MENU
klinika

Dossier

1997, si u vranë oficerët që mbrojten depot e armëve

19.09.2018 - 13:55

Viti 1997 do të mbetet në memorien e shqiptarëve si një vit i tmerrshëm dhe i përgjakshëm.

Mijëra të rinj humbën jetën pasi e gjithë popullsia ishte e armatosur deri në dhëmbë për shkak të hapjes së depove të armatimit. Shkodra, mbetet një prej qyteteve me bilancet më të rënda nga kjo luftë civile, por falë sakrificave të disa oficerëve të policisë apo ushtrisë, situata nuk u përkeqësua edhe më tej, pasi populli mund të pajisej me granata apo raketa.

Të gjithë shkodranët mbajnë mend mbrëmjen e 12 marsit të vitit 1997, ditën kur qindra qytetarë, u nisën drejt repartit ushtarak dhe baterisë kundër- ajrore që ndodhej në Dobraç, për të marrë armë. Atë mbrëmje të hidhur ranë dëshmorë të atdheut edhe 2 oficerët e ushtrisë, Muhamet Hasmuja dhe Arben Hoxha dhe ende as sot nuk dihen autorët.

 

Hasmuja, asokohe 38 vjeç nga Gruemira në Malësinë e Madhe, kapiten i parë, ishte emëruar komandant i bazës ndërsa Arben Hoxha nga Elbasani ishte toger, oficer i këtij reparti. Ish shefi i shtabit të regjimentit kundër- ajror të Shkodrës, Ndue Marku kujton ditën e 12 marsit, ku po shërbenin dy oficerët.

 

“Rreth orës 12:00, unë sëbashku me kolegun Sabri Vuçaj inspektuam bazën kundër-ajrore në Dobraç për tu njohur me masat që oficerët kishin marrë për mbrojtje pasi ishte situatë problematike. Muhameti si drejtues kishte marrë masa shumë të mira dhe gjithçka ishte e organizuar ashtu siç e kerkonte protokolli. Ne prisnim që të mbronim digat, urat, objektet e rëndësisë së veçantë dhe jo repartet tona”.

Orët e mbrëmjes së 12 Marsit, u shoqëruan me sulmin e turmave ndaj reparteve ushtarake të Shkodrës. Rreth orës 19.30 minuta, ra Divizioni Ushtarak i Shkodrës ku ishte e gjithë komanda e veriut. Urdhëri ishte i qartë për drejtuesit e reparteve të tjera, që askush të mos përdorte armët, por të mbronin depot, zyrat dhe të gjitha godinat e ushtrisë. Pak orë më vonë, sulmi vazhdoi drejt Dobraçit, aty ku ishte bateria kundër- ajrore me drejtues Muhamet Hasmujen.

Kur turmat mbërritën tek reparti, ata tentuan të thyejnë barrierat dhe të futen. Ushtarët dhe oficerët ishin në njërin krah me armë në duar, por pa urdhër për të qëlluar dhe në tjetrin krah turmat ku mes tyre ishin edhe të armatosur. Në këtë situatë, Muhameti vendosi të futej në mes të turmës dhe oficerëve të tij për të shmangur përplasjet pasi ushtarët ishin nën presion.

Ai po bënte thirrje qytetarëve që të largohen dhe situata të qetësohej. Në një moment, ai u rrëzua. Një dorë e zezë, nga turma qëlloi me armë drejt tij. Komandanti nuk u dëgjua më dhe u dha alarmi se Muhameti është qëlluar. Drejt tij, u nisën oficerët Arben Hoxha dhe Agron Kodra për ta ndihmuar, por është dëgjuar një tjetër breshëri zjarri dhe të dy u rrëzuan” tregon ish-shefi i shtabit të regjimentit kundër- ajror, Ndue Marku.

Arben Hoxha, oficeri nga Elbasani humbi jetën menjëherë ndërsa oficeri tjetër Agron Kodra, u qëllua me 7 plumba, por për fatin e tij të mirë shpëtoi. Duke parë agravimin e situatës, ushtarët u detyruan që të qellonin në ajër dhe të mbroheshin nga plumbat e turmave. Shkëmbimi i zjarrit ka vijuar deri rreth orës 3 të mengjesit të 13 Marsit kur turmat janë tërhequr. Me një kamion, trupat e tyre janë transportuar për në spitalin e Shkodrës, ku janë njoftuar edhe familjarët. Arben Hoxha, u dërgua më pas në Elbasan tek familjarët e tij.

Ne shkuam menjëherë në spital dhe gjithmonë mendonim se duhej të dhuronim gjak pasi ishte plagosur, por atëherë morëm edhe lajmin e hidhur. Muhameti kishte humbur jeteë në krye të detyrës. E gjithë bota u rrëzua për mua” mes lotësh, tregon Shkurtja, nëna e Muhametit.

Bashkëshortja Servetja, thotë se ditën që u vra Muhameti, ai ishte pushim por doli të mbronte ushtarët e tij.

Më 12 Mars, Muhameti nuk kishte shërbim. E pyeta ku po shkon pasi nuk kishte punë, por mu përgjigj se detyra nuk braktiset dhe në atë situatë duhet të jetë përkrah ushtarëve. Betimin e ushtarakut nuk e thyente kurrë”.

Por çfarë pasojash do të kishte për Shkodrën dhe Shqipërinë nëse reparti kundër-ajror nuk do të mbrohej deri në fund dhe do të ishte në duart e turmave ?

“Pasoja fatale ! Fatkeqësi të jashtëzakonshme. Kemi të bëjmë me topa kundër-ajror, raketa në gadishmëri për zjarr dhe tritol. Një pakujdesi sa më e vogel, madje edhe një cigare do të shkaktonte shpërthimin e tyre, pa llogaritur më pas nëse dikush do të aktivizonte topat apo raketat. Pasojat do të ishin fatale për mijëra njerëz” shpjegon eksperti, ish shefi i shtabit të regjimentit kundër- ajror, Ndue Marku.

Në vitin 1998, Muhamet Hasmujën dhe Arben Hoxhën, Këshilli i Qarkut të Shkodrës i shpalli “Dëshmorë të Atdheut”. Në nderim të tyre u ngrit edhe një obelisk tek ish-regjimenti kundër-ajror në Tepe. Sot, bashkëshortja dhe i biri i Muhamet Hasmujës vijojnë të jenë besnik të Forcave të Armatosura të Republikës duke shërbyer në repartin e Vaut të Dejës.

Familjarët bëjnë thirrje që jo vetem ajo ngjarje por të gjitha vrasjet e vitit 1997 të hetohen pasi as sot, nuk ka asnjë autor.

Përgatiti: K.Zh

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Bilanci tragjik nga masakra në Shkodër thellohet në 4 viktima

Ndërron jetë në spital Bashkim Basha

Kryeson Lezha, ja qyteti që mbetet në fund

Cili qark është më kursimtari këtë vit?