MENU

Sezoni turistik

Berati priti 100 mijë vizitorë

16.09.2018 - 19:22

Rreth 100 mijë turistë përllogaritet të kenë vizituar qytetin e Beratit në 9 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të bashkisë.

Në zyrën e informacionit thonë se kjo është rezultat i reklamimit që i është bërë potencialeve të qytetit, por një pjesë e turistëve të huaj thonë se kanë dëgjuar për qytetin muze përmes rrrjeteve sociale. Të shumtë turistët e huaj mbeten edhe në këto ditë vjeshte.

Berati vazhdon të tërheqë turistë edhe në Vjeshtë. 2486 vizitorë janë regjistruar pranë Muzeut Ikonografik dhe Etnografik në 10 ditët e para, duke iu referuar biletave të shitura.

Në zyrën e Turizmit pranë Bashkisë Berat flasin për rreth 100 mijë vizitorë në 9 muajt e parë.

Mishela Kazani: Kemi arritur në 100 mijë vizitorë deri në momentin që flasim. Vërtet Berati ka një arkitekturë shumë të bukur por bashkia Berat ka ditur si ta promovojë këtë qytet.

Turistët nga e gjithë bota i gjen në kala, lagjet muzeale dhe muze.

Ata vlerësojnë trashëgiminë kulturore që mban qyteti Muze por edhe vetë banorët e tij.

Turisti amerikan: Jam nga Texas, SHBA. Jam për herë të parë në Shqipëri dhe Berat. Është një qytet i bukur, i pazakontë. Këtu gjen kishën dhe xhaminë bashkë.

Turisti kinez: Berati është absolutisht i bukur. Dhe njerëzit janë të sjellshëm. Ne do të udhëtojmë në disa vende, por Shqipëria është e bukur.

Bashkia Berat thotë se ka rritur ndjeshëm reklamimin e potencialeve turistike, por një pjesë e mirë e turistëve thonë se e kanë marrë informacionin përmes rrjeteve sociale dhe po aty do tua rekomandojnë edhe miqve.

Turistja kineze: Njerëzit duken të lumtur dhe e gëzojnë jetën. Do të shpërndaj fotografitë që kam bërë në median sociale dhe do tu rekomandoj miqve të mi të vijnë të vizitojnë Beratin.

Pasi kanë vizituar qendrën mesjetare, lagjet simbolike, kanë shijuar gatimin apo kanë blerë diçka nga artizanët beratas, të shumtë janë turistët që premtojnë se do të rikthehen bashkë me miqtë apo të afërmit.