MENU
klinika

Huamarrja vendore

Bashkitë, 1.66 miliardë lekë kredi

13.09.2018 - 17:48

Jo vetëm qeveria qendrore, por edhe njësitë vendore kanë shfrytëzuar në vitet e fundit huamarrjen në tregun financiar. Financimet janë marrë në formën e kredive bankare afatgjata dhe i takojnë të gjitha vitit 2010, çka shpjegohet me synimin për të rritur investimet para zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Në total, janë gjashtë hua bankare me vlerë rreth 1.66 miliardë lekë, nga të cilat kanë ngelur ende për të shlyer rreth 696 milionë lekë, ose rreth 42% e vlerës së huasë së marrë.

 Kjo tregon se përgjithësisht plani i shklyerjes së kredive ka vijuar në mënyrë normale dhe kreditë e njësive vendore nuk janë shfaqur si problematike për bankat. Kredia në vlerën më të lartë, 706 milionë lekë, i takon Bashkisë së Elbasanit, ndërsa edhe Bashkia Vlorë ka përdorur një kredi prej 420 milionë lekësh për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit. Bashkia Lezhë ka marrë një kredi me vlerë 107 milionë lekë, ndërsa bashkitë fqinje të Korçës dhe Pogradecit kanë marrë secila nga një kredi, me vlerë përkatësisht 300 dhe 113 milionë lekë. Madje, kreid bankare ka marrë edhe ish-komuna e petrelës, që tahsmë është bërë pjesë e njësisë administrative Tiranë. Që prej vitit 2008, Shqipëria ka një ligj “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”, që u lejon bashkive dhe komunave të marrin borxh përmes kredive bankare apo nëpërmjet emetimit të titujve të borxhit.

Ligji iu njeh të drejtën njësive vendore të marrin hua afatshkurtër për të përballuar mungesën e përkohshme të likuiditeteve apo hua afatgjatë për të financuar projekte investimesh. Kredia afatshkurtër mund të merret nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, duke respektuar kufirin e borxhit të parashikuar në buxhetin vjetor. Ndërsa kredia afatgjatë mund të merret vetëm me vendim të posaçëm të këshillit të Bashkisë apo Komunës, në një mbledhje të hapur për publikun. Vendimi për huanë afatgjatë hyn në fuqi vetëm pasi të jetë konfirmuar nga Ministri i Financave, por, kompetenca e tij kufizohet vetëm në konfirmimin e përputhshmërisë procedurale për autorizimin e huasë dhe verifikimin e respektimit të kufizimeve ligjore të borxhit. Miratimi nga Ministri i Financave nuk përbën garanci për kreditorin dhe nuk krijon asnjë lloj detyrimi të qeverisë qendrore për kthimin e huasë. Huaja mund të garantohet me një pjesë të të ardhurave të njësisë vendore, përfshi edhe të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar.