MENU
klinika

Intervistë

Anxhela Peristeri: Shpirti ma di!

18.09.2018 - 10:38

Një artiste si Anxhela Peristeri ngjall gjithnjë kureshtje për ta dëgjuar dhe jo vetëm, pasi ajo lëvron bukur edhe shkrimin. Tregu çalë i kulturës muzikore në Shqipëri ka bërë që shumëkush më në fund të mos pajtohet karshi dëshirave të “këngëtareve”, të cilat po na bindin se janë të paracaktuara të dështojnë me produktet që hidhen në tregut, i cili le të themi ( e për këtë shumëkush bie dakord ) se ka më pak vlera muzikore se disa vite të shkuara.

Por Peristeri, sikundër dhe herë të tjera na tregon se është kaq e vetëdijshme për të përçuar komunikimin e munguar përmes muzikës së saj duke na sjellë pranë atë çka ajo bën më së miri: shprehjen përmes notave dhe tekstit. Peristeri sjell këngën e fundit “Shpirti ma di”- autorësia së cilës mban edhe një herë tjetër firmën e saj. Për Konica.al ajo rrëfehet me një intervistë duke na zbuluar gjithashtu projektin e ardhshëm.

⁃ Anxhela, sapo erdhe me një stil ndryshe. Fillimi këngës ngjason pak me këngët e Minës. Nga e ka burimin kjo muzë?

A. Peristeri: Në të vërtetë unë dua gjithmonë të vij për publikun ndryshe. Ajo që nënkuptoj me ndryshe është të vij me shpirt. E, për këtë pëpiqem shumë. Sa i takon këngës, mund të them se është një rrymë pafund e dashur për mua dhe vlen të theksohet kompozimi si gjithmonë i mrekullueshëm i Kledi Bahitit mbi tekstin tim.

⁃ Sa rëndësi luan teksti në këtë këngë dhe ku u frymëzove? Ti vetë sa e lidhur je me fjalën?

A. Peristeri: Për mua teksti është një nga elementët më të rëndësishëm në këngë. Të tregohem e sinqertë jam frymëzuar në jetën e përditshme. Më së shumti në zhgënjimet e vajzave pëfshirë dhe vetes time, gjithashtu në rëndësinë e kohës që shpesh njerëzit e harrojnë. Koha kalon dhe kur kujtohen është tepër vonë. Jam shume e lidhur me fjalën. Shkruaj shumë dhe më pëlqen të lexoj.

⁃ Ky shpirt e di, thua ti… më thuaj sa kushton kjo fjalë?
A. Peristeri: Shumë! Shpirti është gjeja me e rëndësishme për njeriun. Pa shpirt nuk ka jete dhe është pikërisht shpirti që përjeton të gjitha emocionet më të forta të gëzimeve apo dhimbjeve tona. Dhe shpirti gjithmone e di! Gjithmonë…

⁃ Pritshmëritë e kesaj kënge cilat janë?

A. Peristeri: E thjeshtë! Pritshmëria ime është që kjo këngë të depërtojë në zemrat e njerëzve. Asgjë tjetër.

⁃ A ndjehesh më e lumtur pas publikimit të kësaj kënge?

A. Peristeri: Sigurisht që po. Akoma më e lumtur që po krijoj dhe po i ofroj publikut dhe vetes muzikë apo fjalë që në radhë të parë kënaqin shpirtin tim. Është shumë e rëndësishme të dashurosh punën tënde dhe e bëj këtë. E dashuroj!

⁃ Kemi degjuar se diçka e madhe po vjen, do të na e zbulosh çfarë është?

A. Peristeri: Në muajin nëntor do të vijë diçka vërtetë shumë e rëndësishme për mua. Një koncert recital. Kaq mund të them, pasi surprizat e tjera nuk dua t’i zbuloj. Do të zbulohen atë ditë.

I. Agolli