MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Babai”, rikthimi i Reshat Arbanës

29.09.2018 - 15:25

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të ngjisë në skenë shfaqjen e parafundit me fillim nga ora 21:00 në sallën e “arTurbinës” në Tiranë. Shfaqja “Babai”, vjen në skenë nga trupa e Teatrit “Skampa” të Elbasanit.

Drama “Babai” e shkruar nga Florian Zeller do të ngjitet në skenë nën regjinë e regjisorit të mirënjohur Spiro Duni. Drama “Babai” risolli në skenë aktorin e madh të teatrit, Reshat Arbana. Së bashku me Reshat Arbanën do të interpretojnë: Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi, Mario Elezi si dhe Elia Zaharia.

Vepra “Babai” është një temë ndërkombëtare, që është sensibilizimi ndaj moshës së tretë dhe ndaj sëmundjes së alzheimerit që është e përbotshme, si dhe marrëdhënia baba dhe bijë. Ne kemi të bëjmë në vepër me një problem familjar, që kontributi ynë do të jetë modest si profesionist në art dhe shpresojmë të krijojmë një impakt të madh emocional. Por kryesorja është sensibilizimi i njerëzve për këtë moshë. Një subjekt real i ditëve tona, ku mosha e tretë mbetet në udhëkryqin për ti kaluar ditët me fëmijën apo në azil.

“Do ta çojmë në azil këtë njeri apo do të humbim jetën tonë. Disa e quajnë tragjedi moderne, disa dramë ndërsa unë preferoj ta quaj komedi e trishtë, sepse kështu është edhe koncepti që kam mbi këtë vepër”, shprehet regjisori Spiro Duni.

Kujtojmë se po ditën e diel, me fillim nga ora 21:00, në skenën e “arTurbinës” do të ngjitet shfaqja “Vdekja e Dantonit” e sjellë në skenë nga Teatri Shqiptar i Shkupit.