Mjafton të përmendësh Schumacher dhe menjëherë mendja të shkon për legjendën e Formula 1, Michael. Por tashmë është rritur djali i tij, Mick, që po ndjek gjurmët e babait dhe në moshën 19-vjeçare, për të po interesohen disa nga skuderitë prestigjoze.
Ai është në garë për t’u shpallur kampion europian në Formula 3 dhe skuadrat e mëdha të Formula 1, janë gati ta përfshijnë atë në programet që kanë për zhvillimi e pilotëve të rinj, jo thjesht për mbiemrin që mban.
Shumë skuadra po e monitorojnë me kujdes dhe nuk është çudi që të përfundojë te Toro Roso, e cila teston shumë të rinj të cilët më pas bëhen pjesë e Red Bull.
Për momentin, Helmut Marco ka hedhur poshtë një hipotezë të tillë në skuadrën e tij, por Maurizio Arrivabene, i ka hapur dyert e Ferrarit për të.
“Duhet lënë të rritet pa shumë trysni. Rezultatet e fundit kanë qenë shumë të mira dhe i uroj një karrierë të mbarë. Me një emër si të tijin, dyert e Maranello-s janë gjithmonë të hapura, por pa djegur etapat”, – tha ai.
Parashikohet që Mick vitin tjetër të jetë një pilot i tretë në Formula 1, ose një nga skuadrat të firmosë me të dhe ta dërgojë në Formula 2, për të fituar më shumë eksperiencë.