Menu

Kryeson industria përpunuese

Bizneset rrisin shpenzimet për paga

14.09.2018

Bizneset rritën shpenzimet për fondin e pagave në tremujorin e dytë të vitit, duke dëshmuar vijimësinë e ecurisë pozitive të tregut të punës. Sipas Institutit të Statistikave, rritja e fondit të pagave përgjithësisht është më e lartë se rritja e numrit të të punësuarve, çka nënkupton një rritje të pagës mesatare.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Ecurinë më pozitive në kuptimin e rritjes së fondit të pagave e raportuan industria përpunuese dhe hoteleria. Në industrinë përpunuese, fondi i pagave u rrit me 18.7%, duke iu bashkangjitur edhe treguesve mjaft pozitivë të shitjeve dhe punësimit në këtë sektor. Edhe industria nxjerrëse ndodhet në një fazë përtëritjeje, që po shoqëron nivelet më të larta të çmimeve të lëndëve të para. Indeksi i fondit të pagave në industrinë nxjerrëse u rrit me 8.1%. Mesatarisht, fondi i pagave në sektorin e industrisë u rrit me 15.9%, pasi veç industrisë nxjerrëse edhe aktivitetet e energjisë dhe furnizimit me ujë regjistruan rritje të konsiderueshme.

Megjithëse në tremujorin e dytë pësoi rënie të shitjeve, edhe sektori i ndërtimit e rrit fondin e  pagave me 9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Për sa i takon shërbimeve, ecurinë më të mirë e shfaqën aktivitetet e lidhura me turizmin dhe në veçanti hoteleria, ku fondi i pagave u rrit me 15.5%. Edhe dega më e rëndësishme e shërbimeve, tregtia, raportoi një rritje të shpenzimeve për fondin e pagave me 6.6%.