MENU
klinika

Nga Alban Daci

Arbëreshët po rizgjohen në lartësinë e merituar!

27.09.2018 - 21:46

Ky është një vit i rëndësishëm, sepse është 550 vjetori i vdekjes së heroit tonë Skënderbeu.

Dimensioni i figurës së Skënderbeut është i jashtëzakonshëm dhe duket sikur nuk kanë kaluar pesë shekuj e gjysmë nga vdekja e tij, por sikur ai jeton mes nesh. Kjo ka ndodhur sipas meje për dy arsye:

Së pari, dimensioni i Skënderbeut është botëror, kjo qoftë për shembullin e rezistencës së tij përballë perandorisë më të madhe të kohës duke e luftuar dhe e sfiduar për 25 vje rresht me një disfavor të madh të trupave ushtarake në dispozicion, por edhe të pajisjeve ushtarake të kohës.

Skënderbeu, është bërë një model perëndimore për rezistencë dhe liri.

Të gjithë popujt e nënshtruar, pavarësisht dimensionit, janë frymëzuar tek Skënderbeu për të fituar lirinë kundër çdo forme pushtimi.

Madje, edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë inspiruar tek figura e Skënderbeut.

arbereshet konica.al
arbereshet konica.al

Së dyti, situatat në Ballkan dhe pozicioni i shqiptarëve duket se nuk ka ndryshuar.

Madje, edhe sot si pesë shekuj e gjysmë më parë kemi përsëri tendencën e Turqisë dhe nostalgjinë e saj për “Perandorinë Osmane” e po ashtu, aleancat ballkanike duket sikur nuk kanë ndryshuar përballë shqiptarëve.

Skënderbeut personifikon ekzistencën tonë.

Me vdekjen e Skënderbeut nisi një histori e errët për shqiptarët, ndoshta me errëta e gjithë kohërave.

Dhuna dhe pushtimi osman kaplluan të gjitha territoret shqiptare. Madje këtë e cilësojnë edhe vetë kronistët turk që flasin për fshatra të djegura nga turqit menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut.

Bashkë me vdekjen e Skënderbeut u largua edhe oborri i tij, ose familjet me fisnike të kohës, të cilat nuk pranonin nënshtrimin turk.

Shumë prej tyre ishin edhe të rrezikuar drejtpërdrejtë nga hakmarrja e turqve, sepse kishin luftuar krah për krah me Skënderbeun e ndërsa disa fisnikë të tjerë në qytetet të ndryshme u larguan, sepse ishin fort të lidhur me besimin katolik e për të konfirmuar këtë tezë mund të marrim si shembull largimin e familjes shqiptare të Durrësit që morën me vete edhe kambanën e kishës për të mos rënë në duart e turqve.

Me vdekjen e Skënderbeut u largua drejt Italisë dhe familja e tij bashkë me oborrtarët, bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë, miq dhe fisnikë.

Këta krijuan komunitetet më të rëndësishme shqiptare, kryesisht në Jugun e Italisë duke formuar ato që sot njihet “Komuniteti Arbëreshë”.

Arberëshët u vendosën në Kalabri, Puglia e Kampanja.

Fillimet e tyre në Itali ishin shumë të vështira, sepse nisën gjithçka nga zero duke mos gëzuar as prestigjin dhe as privilegjet që kishin pasur si “zotër” në vendin e tyre, Arbërinë, Përplasjet me vendasit ishin deri diku të ashpra, por arbëreshët të mësuar me luftën dhe me rezistencën kundrejt Perandorisë Osmane, si të thuash e kishin të lehtë të mbijetonin edhe në Itali duke u kthyer shpejt në pronarë tokash dhe duke ndërtuar nga fillimi vendqëndrime të reja.

arbereshet konica.al
arbereshet konica.al

Historia e Arbëreshëve ka vazhduar për shekuj me radhë duke ardhur deri në ditët e sotme si dëshmitarë të mrekullueshëm dhe të gjallë të Historisë tonë kombëtare.

Ata, ruajtën gjuhën përmes këngëve, valleve, ruajtën ritet dhe kostumet si dasmat, apo mortët dhe po ashtu edhe ritin fetar, i cili edhe sot cilësohet gabimisht si grek.

Riti fetar i arbëreshëve nuk është grek, por është shqiptar e bizantinë, sepse shqiptarët kanë qeverisur Bizantin dhe po ashtu në Shqipëri, ose në Iliri pas Lindjes së Krishtit janë hapur kishat e para si Katolike ashtu edhe Ortodokse në Ballkan.

Pse kanë një rëndësi të madhe në planin historik arbëreshët?

Gjithmonë nga ata që kanë dashur tokat tona (pushtuesit) është bërë një propagandë e fuqishme deri në atë masë sa me krijuar idenë se shqiptarët nuk kanë ekzistuar kurrë si popull! Imagjinoni sikur shqiptarët si popull do të ishin asimiluar plotësisht nën sundimin osmanë?

Atëherë pushtuesit tonë do të thoshin se shqiptarët nuk kanë ekzistuar kurrë dhe po ashtu Skënderbeun bashke me epokën e tij do e cilësonin një mitologji greke!

Por, këtë nuk mund ta bënin, sepse matanë detit ekzistonin arbëreshët, që ishin shqiptarë, flisnin shqip, martoheshin shqip e vdiqnin po shqip.

