MENU
klinika

Nga Albert Çaçi

Beteja për Idlib-in

09.09.2018 - 11:25

Idlib është një qytet, kryeqëndër e krahinës së Idlibit me 157 mijë banorë në pjesën veriore të Sirise në kufi me Turqinë.

Një qytet midis maleve që askush nuk ishte interesuar nëse egzistonte. Por gjatë luftës 6 vjeçare të Sirisë qyteti mori një rëndësi strategjike nga pikëpamja ushtarake dhe ishte një nga krahinat që u okupua nga rebelet anti-Asad. Këtu ndikonte fakti që duke okupuar kufirin turko- sirian furnizimet me armatim dhe rebele nga jashtë ishin shumë më të lehta se gjithë pjesët e tjera të frontit të luftimeve.

Krahina e Idlibit ka një rëndësi të vecantë infrastrukturorë pasi këtu kalojnë 2 autostrada kryesore, ajo ndërkombëtare, Aman-Damask-Ankara si dhe ajo që lidh qendrën më të madhe ekonomike të Sirisë, Alepo me portin e Latakias në Mesdhe. Për 5 vjet kalimi në këto arterie kyçe është ndërprerë nga rebelët.

Në këto kushte gjithë xhihadistët dhe rebelët e gjithë krahinave të tjera që mposhteshin nga ushtria e Asad ose pranonin të dorëzoheshin kërkonin të transferoheshin në këtë krahinë, që u jepte sigurinë për ta dhe familjet e tyre dhe mundësinë që nëpërmjet Turqisë të largoheshin drejt vendeve të tjera.

Kështu krahina në 3 vitet e fundit nga 1,5 milion banorë arriti në rreth 3 milion aktualisht, me rrezikun e madh që tani të bëhet objekt i sulmeve të ushtrisë siriane pasi grupet xhihadiste nuk i lejojnë banorët të largohen.

Praktikisht ushtria siriane, pasi pastroi gjithe territorin sirian është në dyert e krahinës së vetme të okupuar nga xhihadistët. Mbi 150 mijë trupa siriane me një armatim të rëndë ndodhen në prag të mësymjes finale kundër reth 50 mijë xhihadistë. Asnjëherë ushtria siriane në këto 7 vite lufte nuk ka patur një superioritet të tille të trupave pasi pasi ka qenë e impenjuar njëkohësisht në disa fronte kurse tani ka mbetur vetëm bastioni i fundit.

Në fakt në zonën e rethuar janë përqëndruar gjithë konstelacioni i xhihadit që nga Jebhat-al Nusra ,filiali sirian i Al -Qaedës, mbeturina të ISIS, rebelë pro turq dhe tufa rebelësh të moderur, shumë të moderuar, gjysëm të moderuar dhe gjithfarë emërtimesh që i vendosin dhe i ndërrojnë sipas ecurisë së luftimeve në front.

Vlen për t’u theksuar se gjatë 5 viteve të fundit ushtria siriane nuk e ka sulmuar ndonjëhere këtë zonë pasi nuk ka patur mundësi operative. Por, të lënë rehat nga ushtria siriane janë kryer luftime të përgjakshme midis vetë këtyre grupeve që kanë mbështetje dhe objektiva nga jashtë të ndryshme për të marrë komandën e gjithë krahinës.  Në fund Al-Qaeda i nënshtroi të gjithë me dhunë dhe tashmë askush në botë nuk mund të shprehet në mbrojtje te tyre.

Mbas sulmit është llogaritur se mbi 1 milion refugjatë mund t’i afrohen kufirit me Turqinë. Ky është një problem shumë i madh për Turqine që ka aktualisht reth 2,5 milion sirianë refugjatë në territorin e saj. Dhe kjo është ajo që tmerron Evropën pasi mund të ketë një dyndje tjetër emigrandësh me pasoja devastante.

