Policia ka arrestuar këtë të mërkurë deputetin e Kosovës, Milaim Zeka. Ai është arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ky arrestim ka ndodhur pasi ndaj tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për arrestim, për shkak të dyshimeve se ai e ka kërcënuar prokurorin e prokurorisë speciale, Afrim Shefkiu.
Arrestimin e tij, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Hekrem Lutfiu , i cili ka thënë se pas marrjes në pyetje, Zekës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Për shkak të akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, për mashtrim të qytetarëve dhe falsifikim vizash, deputeti i partisë NISMA për Kosovën, Milaim Zeka, dy ditë më parë në një emision televiziv kishte deklaruar se prokurorin e çështjes, Afrim Shefkiun do ta ndiqte me gjyq sipas kanunit, personalisht vetë.
“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë deputeti Zeka.
Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ka ardhur edhe reagimi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Me anë të një komunikate për media , KPK-ja ka dënuar deklaratën e deputetit Zeka.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu”, thuhet në komunikatën e KPK-së.