Ata do të ishin dëshmia më e madhe e ekzistencës tonë. Pra, mirënjohja jonë kombëtare kundrejt arbëreshëve duhet të jetë lartësinë e duhur. Këtë e them për disa arsye:

1. Së pari, sepse ata janë vëllezërit tanë,

2. Së dyti, ata kanë luftuar, kanë mbijetuar e kanë ruajtur identitetin kombëtar,

3. Ata janë fisnikët shqiptar,

4. Disa prej tyre janë trashëgimtar të drejtpërdrejtë të linjës së gjakut të heroit tonë kombëtar, Skënderbeu.

Ecuria e historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve për fat të keq është një histori e mbushur me sakrifica dhe rezistencë të vazhdueshme për liri dhe për vetë ekzistencë.

Në këto kushte të vështira për të mbrojtur oborrin e shtëpisë dhe ekzistencën, shqiptarët e Arbërisë nuk ishin kurrë në gjendje të ndihmonin arbëreshët apo të ishin mirënjohës për ta në lartësinë e duhur.

Kjo situatë mund të justifikohej deri në fillim të viteve ‘90, kur Shqipëria nuk kishte një pushtues të huaj, por kishte një pushtues akoma më të egër dhe të keq, Regjimin Enverist, duke u kthyer vendi më i izoluar në Botë.

Për shkak të rënies së Regjimit, shqiptarët të ndodhur në kushtet e një izolimi total, të varfër dhe të etur për liri, përsëri morën rrugët e Botës e shumë prej tyre me eksodin e fillim viteve ’90 udhëtuan drejt Italisë.

arbereshet konica.al
arbereshet konica.al

Nuk është e nevojshme të shkruajmë për këtë fenomen, sepse është i njohur nga të gjithë dhe nuk është argumenti i këtij shkrimi.

Ardhja e shqiptarëve në Itali bëri të mundur vendosjen e kontakteve me arbëreshët e nuk munguan rastet, kur shumë prej tyre u bënë ndihmues e mikpritës.

Kjo bëri të nis një fazë e re bashkëpunimi dhe rizgjimi mes shqiptarëve të pas ’90 dhe arbëreshëve. Lindën shumë shoqata dhe mënyra bashkëpunimi institucional mes shqiptarëve dhe arbëreshëve duke e rritur akoma ma fort krenarinë dhe ndjesinë e të qenit shqiptare të arbëreshëve si vëllezër të një gjaku.

Po ashtu rënia e Regjimit dhe hapja e Shqipërisë me botën, bënë të mundur rritjen e kontakteve dhe të vizitave të organizuara në grupe, por edhe në formë individuale të arbëreshëve tek “Mëmëdheu” që i kishin kënduar për shekuj me radhë, por pa pasur mundësi me e shkelë me këmbë.

Arbëreshët siç duket janë rizgjuar dhe janë më shumë se kurrë krenar për origjinën e tyre dhe tashme edhe falë mjeteve të reja të komunikimit si facebook dhe internet, po forcojnë kontaktet me shqiptarët.

Në Itali ka disa komuna arbëreshe, por më së shumti do të veçoja Frascineto në Kalabri dhe Casalvecchio në Puglia që për çdo vit dhe për çdo ditë organizojnë aktivitetë që demonstrojnë identitetin e tyre shqiptar, por edhe kujtojnë dhe rikujtojnë me krenari figurën e Skënderbeut.

Në Frascineto është shoqata kulturore “Vorea” dhe presidentja e saj Lucia Martino, që është e palodhur për të promovuar kulturën arbëreshe dhe kuzhinën arbëreshe në mbar botën.

Sigurisht ka edhe të tjerë që kanë shumë merita.

Po ashtu në “Calasvecchio di Puglia”, ka dy vjet që ka nisur një traditë e re e mjaft interesante, takim disa ditor me titullin “Vëllazëria”.

arbereshet konica.al
arbereshet konica.al

Ky term plotësisht dhe ekskluzivisht shqiptar, që përfaqëson në rrënjë gjuhën shqipe është një iniciativë e mrekullueshme dhe unë propozoj të bëhet edhe në Shqipëri si festë ku shqiptarët nga e gjithë bota festojnë e takohen në Tiranë.

Pra, unë propozojë që “Vëllazëria” të bëhet edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Ulqin me rotacion.

Është e nevojshme që vëllazëria mes shqiptarëve të forcohet dhe të lartësohet si domosdoshmëri për kohën, por edhe si sfidë për globalizimin.

Meritë të veçantë për festën e vëllazërisë në Casalvecchio kanë, kryetari i komunës z. Noè Andreano, Mario D’arcangelo, Loris Castriota Scangerbeg e të gjithë qytetarëve të kësaj komune.

Shqipëria sot, me gjithë problemet e mbartura nuk është më në një fazë emergjente dhe nuk mund të justifikojë më qëndrimin apo pamundësinë për të ndihmuar e kontribuar edhe për komunitetin arbëreshë.

Sot, janë të gjitha mundësitë që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha nivelet. Së pari, Shqipëria duhet të parashikojë fonde vjetore për të investuar për studimet reciproke etnografike, historike e gjuhësore mes Shqipërisë dhe komunave arbëreshe.

Së dyti, Shqipëria duhet të bëj një programe të detajuara në bashkëpunim me autoritetet qendrore, lokale italiane dhe komunat arbëreshë për të hapur shkolla të gjuhës shqipe.

Së treti, duhet të rriten shkëmbimet akademike dhe kulturore.

Në fund ajo që është me e rëndësishme, duhet të rritet prania e autoriteteve të shtetit shqiptar në aktivitet që organizojnë komunat arbëreshe.

Unë, kam besim se duhet të bëhet më shumë dhe do të bëhet më shumë për arbëreshët, sepse jemi vëllezër të një gjaku.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit