze. Me arritjen në destinacion, burrat u vendosën nën urdhrat e ushtarakëve francezë dhe u dërguan në një sektor afër Shqipërisë. Përgjatë dy vjetëve, ata ishin pjesë e të gjitha operacioneve ushtarake dhe mundën në shtator 1917 të bashkëpunonin bashkë me miqtë e tyre francezë në mbrojtjen e Starovës, në një mënyrë efikase. Vetëm gjatë një përplasjeje, ata u bënë pjesëtarë të burgjeve austriake dhe nën efektivat e superioritetit të tyre oficerët e ndryshëm francezë i bënë homazh sjelljes militante, guximit dhe mospërfilljes para vdekjes. Trupat tona mbetën në vijë të parë derisa u ndërpre armiqësia me Bullgarinë».

Megjithëse duket se luftës po i afrohen fundi, luftmet nuk pushojnë. Shqipëria përgjaket gjithnjë e më shumë. Ushtari Beaufils vazhdon të përshkruajë historinë e dhimbëshme të transheve dhe të kasolleve shqiptare. «12 maj, 1918. Ngjitemi drejt Kamias në rezervë të trupave afrikane që shtrihen nga Devolli në burimet e Shkumbinit, midis grupimit tonë të Maliqit dhe trupave të divizionit 57, me qëllim që të bllokojmë qafat që komunikojnë me luginën e Shkumbinit»… “13 maj 1918. Liqeni oval i Ohrit me valët e tij në një blu të kaltërt, shtrihet me ujrat e pastra e të qeta. Pyjet përreth jeshilojnë…Nga larg dëgjohen zilet e bagëtive të rralla që kanë mbetur, si dhe pipëzat e barinjve që u bijen për t’i grumbulluar ato. Mali i Thatë është mbushur me lule plot aromë nga bimët aromatike: lule margarite të verdha, tulipanë të verdhë, lule shpate të bardha, të verdha e ngjyrë violet. Kërminj të mëdhenj u ngjiten gurëve shkëmborë. Fshatrat me shtëpi guri struken në luginën pranë përrenjve. Më parë ato ishin të banuara nga shqiptarët, por lufta i detyroi t’i braktisin strehët e tyre.

Janë shtëpi të mëdha prej guri ku depërtohet veçse nga një portë e ulët. Dritaret janë të vogla dhe të ngushta. Kanë një pamje të egër e feodale. Këto shtëpi janë si fortesa të vërteta». Në një faqe të re, dora e Jean-Louis Beaufils, ka shkruar: «Drejt Tomorricës në Shqipëri». Eshtë shtator i vitit 1918. “4 shtator. Pesë apo gjashtë ushtarë që mungonin, të shoqëruar me eskortë erdhën më së fundi dhe u bashkuan me ne. Janë të pa armatosur dhe do të ndëshkohen nga Këshilli i Luftës. Natën e kaluar ata ndenjën në kafenetë e Korçës. Shumica prej tyre janë mësuar me masat ndëshkimore….U nisëm drejt malit. S’ka më rrugë. Ecim njëshkollonë në një shteg disi të hapur. Anash ka thepisje, por mushkat tona dinë të ecin. Sa më thellë shkojmë aq më shumë rruga është e mbushur me skelete të kuajve të kuq apo mushkave që janë shembur aty nga lodhja.

Të tjerë kanë mbetur në majat e shkëmbenjve në fund të thepisjeve, duke marrë me vete dhe ngarkesën e tyre që ende ka mbetur e përgjakur. Skeletet e tyre janë kafshuar dhe kanë qënë prehë e ujqërve korbave dhe skifterëve. Janë viktimat e errtëta e të pafjalta të luftimeve të muajve të fundit”. Duke shkuar në një fshat, dikush u bën shenjë ti afrohen shtëpisë. Ai afrohet dhe depërton në një dhomë të errët, ku pranë një feneri dallon një grua të shtrirë. “Ajo ishte e zbehtë dhe sytë i shkëlqenin nga ethet, – shkruan ai. – Mendova se ishte një e sëmurë nga paludizmi, por vështrimi im pikasi dorën e saj të lidhur me zhele të pista. Pranë saj qëndronte një vajzë e re, e motra apo një shoqe e saj. Me njëmijë përkujdesje i hoqa ato lecka të tmerrëshme dhe një plagë e llahtarëshme mu shfaq përpara: një plumb i a kishte shkërmoqur kyçin e dorës. Qelbi dhe pisllëku i a kishte enjtur plagën. E pastrova dhe i a lidha përsëri me kujdes. Nuk ka ilaç tjetër. Duhet prerë! Dhe kjo nëse ka ende kohë. I dhashë kurajo dhe e lashë të kuptonte se do të lajmëroja që ta transportonin në ambulancën e të plagosurve tanë. Sytë e saj mirënjohës më thonin se ndjehej e kënaqur që më së fundi po ndihmohej. Unë po kaloja portën kur vajza e re që rrinte anash filloi të bisedonte me burrin, duke më bërë shenjë që të qëndroja pak. Pas këtij dialogu që nuk e kuptoja, përmes mimikës, burri më dha të kuptoja se gruaja e tij kishte dhe një plagë tjetër në kofshë.

Pa ndërhyrjen e asaj vajze, ai s’do të fliste dhe gruaja vetë nuk do guxonte të më tregonte pa lejen e burrit të saj. Plaga në kofshë dukej pak më e lehtë, por i vinte një erë kangrene. Pasi e dizifenktova dhe i lidha plagën, e pyeta se si ishte plagosur. Ajo ishte plagosur nga francezët që ndiqnin armikun. Plumbi i kishte depërtuar kyçin e dorës, i cili kishte hyrë pastaj në kofshë. I thashë të shoqit se duhej të qëndronin larg betejës dhe të fshiheshin në pyll. Por si përgjigje, ai ngriti duart e tij drejt qiellit. E plagosura bëri shenjë dhe shoqja e saj solli një shportë plot me fruta. U thashë ta mbanin për vete dhe me zemrën e dhimbur nga mjerimi i tyre u nisa. Kur mbërrita, telefonova menjëherë, duke kërkuar që për hir të humanizmit, atë grua ta transportonin, madje që këtë natë». «10 shtator 1918. Urdhëri për të shkuar dhe marrë shqiptaren erdhi në mëngjes. Nisemi menjëherë. Sapo pa vigun, burri i saj doli përpara të na pengonte. Nuk donte që ta merrnim nga fshati. Dilte përpara si për ta mbrojtur atë. E shkreta grua, i fliste dhe i lutej që ta linte që të shpëtonte. Ai na shihte me sy të shqetësuar dhe lutës. S’mund të hezitonim më. Me shumë kujdes, gruan e vendosëm në vig. I bëra shenjë burrit të saj që të na ndiqte. Ai u fut brënda për pak çaste dhe doli pastaj me ca paketa në duar dhe me një djalë të vogël. Ulur në gjunjë pranë vigut, shoqja e të sëmurës qante dhe i linte lamtumirën. Ushtarët perreth u prekën të gjithë. Ato nuk u puthën. Me sa dukej nuk e kishin zakon, por duart i mbanin grusht edhe pse në atë dhimbje thonin fjalë të ëmbla miqësie. Nisemi duke marrë me vete atë trup që dergjej dhe që ndiqej kokëulur nga një burrë dhe fëmija i tij. Nga pragu i asaj shtëpie të braktisur, plot dhimbje, shoqja e saj i bënte shenjën e lamtumirës. Lumturisht e pashë vetëm unë…Mëshirë për viktimat e pafajshme që lufta po i gjymton !…Na duhen dhe tre orë të mundimëshme për të arritur në shtab. Çdo pushim, ne i japim të plagosurës kurajo e po kështu dhe njerëzve të saj. Por ajo ka po aq kurajo sa dhe të plagosurit tanë. Kur majori e pa dhe ndjeu erën e plagës menjëherë bëri një shkresë për ta evakuar. E vendosëm në një vig tjetër dhe mbi mushkë, pas 5-6 orësh ajo do të mbrinte në ambulancën ushtarake. Në çdo shkundje ajo tregohej një martire e vërtetë. Pastaj i dhashë një eliksir, një ilaç qetësues. Më tha lamtumirë duke afruar dorën time tek buzët e saj. Me vigun në shpinë, ne u kthyem pastaj në llogoret tona me mendime të trishta»…

Më 29 shtator, ai është ende në Korçë. Shpejt duhet të shkojnë në ndjekje të bullgarëve. Dhe urdhëri vjen : duhet të marshojnë drejt Elbasanit. Jean-Louis Beaufils, do të vazhdojë tregimet e tij të luftës drejt një itinerari tjetër : frontit të luftës në Odesë. Rruga do të jetë e gjatë. Por lumturisht, ai do të kthehej i gjallë nga kalvari i asaj lufte mizore. I gjallë do të kthehej edhe ushtari i regjimentit 210 të Këmbësorisë, Charles Nicolas, i cili në fund të ditarit të tij ka shkruar: ”Nuk duroj dot më. Nuk mund të duroj! Dua të shikoj Antuanetën time dhe njerëzit e mij. Eshtë e turpshme të kalosh katër vjet luftë. Kur do të përfundojë kjo luftë? Kur vallë xhelatët e vërtetë do i japin fund kasaphanës së tyre?…Po i lë shënimet e mia, sepse kjo fletore s’mund të mbajë gjithë ato që kam në mëndjen time…”

Letra, shënime, ditare që mbajnë ende erën e luftës, imazhe që janë fiksuar dhe që tashmë i përkasin një kohe tjetër. Në një distance gati shekullore, ditaret e këtyre ushtarëve na sjellin Shqipërinë e kthyer në një fushë beteje nga Fuqitë e Mëdha, Shqipërinë e tragjedisë dhe të kaosit, Shqipërinë e shpërbërë e të handakosur, Shqipërinë që klithte për paqen dhe lirinë e saj, Shqipërinë që luftonte për të drejtën. Këto shënime të hedhura aty-këtu në kohën e bombave dhe çmendurisë së madhe, na sjellin atë që të parët tanë nuk mundën as ta tregojnë dhe as ta shkruajnë siç duhet për t’ia lënë historisë, pasi njeriu ka nevojë gjithnjë për historinë, në mënyrë që kujtesa historike ti shërbejnë humanizmit të brezave që vijnë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Roberto Morozzo della Rocca

Miti, Shqipëria dhe karakteri shqiptar


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit