MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Ata që ikin” … për të qenë të lumtur!

28.09.2018 - 12:51

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të vazhdojë me sot me fillim nga ora 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, me shfaqjen “Ata që ikin”, të sjellë në skenë nga trupa e Teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.

Drama “Ata që ikin” është shkruar nga Kushtrim Bekteshi i cili është dhe regjisori i shfaqjes. Bekteshi e ka shkruar këtë dramë shumë më herët, por vendosi për ta vënë atë në skenë më vonë, sepse sipas tij: “Duhet të shkëputesh nga tekstet që shkruan vet për një periudhë kohe dhe më pas ta përpunosh si regjisor. Kjo duhet për të mos pasur qasje irracionale në punën artistike që do të prodhohet më vonë.”

Janë plot 12 aktorë të cilët do të ngjiten në skenë për t’i sjellë “FMT” një tjetër vlerë të shtuar. Ata janë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti, Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela dhe Afrim Kasapolli.

Shfaqja “Ata që ikin” trajton fate njerëzish të cilët në pamundësi për të gjetur kuptimin e vërtetë të ekzistencës së tyrë në rrëmujën e kohës që jetojnë, shpresën e vetme e kërkojnë në ikje. Shfaqja flet për të ‘vdekur’ që duan të jenë të ‘gjallë’. Njerëz të cilët ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Kujtojmë se po ditën e sotme, me fillim nga ora 21:00, në skenën e “arTurbinës” do të ngjitet shfaqja “Vetëvrasësi” e sjellë në skenë nga Teatri “Andon Zako Çajupi” I Korçës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN