MENU
klinika

Një ndër objektet më të bukura në Shkodër

Abacia e Shirgjit drejt restaurimit

02.09.2018 - 11:07

Abacia e Shirgjit buzë lumit Buna, një ndër objektet më të bukura e me vlerë në Shkodër së shpejti do të restaurohet.

Edhe pse ndodhet pak kilometra në jugperëndim të qytetit, buzëlumit Buna që e ka gërryer dhe i ka zhvatur pjesë të rëndësishme të saja, abacia e Shirgjit dhe Bakut, është një monument i rëndësishëm i Mesjetës sonë, që koha e ka ruajtur si dëshmitë historike me rëndësi për kujtesën kombëtare.

Abacia e ndërtuar në shekullin XIII, mbi themelet e abacisë së Urdhrit Benediktin të shek. VI i kushtohet shenjtëve Shirgji (Sergius) dhe Baku (Bacchus) dhe është mbarështruar për shekuj me radhë prej murgjve benediktinë.

Kjo abaci nuk ishte e vetmja në Shqipërinë mesjetare. Sipass historianit kroat Milan Sufflay kishte edhe abaci të tjera të rëndsishme si ajo e Shën Palit në Pult, e Shën Sofisë, e Shën Gjonit afër Drishtit, abacia e Shën Kollit në derdhje të Bunës, e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtë, Shën Maria në Nderfandena etj.

Siç shkruan prof Ardian Ndreca: “Shenjtnit Shirgji e Baku janë martirë sirianë e na çojnë në shekujt e parë të krishtënimit në qytetin sirian Rusafa. Ndoshta prej ketëj edhe origjina e legjendës së Rozafës, bile në nji biografi të Stefan Nemanjes(1215) përmendet “Qyteti i Rosafit”. Kisha e Shirgjit asht ndërtue prej Helenës, mbretneshës së Serbisë, Dukles, Albanisë, Dalmacisë etj. Në vitin 1290. Helena ishte katolike franceze, bijë e mbretit të Bizantit Balduinit II de Courtenay, perandorit të Konstantinopojës dhe ishte martue me mbretin Stefan Uroshin I.”

Në këtë vend janë kurorezuar e varrosur disa princër arbërorë. Sikurse ka njoftuar dom Nikë Ulgjini, brenda një kohe të shkurtrër pritet filimi i restaurimit dhe konservimit të këtij muri të mbetur nga Ministria e Kulturës. Në krijimin e mbrotjes nga uji shkatërrues të lumit Buna dhe sistemimin e rrugës drejt këtij monumenti, do të kontribuojnë gjithashtu famulliatri i Dajçit, Dom Gjovalin Simoni dhe banorët e kësaj zone.