MENU
klinika

Mesazhi i kreut të opozitës

Basha pas Shkodrës: Do çlirojmë qeverisjen nga krimi

04.09.2018 - 10:16

Pas mbledhjeve të grupeve përkatëse parlamentare dhe mbledhjes së përbashkët mes partive opozitare, në Shkodër këto të fundit vendosën që të braktisin seancën e parë të stinës së re parlamentare.

Në një postim në fb, Basha thotë se Partia Demokratike dhe opozita do vazhdojnë të jenë në krah të qytetarëve në përballje me bandat në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë apo kudo ku ato qofshin!

“Bashkë do çlirojmë qeverisjen dhe vendin nga krimi! Pa kompromis” premton Basha.

Pasditen e së hënës, opozita e bashkuar e “zhvendosi” parlamentin në Shkodër, nga ku Basha deklaroi se krimi sundon jo vetëm në këtë qytet por edhe në qytete të tjera të vendit.

Basha tha se krimi ka kapur edhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe eksponentë të tjerë të Rilindjes siç e cilësoi ai.

Kreu demokrat tha gjithashtu se prej 6 muajsh, bandat terrorizojnë qytetin e Shkodrës, duke shtuar se atje duhet të ishte sot Edi Rama për të lajmëruar arrestimin e tyre.

Në takim nuk ishte e pranishme kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila përfaqësohej nga kryetari i grupit parlamentar Petrit Vasili.

Shkodra është tronditur nga nëj sërë atentatesh mafioze gjatë muajve të fundit, të cilat thuajse të gjitha kanë mbetur të pazbardhura, ndërsa në qytet është krijuar nëj klimë e nderë tensioni.

M.H