MENU
klinika

Gjimnazi 95-vjeçar

“Asim Zeneli” drejt restaurimit

11.09.2018 - 14:03

Eqerem Çabej, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e deri tek diktatori Hoxha kanë dalë nga bankat e një prej shkollave më të spikatura të Gjirokastrës. “Asim Zeneli” nuk është bërë i njohur si gjimnaz vetëm për emrat e shquar që kanë studiuar aty, por për traditën e mirë të mësimnxënies dhe nivelit të lartë që “asimzenelsat” kanë ditur të mbajnë ndër vite duke e rënditur këtë shkollë që nisi rrugëtimin si institucion edukimi që në nëntor të vitit 1923, të veçohet si një ndër gjimnazet më të mira të qytetit të gurtë.

Dhimitër Qurku,nxënës i këtij gjimnazi e vite më pas edhe drejtor i tij pohon se ngritja e këtij institucioni ishte një tregues i emancipimit të madh të shoqërisë në ato vite pasi një prej kërkesave ishte dhe studimi i një gjuhe të huaj.Organizimi i stafit – thotë ai- u krye duke kombinuar pedagogët franko-zvicerianë me ata vendas. Liceu nuk pati jetë të gjatë, por në gjurmët e tij eci ai që sot quhet gjimnazi “Asim Zeleni”.

Shkolla pritet të nis procesin restaurues. Nën administrimin e pushtetit vendor, projekti rikonstruktues parashikon që kjo godinë me vlera të jashtëzakonshme, sikurse bën me dijen kryebashkiakja Zamira Rami, të përshtatet më së miri edhe me pjesën tjetër rreth tij, pra rikonstruksioni do ta kthejë atë në një asambël më vete, ku krahas vlerave arkitektonike, historike të dalin në pah dhe vlerat e dijes.

Me vlerën e 27 milionë lekëve, ky investim parashikon ngritjen e laboratorit e informatikës, gjuhët e huaja, galeria e arteve si dhe ajo e historisë që është konceptuar krejtësisht ndryshe duke u përshtatur me teknologjinë e ditëve të sotme. Më tepër detaje mbi këtë projekt gjigand jep dhe Armand Mamani drejtor i agjensisë së mirëqënies dhe kujdesit social i cili thotë:

“Ndërhyrja do të nisë që në bodrumet e tij duke instaluar kaldajën e cila do të zgjidhi përfundimisht ngrohjen e ambjenteve” – tregon ai për Konica.al ndërsa shton se ndërhyrja do të ketë edhe në infrastukturën e brendshme të klasave duke i dhënë atyre pamje dhe komoditet bashkëkohor për zhvillimin normal dhe në kushte optimale të orëve të mësimit”.

Punimet pritet të nisin ne muajt në vijim e ndoshta mund të vështirësojnë normalitetin e orëve mësimore por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti që kjo “kështjellë” e dijes do të mund të rikthehet në identitet,jo vetëm për nivelin arsimor por dhe kushtet që do të ofrojë.

Përgatiti: E.B.