MENU
klinika

115 mln euro borxhe

Albtelecom, dhembje koke për Ahmet Çalik

05.09.2018 - 16:29

Albtelecom është zhytur në borxhe, ndërsa vazhdon të regjistrojë humbje në bilanc prej vitesh. Pasqyrat financiare të vitit 2017 tregojnë se kreditë e kompanisë kishin vlerën e 14.6 miliardë lekëve ose rreth 115 milionë euro. Nga këto, afërsisht gjysmat hua të marra nga kompani të pronarit, Ahmet Çalik, Çalik Group dhe Aktif Bank.

Këtyre iu shtohen edhe detyrime të tjera të, në formën e llogarive të pagueshme ndaj palëve të treta. Situata financiare e kompanisë më të madhe të shërbimeve fikse të komunikimit ngelet e vështirë, megjithëse prej vitesh aksioneri turk ka ndërmarrë një fushatë të reduktimit drastik të shpenzimeve dhe shkurtimit të stafit. Kompania ka ndryshuar disa drejtorë ekzekutivë dhe kryetarë të Këshillit të Administrimit në vitet e fundit. Por, fakti është se Albtelecom vazhdon të regjistrojë humbje të mëdha. Për vitin 2017, humbjet kishin vlerën e 1.13 miliardë lekëve ose afro 9 milionë eurove, me një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2016. Përcaktues në rezultatin e Albtelecom është barra e lartë e borxheve, që sjell shpenzime kolosale për interesa. Vitin e kaluar, pagesat për interesat e kredive kishin vlerën e 1.17 miliardë lekëve, pothuajse aq sa vlera e humbjes vjetore të kompanisë.

Këtë vit, kompania ka marrë një kredi të re te Banka e Europës Qendrore, bankë me kapital turk e regjistruar në Hollandë. Kredia ka vlerën e 38 milionë eurove, ndërsa kredia ekzistuese në këtë bankë në fund të vitit të kaluar kishte vlerën e 23 milionë eurove. Për këtë kredi, aksioneri kryesor, Cetel, ka lënë peng gjysmën e kuotave të veta në kapitalin aksioner. Nga 80% të kapitalit që kontrollohet prej Cetel, gjysma janë lënë peng në favor të Bankës së Europës Qendrore.

Për shkak të gjendjes delicate financiare, Çalik është e interesuar ta shesë Albtelecom, por gjetja e një blerësi në këto rrethana është e vështirë. Tre vjet më parë, pati negociata me Deutsche Telekom, por çmimi i kërkuar nga turqit bëri që gjigandi gjerman të tërhiqet shpejt.