Nga Mentor Nazarko/
Ditë-netët e qytetarëve shqiptarë janë si më parë dhe në to nuk ndihet mungesa apo ikja e një ambasadori amerikan, si Donald Lu. Por dikur kur historia të bëhet plotësisht, kur arkivat të hapen, apo kur ndonjë rrjedhje informacioni si Wikileaks të ndodhë, do të kuptohet plotësisht se çfarë ka bërë Lu për shqiptarët dhe shtetin e tyre.
Pse Reforma në drejtësi është interes perëndimor ?
Lu ka lenë gjurmën e vet të pashlyeshme në reformën në drejtësi. Kjo reformë si reformë afatmesme, apo afatgjatë nuk është nga ato procese që japin efekte të atypëratyshme në jetën e individit, por me siguri do të peshojë shumë në konfliktet e tyre me njeri tjetrin, shtetin, në sigurinë e pronës, në mirëqenien e përgjithshme. Është krejtësisht e qartë si thonë disa lexues apo komentues dritëshkurtër, se Lu nuk është ndonjë shqiptaro madh dhe gjithçka ka bërë, e ka bërë për Amerikën. Po, plotësisht e vërtetë. ¬mirëpo ky ishte fati ynë i madh : që reforma në drejtësi u shndërrua jo thjesht interes shqiptar, por dhe interes amerikan për nga intensiteti i përfshirjes publike amerikane dhe jo publike. Madje ishte një nga rastet e rralla, kur interesi amerikan, vizioni i SHBA-ve për reformën shqiptare u përputh me atë europian. Ka një shpjegim për këtë : bashkësia perëndimore po e konsideron modernizimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, një shteti anëtar të NATO-s, themelor për sigurinë e investimeve të veta në këtë vend, ashtu si normalizim të një pjese të hartës euroatlantike. Për shumë, bashkësia perëndimore synon qarkullimin e elitës, e cila, pasi vjen në pushtet në vende si yni, arrin të korruptojë gjithë institucionet, shoqërinë civile, të ndërtojë lidhje të forta me biznesin, me krimin duke u garantuar në qëndrueshmërinë e vet, pikërisht nga pushteti i drejtësisë. Kjo elitë bëhet problematike për interesat perëndimore, pikërisht pse ajo humbet çdo standart etik, duke bashkëpunuar me krimin vendor dhe atë ndërkombëtar, duke lehtsuar trafiqet globale, etj. Themelimi dhe fillimi nga puna i institucioneve të parashikuara sipas reformës do të tregojë qartë vlerën e këtij procesi ku Lu ka lenë firmën e vet : këto institucione të reja besohet se do të jenë të asistuara nga bashkësia perëndimore, për goditjen e politikës dhe lidhjeve të saj me krimin. Që tani ka filluar tronditja e kateve të epërme të pallateve të politikës dhe drejtësisë, me largimin e një numri të madh njerëzish të drejtësisë, me dorëheqjet e tyre, etj.
Ambasadori Lu dhe shteti që ai përfaqëson, ka qenë seriozisht i përfshirë në të gjithë këtë që ndodhi. E ka bërë me një forcë të madhe dhe të pazakontë. Ka folur shqip në gjithë kuptimet, metaforik, por dhe real. Me gjasë nuk është mitologji, presioni amerikan që është zhvilluar mbi disa deputetë që mendohej se do votonin kundër reformës dhe si kurrë më parë, në listat e zeza amerikane përfunduan drejtues të lartë të prokurorisë dhe të drejtësisë në përgjithësi. Lu ka qenë koordinator, ideator i gjithë kësaj, sipas fushëveprimit të tij si ambasador. Pikërisht ky moment kulmor është saktësisht dëshmi e asaj që reforma ishte interes amerikan, duke ripërkufizuar çdo koncept të sovranitetit shtetëror në një vend që është anëtar i NATO-s. Dhe ne duhet të na vijë mirë për këtë.
Ky interes amerikan, i interpretuar në mënyrën më të mirë nga ambasadori Lu, e ruajti intensitetin e vet, ndonëse Lu-së ju desh të punonte me dy administrata presidenciale. Fakti në vetëvete është shenjë e mirë se dhe ambasadori pasardhës do vijojë në të njëjtën vijë, përkundër një prirje të administratës së re për të mos u përfshirë intensivisht në konflikte a zhvillime larg SHBA-së, që nuk ngjajnë se janë interes i drejtpërdrejtë i saj. Puna e Lu-së nën administratën Trump, vijoi megjithëse ai u vendos nën presion në SHBA, apo dhe brenda vendit tonë si i sponsorizuar nga Soros, armiku tradicional i republikanëve dhe presidentit Trump, sponsori i Klinton dhe mik i Ramës. Në këtë linjë, opozita shqiptare e mësuar të orientojë para lobimi në SHBA, me gjasë është përpjekur ta zëvendësojë Lu-në, po nuk ja ka arritur. Nuk dihet se çfarë ka ndikuar : fakti se një kohe bukur të gjatë, administrata e Departamentit të shtetit për rajonin (shefat e drejtpërdrejtë të tij) ka qenë me disa vende vakante, apo se Lu-ja i ka patur të gjithë letrat në rregull. Sipas traditës së sulmeve ndaj ambasadorëve amerikanë prej opozitës demokratikase, Lu është sulmuar dhe publikisht ndonëse me aluzione nga Berisha. Ai është sulmuar drejtpërdrejt nga disa sekundantë të tij, që vetësakrifikohen në detyra të « pista » si kjo, apo dhe nga prokurori i përgjithshëm, por asgjë nuk ndryshoi në cilësinë e punës së shefit të diplomacisë USA në Shqipëri.
Ambasadorët do të duhet të punojnë me qeveritë
Kritikët e tij brenda opozitës vendosin gishtin e fajësimit mbi të për ritmet e larta të kultivimit të hashashit në vend, apo me rritjen e ndikimit të qeverisë në drejtësi, por askush nuk e di se çfarë ka thënë dhe bërë Lu në takime jopublike me qeveritarët tanë, në raporte për qendrën e tij vendimmarrëse, apo cilat procese më të vogla për largime politikanësh ka nisur dhe përfunduar ai. Ndërkohë spekulohet me një fakt botërisht të njohur : ambasadorët do të punojnë me qeveritë, me njerëzit e fortë të saj që kanë në dorë programme, mjete, instrumente legjislative, normative dhe jo me opozitat që nuk kanë në dorë asgjë të tillë.
Në këtë mison Lu kapërceu traditën e punës së ambasadorëve të vendeve të fuqishme që normalisht janë të prirur për suksese të tipit afatshkurtër që raportohen në kancelari. Ai i dha emrin së bashku me homologen e tij europiane, Vlahutin një reforme afatgjatë që do të përmendet shumë.
Lu, nuk ishte një diplomat çfarëdo : produkt i njerit prej universiteteve më të mirë në botë si ai i Princetonit, ai vinte në Shqipëri, nga pozita e zëvendësambasadorit në Indi, shtetit të dytë më të madh në glob. Misioni i tij do të vazhdojë sërish jashtë SHBA-ve, në një vend me rëndësi strategjike si Kirgizistani. Dhe këto fakte e plotësojnë një bindje personale : Lu ishte njeri ndër ambasadorët më të mirë të SHBA-ve në Shqipëri, në mos më i miri.