Problemi është shumë i komplikuar. Nga ana ushtarake marrja e kësaj krahina nga Assadi do të thotë praktikisht përfundimi i luftës dhe ngelet vetëm pjesa lindore e Eufradit deri në Del el Zor që është e zotëruar nga kurdët . Dhe mbi të gjitha Asadi mbas gjithë kësaj kasaphane ku janë vrarë mbi 500 000 sirianë dhe 6 milion kane lënë vëndin do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet pa u gjykuar se çfarë gjëme i solli Sirisë kjo luftë absurde.

Në fakt nga ana ushtarake fati e kësaj beteje është i shënuar pasi është thjesht çështje kohe. çfarë do rezistence të bëjnë xhihadistët ata nuk mund ta ndryshojnë më fatin e betejës.

Duhet theksuar se në këto 6 vjet rebelët e të gjithë ngjyrave që nga ISIS në Mosul në Irak dhe deri tek këta të fundit në Idlib kanë demonstuar në luftimet në terren një forcë rezistence dhe pregatitje që i ka habitur jo vetëm Asadin, por edhe gjithë ekspertet ushtarakë.

Natyrisht që financuesit e tyre i kane pajisur me armatime moderne. Por në gjithë luftimet e kryera fatin e ka vendosur kopertura ajrore që rebelet nuk e kanë patur asnjëherë, qoftë edhe përkohësisht. Kanë patur reparte të blinduara por asnjëherë avionë. Ndërsa ushtria e Asadit ka patur mbështetjen nga avionet më modernë të aviacionit rus, dhe kjo ka bërë diferencën vendimtare dhe solli humbjen e tyre.

Në këtë kuadër edhe Idlibi është i destinuar të dorëzohet pasi i mungon mbështetja ajrore. Aq më teper që baza më e madhe ajrore ruse e Hmeimim ndodhet vetem 40 km larg vijës së frontit dhe reth 100 km larg ndodhet baza detare e Tartus ku njësi potente të marinës luftarake ruse po pregatiten që të marrin pjesë në sulmin e fundit.

Beteja po ndiqet me shumë prokupacion nga gjithë kancelaritë perëndimore…

Sekretari i Shtetit amerikan Pompeo dhe Kancelarja Merkel ditët e fundit janë shprehur se ky grup terroristësh përbën rrezik për gjithë botën dhe duhen eleminuar, por problemi kryesor janë banorët e pafajshëm për të cilët duhet bërë çmos për të evituar një gjakderdhje të panevojshme.

Edhe Presidenti Trump ka deklaruar se çdo lloj masakre civilësh nuk ka për tu toleruar.

Problemi më i madh në këto momente është përdorimi i armëve kimike që mund të sjellë një reagim të amerikanëve dhe një rrezik për konfrontim. Për këtë të gjithë kanalet e mundshme diplomatike -ushtarake po mundohen ta shmangin.

Takimi i dy ditëve me parë në Teheran midis Rohanit-Putinit dhe Erdoganit pavarësisht fasadës nuk arriti një konkluzion të dakordësuar. Erdogani propozoi të shtyhet sulmi duke iu dhënë kohë më shumë për negociata me rebelët. Por si Putini ashtu dhe Rohani nuk e pranuan dhe kanë lënë kohë deri në datën 10 shtator për negociata për kushtet e dorëzimit. 

Siç duket mbas kësaj date sulmi nuk mund të ndalet më.

Kjo beteje është e një rëndësie shumë të veçantë, jo nga numri i pjesëmarrjes së trupave as nga strategjitë e luftimeve. Por nga mënyra se si do të perfundojë ajo, do të varet gjithë e ardhmja politike e Sirisë së mbas luftës, por mbi të gjitha do të ndikojë në marrëdhëniet midis gjithë aktorëve ndërkombëtare që si në asnjë luftë tjetër janë kaq të shumtë me interesa të ndryshme.

Ajo që ka rëndësi primare është shmangia e një konflikti të mundshëm midis SHBA dhe Rusisë pasi skenarët që hapen mbas kësaj janë me të vërtetë të frikshëm.