MENU
klinika

Ministria i përgjigjet PD-së

Albpetrol, ristrukturimi shkurton 459 punonjës

10.09.2018 - 17:58

Partia Demokratike akuzoi të hënën Albpetrol se po pushon nga puna profesionistë për t’i zëvendësuar me militantë partiakë. Deputeti, Luan Baçi, tha në një deklaratë për mediat se janë planifikuar afro 1200 pushime nga puna, shifër që përbën gjysmën e punonjësve të Albpetrolit. Sipas PD, deri tani janë pushuar mbi 600 punonjës dhe njëkohësisht po merren të tjerë individë pa kurrfarë lidhje me Alpetrolin, por vetëm se janë, pjesëtarë të Rilindjes dhe drejtues të strukturave të tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike, duke sqaruar se shkurtimi i punonjësve është pjesë e ristrukturimit të shoqërisë, i nisur në fillim të këtij viti.

Sipas Ministrisë, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar bisedime intensive me Sindikatën, e cila përfaqëson punonjësit e Albpetrol dhe është rënë dakord për kriteret që do të përdoren për procesin e ristrukturimit. Një komision i posaçëm i përbërë nga administrata e shoqërisë dhe përfaqësuesit e Sindikatës ka shqyrtuar strukturën organizative të shoqërisë, performancën personale të punës të punonjësve dhe ka përcaktuar kriteret e ristrukturimit bazuar në: arsimimin; kualifikimin profesional; vjetërsinë në punë në industrinë e naftës.

Këta punonjës janë trajtuar në përputhje me legjislacionin shqiptar duke marrë kompensimin financiar sipas Kodit të Punës. Në përfundim të procesit të ristrukturimit të shoqërisë, Albpetrol sh.a ka trajtuar financiarisht 459 punonjës të cilët janë larguar nga puna.

MIE saktëson se gjatë kësaj periudhe, Albpetrol nuk ka punësuar asnjë person, madje edhe nëse do të hapen vende të reja pune, prioritet do të kenë punonjësit e prekur nga procesi i ristrukturimit, nëse plotësojnë kushtet profesionale. Të gjithë këta punonjës janë vendosur në listat e pritjes. Sipas MIE, deri 5 vite më parë, Albpetrol ishte një kompani e cila rezultonte vetëm me humbje financiare, ndërsa kishte në punë mbi 3.000 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve ishin militantë partiakë pa lidhje me funksionin e punës.